Hetimet për Aeroportin e Vlorës, Behgjet Pacolli paraqitet në Prokurori

Hetimet për Aeroportin e Vlorës, Behgjet Pacolli paraqitet në Prokurori

Behgjet Pacolli është paraqitur të premten në Prokurorinë e Tiranës, raportojnë mediat në Shqipëri.

Siç shkruan portali TPZ.al, multi-milioneri nga Kosova është paraqitur për t’u pyetur për Aeroportin e Vlorës.

Ish-kryediplomati i Kosovës është implikuar në një skemë të dyshimtë mashtrimi me Aeroportin e Vlorës në Shqipëri.

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet penale ndaj Behgjet Pacollit për një seri veprimesh të dyshimta rreth pronësisë së Aeroportit të Vlorës. Pacolli dyshohet për mashtrimin e bashkë-aksionarit të projektit, biznesmenit kosovar Valon Ademi dhe për kalimin e aseteve të një kompani “offshore”, e cila dyshohet se është e lidhur me Rusinë.

Përpos Behgjet Pacollit, Prokuroria në Shqipëri ka nisur hetime penale edhe ndaj Emin Pacollit, vëllait të tij dhe punonjësit Nelson Çela. Të tre dyshohen për akuzat e “mashtrimit me pasoja të rënda”, “falsifikim dokumentesh” dhe “mashtrim kompjuterik”.

Akuzat ndërlidhen me dyshimet se Pacolli dhe njerëzit e tij ia shiten aksionet e Aeroportit kompanisë “Delphos Securities Sarl”, duke e mashtruar aksionarin tjetër që fitoi koncensionin për ndërtimin dhe operimin e Aeroportit të Vlorës. Fjala është për kompaninë kosovare “2A Group”, të biznesmenit Valon Ademi.

Sipas një kallëzimi penal të deponuar në Prokurori, Pacolli dyshohet se mashtroi Ademin për pronësinë e Aeroportit. Ai pretendon se është zotërues i 98% të aksioneve të Aeroportit, ndërsa Ademi është zotërues i 2% të aksioneve.

Gjykata vendosi që të pezullojë çdo vendim të planifikuar në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve të biznesit “Vlora International Airport – VIA Sh.P.K”, e cila ishte caktuar të mbahej më 20 tetor 2025.

Shpërndaje në: