LDK për vendimet e Kurtit: Qeveri pa mandat, blerje votash dhe abuzim me buxhetin publik

LDK për vendimet e Kurtit: Qeveri pa mandat, blerje votash dhe abuzim me buxhetin publik

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas vendimeve të Qeverisë Kurti për rritjen e pensioneve, shtesat për fëmijë dhe premtimin për pagën e 13-të, duke e quajtur miratimin e buxhetit për vitin 2026 “një akt të paprecedent politik dhe institucional”.

“Ky është një akt i një qeverie pa mandat dhe pa legjitimitet, një përpjekje e dëshpëruar për blerje votash dhe manipulim të procesit zgjedhor vetëm një javë para balotazhit dhe pak javë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare,” thuhet në komunikatën e LDK-së.

Sipas partisë, “në objektin e Qeverisë, një grup deputetësh që sillen edhe si ekzekutiv, në kundërshtim me Kushtetutën dhe me aktgjykimet e Gjykatës Supreme, kanë miratuar një dokument pa vlerë juridike”, duke e cilësuar këtë si “uzurpim të kompetencave shtetërore dhe keqpërdorim flagrant të buxhetit publik për interesa të ngushta partiake.”

LDK thekson se “buxheti i ri është dokumenti më i rëndësishëm financiar i shtetit dhe duhet të hartohet e miratohet nga një qeveri e re, legjitime dhe e dalë nga vullneti i qytetarëve, jo nga një qeveri në largim që ka humbur mbështetjen popullore dhe autoritetin institucional.”

“Asnjë euro e buxhetit nuk mund të shndërrohet në mjet për blerje votash, asnjë plan financiar nuk mund të shërbejë si mburojë për dështimet qeveritare,” ka theksuar më tej LDK, duke shtuar se këto veprime “përbëjnë abuzim me pushtetin dhe instrumentalizim të institucioneve të shtetit për qëllime elektorale.”/Periskopi/

Shpërndaje në: