Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Gjilanit, Arbër R. Ismajli, u është drejtuar bashkatdhetarëve me një mesazh falënderimi dhe thirrje për mobilizim në raundin e balotazhit të 9 nëntorit.
Ai ka theksuar rolin vendimtar të mërgatës në çdo fitore të Gjilanit, duke i ftuar që edhe këtë herë të dërgojnë votën e tyre për ndryshimin që qyteti e meriton.
Ismajli ka njoftuar se të gjithë të regjistruarit për votim me postë para fushatës zgjedhore të vitit 2025 mund të votojnë nga 27 tetori deri më 8 nëntor, duke theksuar se bashkë me përkushtimin dhe dashurinë e mërgimtarëve “do ta hapim kapitullin e Gjilanit të ri – qytetit të zhvillimit, dinjitetit dhe bashkimit.”
Postimi i plotë:
Të dashur bashkatdhetarë,
Ju që çdo herë keni qenë zemra e Gjilanit, kudo që jetoni e punoni, po ju drejtohem me mirënjohje e besim të plotë. Falë jush, Gjilani gjithmonë ka fituar! Edhe këtë herë, më 9 nëntor, kemi një mundësi të madhe që ta kthejmë drejtimin e qytetit tonë dhe ta hapim kapitullin e Gjilanit të ri, qytetit të zhvillimit, të dinjitetit dhe të bashkimit.
Ju njoftoj se të gjithë ju që jeni regjistruar për votim me postë para fushatës zgjedhore të vitit 2025, do të keni mundësinë të votoni sërish në këtë proces të balotazhit nga data 27 Tetor deri me datë 08 Nëntor. Prandaj, ju bëj thirrje që të mobilizoheni masivisht, si gjithmonë, dhe ta dërgoni votën tuaj për Gjilanin, për qytetin tuaj, për qytetin tonë të përbashkët!
Faleminderit nga zemra për përkushtimin, përkrahjen dhe dashninë e pakushtëzuar që tregoni ndaj vendlindjes. Së bashku, po e sjellim ndryshimin që Gjilani e meriton!
Përgjithmonë i juaji,
Arbër R. Ismajli