Dështon seanca për sulmin terrorist në Banjskë, shkak dështimi i pajisjeve
Seanca ndaj tre të akuzuarve në rastin e sulmit terrorist në Banjskë që është paraparë të zhvillohej të hënën ka dështuar, ka njoftuar Gjykata Themelore në Prishtinë.
Arsyeja e anulimit është se Gjykata e Shkupit ka njoftuar se nuk është e mundur të realizohet lidhja me video e konferencës për sot, pasi pajisjet nuk janë funksionale për dëgjimin e dëshmitarit të paraparë.
“Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se është anuluar seanca së shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale ndaj të akuzuarve B.S, D.M. dhe V.T. , pasi përmes emailit zyrtar nga Ministria e Drejtësisë së Republikës së Kosovës është njoftuar se Autoritet e Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht Gjykata e Shkupit ka njoftuar se nuk kanë mundësi që të bëjnë lidhjen me video konferencë për datën 27 tetor 2025, pasi pajisjet nuk janë funksionale për dëgjimin e dëshmitarit të paraparë”, thuhet në njoftim.
Gjykata ka bërë të ditur se lidhur me caktimin e datave të radhës në këtë çështje penale, palët do të njoftohen paraprakisht, përmes ftesave.
Në seancën e kaluar është paralajmëruar se do të dëgjohet një dëshmitar nga Maqedonia e Veriut, i cili do të dëshmojë përmes videolidhjes shkaku që këtë ia mundëson bashkëpunimi gjyqësor.



