Nisin punimet në fazën e dytë të projektit të Koogjenerimit në Mazgit
Në Mazgit kanë filluar punimet në fazën e dytë të projektit të Koogjenerimit, që përfshin shtrirjen e rrjetit të sistemit të ngrohjes qendrore në këtë zonë.
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, së bashku me banorët e Mazgitit dhe bashkëpunëtorët, ka parë nga afër nisjen e punimeve të këtij projekti madhor, i cili pritet të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e jetës së qytetarëve.
“Ky është një projekt shumë i rëndësishëm dhe jetik për qytetarët tanë. Jam jashtëzakonisht i lumtur që bashkë po e realizojmë këtë projekt, do ta mbikëqyrim nga afër dhe shumë shpejt do ta gëzojmë së bashku”, ka deklaruar Gashi.
Sipas tij, së shpejti do të vazhdojë edhe shtrirja e rrjetit të Koogjenerimit në pjesët e tjera të mbetura dhe në Milloshevë.
“Jemi bashkë, dhe së bashku do ta shndërrojmë Obiliqin në qytetin më të bukur e më modern! Urime, dhe na priftë e mbara!”, ka shtuar kryetari Gashi.






