Medvedev: Trump i ka shpallur luftë Rusisë
Dmitri Medvedev, ish-president i Rusisë dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Vladimir Putinit, ka reaguar ashpër pas njoftimit të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara për vendosjen e sanksioneve ndaj gjigantëve rusë të naftës, Rosneft dhe Lukoil.
Në një postim në Telegram, Medvedev tha se ky veprim përbën “shpallje lufte ndaj Rusisë” dhe akuzoi presidentin amerikan, Donald Trump, se është “rreshtuar plotësisht në anën e Evropës”.
“Nëse ndonjëri nga komentuesit kishte ende iluzione, ja ku jemi. Shtetet e Bashkuara janë armiku ynë, dhe ‘paqebërësi’ i tyre llafazan tani ka marrë rrugën e luftës kundër Rusisë. Po, ai nuk lufton gjithmonë drejtpërdrejt në anën e Kievit e Banderës, por ky është tashmë konflikti i tij – jo i Bidenit të matufosur! Sigurisht që do të thotë se nuk kishte zgjidhje tjetër, se ishte nën presion nga Kongresi, e kështu me radhë. Por kjo nuk ndryshon thelbin: vendimet e marra janë një akt lufte kundër Rusisë. Tani Trump është rreshtuar plotësisht me Evropën e çmendur”, shkroi Medvedev.
Pak më herët reagoi edhe Ministria e Jashtme e Rusisë, duke i cilësuar sanksionet amerikane si “kundërproduktive”.
Ky është reagimi i parë zyrtar nga Kremlini pas vendimit të Trumpit.



