KQZ tregon sa do të zgjas rinumërimi në nivel vendi: 12-14 ditë
Ekipeve të numërimit të votave do t’u duhet t’i rinumërojnë edhe 1 mijë e 947 vendvotime gjatë ditëve në vazhdim, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Deri të hënën pasdite, nga 914 vendvotime që ishte vendosur më herët të rinumëroheshin, kishin mbetur edhe 304 të tilla, por pas vendimit të fundit të KQZ-së, në këtë proces do të përfshihen edhe 1,643 vendvotime që i takojnë 28 komunave.
Sipas vendimit të KQZ-së, të datës 13 janar, në 10 komuna ishte vendosur të rinumëroheshin 100% e vendvotimeve, ndërkaq për 28 të tjera vetëm nga 10% të vendvotimeve. Ky proces është në zhvillim e sipër.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka shpjeguar se cila është gjendja aktuale e vendvotimeve të rinumëruara deri më tani dhe ato që do të përfshihen në rinumërim pas vendimit të fundt të KQZ-së.
“Duke u mbështetur në dy vendimet e KQZ-së (13 dhe 19 janar 2026) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve rinumërimi do të përfshijë të gjitha vendvotimet, 2,557 sosh, në të cilat më 28 dhjetor 2025 është zhvilluar votimi i rregullt. Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e hënë, 19 janar 2026, ora 16:00) në QNR janë rinumëruar 610 vendvotime. Pra, gjatë ditëve në vazhdim, në përgjithësi do të rinumërohen 1,947 vendvotime”, tha Elezi.
Ai ka treguar se në QNR janë shtuar kapacitetet dhe se rinumërimit i 1,947 vendvotimee mund të marrë kohë nga 12 – 14 ditë.
“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është shtuar numri i ekipeve të numërimit. Aktualisht, janë 38 ekipe të tilla vetëm gjatë një ndërrimi pune, pra 76 gjithsej. I gjithë procesi i rinumërimit të 1,947 vendvotimeve / kutive të votimit, mund të zgjasë nga 12 – 14 ditë”, tha Elezi.
Në mbledhjen e së hënës, KQZ mori vendim për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve në 28 komunat, si: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut. Ndërkaq, sipas vendimit të mëhershëm të KQZ-së, i datës 13 janar 2026, parashihej që në 10 komuna, si: Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug.
Vendimi i KQZ-së për përfshirjen në rinumërim të të gjitha vendvotieve, erdhi pas një raporti nga rinumërimi i më shumë se 500 vendvotimeve, sipas të cilit, tek votat e subjekteve politike, ndryshimet e identifikuara janë të papërfillshme, por për dallim prej tyre, të dhënat për kandidatët pas rinumërimit, paraqesin një shkallë të lartë të pasaktësive në numërim.
Sipas raportit nga vendvotimet e rinumëruara në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, rezulton se pas rinumërimit në QNR janë zbritur nga rezultati 36,007 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 20,978 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në QKN. Ndryshimi në numrin e votave të kandidatëve pas rinumërimit tregon se procesi i numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike ka pasur pasaktësi./Periskopi/
Fillimi i hetimeve për mospërputhjen e votave – prokurorja Pula takohet me zv.drejtorin e Policisë



