U pa në tavolinë me kandidatin e VV’së në Pejë Taulant Kelmendin, flet Bekë Berisha: Nuk fshehna qosheve nga askush, bindjet e mia politike i flas hapur
Partitë politike kanë nisur t’i shkelin vijat e tyre e tyre tash për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, raporton Periskopi.
Koalicionet mes tyre veçse kanë nisur të dalin në pah.
Një i tillë u përfol sot gjatë ditës, pas publikimit të një fotografie.
Kandidati i AAK-së për komunën e Prishtinës, Bekë Berisha është parë në një takim me kandidatin e LVV-së në komunën e Pejës, Taulant Kelmendi i cili në balotazh pritet të përballet me Gazmend Muhaxherin e LDK-së.
Megjithatë për ta konfirmuar për një bashkëpunim të tillë, Periskopi ka kontaktuar vet protagonistin e fotos, Bekë Berisha.
Ai në një përgjigje për Periskopin ka thënë se takimi ishte në Prishtinë, por që sa i përket balotazheve për Pejë, vendos vetë kryetari i Degës atje.
Berisha po ashtu tha se bindjet e tij politike janë të hapura.
“Unë jam deputet i Kuvendit të Kosovës dhe nuk e izolojë veten me ndejt me bisedu me cdo kënd prej qytetarëve të Kosovës, poashtu nuk fshehna qosheve nga askush. Bindjet e mia politike i flas hapur. Takimi ishte në Prishtinë në kafen ku unë rri për çdo ditë. Sa i përket aktualitetit të balotazheve, Ali Berisha është shefi jonë në Pejë, ai vendos çka bën atje”, ka thënë ai në një përgjigje me shkrim.
Ndryshe, Taulant Kelmendi kandidati i LVV-së që shihet në fotografi në zgjedhjet e 12 tetorit ka dalë i dyti me 27.81% pas Gazmend Muhaxherit të LDK-së, kryetarit aktual të kësaj komune i cili mori besimin e mbi 46% të qytetarëve dhe pritet të përballen sërish në balotazh me 9 nëntor.
Ndërsa kandidati i AAK-së në këtë komunë Ali Berisha, ka marrë 18.22% të votave në Pejë.
Kujtojmë që prej kësaj partie, kanë bërë ujdi edhe kandidatja në Fushë Kosovë, Vildane Latifi me kandidatin e Vetëvendosjes, Valon Prebreza.
Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më 9 nëntor./Periskopi/



