Tenderi 35 milionësh i mirëmbajtjes së rrugëve në Kosovë përfundon në OSHP, dyshohet për çmime të manipuluara

Tenderi 35 milionësh i mirëmbajtjes së rrugëve në Kosovë përfundon në OSHP, dyshohet për çmime të manipuluara

Njëri nga tenderët e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), që kap vlerën e parashikuar prej 35 milionë euro për mirëmbajtjen e rrugëve në Kosovë ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Kompania “ABI Cons” sh.p.k. nga Tirana ka dorëzuar ankesë  kundër ministrisë, duke pretenduar se tenderi për “Mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës për tre vitet në vijim” është përgatitur në mënyrë që nuk reflekton kostot reale të tregut dhe “rrezikon cilësinë, sigurinë dhe konkurrencën e ndershme”, raporton Periskopi.

Tenderi që përfshinë 15 lote për rajone të ndryshme të vendit, sipas “ABI Cons”, është nënvlerësuar financiarisht nga Autoriteti Kontraktues, duke mos përfshirë as shpenzimet bazë për staf, pajisje dhe materiale ndërtimore.

Në ankesë thuhet se vetëm shpenzimet fikse të kërkuara në dokumentet e tenderit për një lot të vetëm arrijnë në mbi 3.5 milionë euro me TVSH, ndërsa vlerat e ofruara nga Ministria për shumë prej loteve janë më të ulëta se kjo shumë.

“Nga llogaritjet tona del qartë se buxheti i parashikuar nuk e mbulon as koston minimale për sigurimin e stafit, pajisjeve dhe objekteve përcjellëse për 36 muaj. E lëre më kostot e materialeve të ndërtimit si asfalti, betoni apo kripa për mirëmbajtje dimërore”, thuhet në ankesën e kompanisë, raporton Periskopi.

Sipas “ABI Cons”, Ministria e Infrastrukturës ka kërkuar standarde të larta, si angazhimi i tre inxhinierëve të kualifikuar, 30 punëtorëve teknikë dhe një sërë pajisjesh dimërore e verore për çdo lot, por pa parashikuar mjetet e nevojshme financiare për t’i mbuluar ato.

“Autoritet Kontaktues për ekzekutimin e këtij projekti, ka paraqitur kërkesat obligative ndaj OE, që të ofrojnë në posedim për 36 muaj: 3 inxhinier të kualifikuar, 30 punëtorë teknik, 31 pajisje verore, 14 pajisje dimërore dhe rreth 1.128.00 m² objekte përcjellëse”, thuhet në ankesë.

 

Kompania kërkon nga OSHP-ja që të urdhërojë rishqyrtimin e vlerave të tenderit, duke u bazuar në kostot reale të tregut dhe duke siguruar kushte të barabarta për të gjithë operatorët ekonomikë.

Në dokument theksohet se tenderi aktual, nëse zbatohet me këto vlera, “do të rrezikonte cilësinë e shërbimit dhe sigurinë publike gjatë periudhës trevjeçare të kontratës”.

Por ankesa nuk ndalet me kaq. Në pretendimin e dytë, kompania ka vënë në pah mospërputhje dhe paqartësi në kriteret për liderin e grupit të operatorëve ekonomikë. Sipas tyre, në një pjesë të dokumenteve kërkohet që lideri të përmbushë 50% të kapacitetit financiar, ndërsa në një pjesë tjetër 60%, duke krijuar konfuzion dhe mundësi interpretimi të dyfishtë.

“Ky mospërputhje mund të ndikojë në mënyrë të padrejtë në përzgjedhjen e ofertuesve dhe përbën shkelje të parimeve të transparencës dhe barazisë në trajtim”, thekson më tej kompania.

Tenderi për mirëmbajtjen e rrugëve është ndër më të mëdhenjtë që shpallen çdo tre vjet në vend, me vlera që kapin dhjetëra milionë euro, dhe shpesh ka qenë subjekt i ankesave nga kompani vendore dhe të huaja.

Nëse OSHP nuk e shqyrton në kohë optimale, rrugët e Kosovës mund të mbesin pa mirëmbajtje, por edhe të dështoi tërësisht tenderi. Meqë dimri është duke u afruar, rrugët e Kosovës mund të mbesin të pa pastruara nga bora, nëse OSHP ia aprovon ankesën këtij operatori.

Ankesën e plotë e gjeni KËTU./Periskopi/

 

Shpërndaje në: