Analistët serb tregojnë a ka Lista Serbe të ardhme në institucionet e Kosovës

Analistët serb tregojnë a ka Lista Serbe të ardhme në institucionet e Kosovës

Analisti serb Branislav Krstic ka kritikuar ashpër Listën Serbe, duke e quajtur atë një organizatë kriminale të regjistruar si parti politike në Kosovë.

Krstic tha se kjo parti nuk përfaqëson asnjë komunitet dhe as interesat e votuesve të saj.

Ai theksoi se një subjekt politik që nuk i shërben askujt në Kosovë nuk ka vend në jetën institucionale të vendit.

“Një subjekt politik që nuk përfaqëson interesat e asnjë komuniteti në Kosovë, as interesat e votuesve të tij, duhet të zhduket nga skena politike e Kosovës. Lista Serbe është një organizatë kriminale e regjistruar në Kosovë si parti politike. Ata përfaqësojnë ekskluzivisht interesat e tyre dhe të Kabinetit të Presidentit të Serbisë. Lista Serbe është gangrenë në trupin politik të Kosovës dhe sipas rregullores është shumë e nevojshme të hiqet”, tha Krstic.

Ndërsa, analisti Ognjen Gogic, ka deklaruar se Lista Serbe është një parti politike e regjistruar në përputhje me ligjet e Kosovës dhe se nuk ekziston asnjë bazë ligjore për t’ia mohuar asaj pjesëmarrjen në proceset politike të vendit.

Sipas tij, e ardhmja e Listës Serbe në institucionet e Kosovës varet nga vullneti i qytetarëve serbë.

“Lista Serbe është një parti politike e regjistruar sipas ligjeve të Kosovës dhe nuk ka asnjë bazë ligjore për t’i mohuar pjesëmarrjen në proceset politike. Nëse ajo ka apo jo një të ardhme në institucionet e Kosovës varet kryesisht nga vullneti i serbëve të Kosovës”, tha ai.

“Nëse serbët e Kosovës vazhdojnë ta mbështesin përmes zgjedhjeve, atëherë ajo do të ketë një vend të garantuar në institucione,” u shpreh Gogić, duke theksuar se serbët kanë të drejtë kushtetuese të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.

Ai gjithashtu tha se bashkëpunimi i partive politike shqiptare me Listën Serbe është një çështje e vullnetit të tyre politik.

“Serbët kanë vende të garantuara në institucionet e Kosovës dhe kanë të drejtë të zgjedhin se kush i përfaqëson ata. Për aq kohë sa ata zgjedhin Listën Serbe, ajo do të ketë një vend në institucione. Një çështje tjetër është nëse partitë politike shqiptare janë të gatshme të bashkëpunojnë me Listën Serbe. Kjo varet tërësisht nga ato. Ato mund të zgjedhin nëse duan të formojnë një koalicion me Listën Serbe në nivelin qendror apo lokal. Megjithatë, atyre nuk u takon të zgjedhin se kush do t’i përfaqësojë serbët e Kosovës”, tha Gogic për GazetaBlic./Periskopi/

Shpërndaje në: