“Lufta” e VV-së me GjK-në, Ymeri: Nëse Osmani bëhet pjesë e fushatës, i shkakton dëm shtetit
Në fillimin e muajit gusht, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një konference për media njoftoi se ka tërhequr kërkesën që ia kishte parashtruar Gjykatës Kushtetuese më 22.07.2025, në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Pasi sipas saj, gjyqtar raportues i lëndës është caktuar Radomir Llaban, për të cilin konsideron se ka veprimtari që paraqet rrezik për rendin kushtetues në Kosovë, sbkruan Periskopi.
Mirëpo sot, Osmani ndërroi busullën.
Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina njoftoi se Osmani do t’i dërgojë Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen e konstituimit të Kuvendit.
Sipas analistit, Visar Ymeri, presidentja Osmani duhet të bëj kujdes në komentet që pritet t’i dërgoj më 9 shtator.
Ymeri thekson se Lëvizja Vetëvendosje është duke bërë fushatë ndaj Gjykatës Kushtetuese, kësisoj në rast se Osmani i bashkëngjitet VV-së, atëherë sipas analistit, kjo do të jetë në dëm të vendit.
” Megjithatë fakti që edhe Presidentja do të dërgojë komente në GjK është lajm i mirë në kuptimin e angazhimit të saj në këtë bllokadë të gjatë institucionale gjatë së cilës jo gjithëherë e kemi parë presidenten si të përfshirë.
Duke e thënë këtë duhet pasur parasysh që këtu e kemi në diskutim një çështje që ka të bëjë kryekëput me Kuvendin, dhe është një çështje e ndjeshme duke e pasur parasysh fushatën e egër të LVV kundër GjK me një dozë të theksuar nacionalizmi me qëllime të pastra elektorale. Nëse Presidentja bëhet pjesë e kësaj fushate përmes komenteve të saja mendoj që shkakton dëm në vijueshmërinë e integritetin kushtetues e institucional të Kosovës”, u shpreh ai.
Ymeri pati kritika ndaj Osmani në lidhje me mos-sqarimin e duhur për tërheqjen e pyetjes në kohën kur Kuvendi, u ballafaqua me një bllokadë të madhe, pasi partitë PDK,LDK, AAK nuk e votonin kandidaten e VV-së, Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit.
“Presidentja asnjëherë nuk na e bëri të qartë se cila është arsyeja e tërheqjes së pyetjes që e kishte shtruar më parë kur Kuvendi nuk arrinte as ta votonte Kryetarin. Atëbotë ajo e pati aryetuar tërheqjen e saj me pranině e njërit prej anëtarëve të Kushtetueses, z. Radomir Laban, duke e konsideruar këtë si rrezik për interesin shtetëror. I njëjti vazhdon të jetë në GjK”, u shoreh ai.
Javën e kaluar, Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme deri më 30 shtator, duke ia ndaluar deputetëve të zgjedhur të ndërmarrin veprime.
Gjithashtu ndaloi edhe zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e qeverisë së re.
Kjo masë u vendos në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe./Periskopi/
Matoshi, Osmanit: Këto komente për përgjigje dërgoj nesër në Kushtetuese



