Izraeli thotë se armëpushimi nuk përfshin Libanin
Izraeli mbështet vendimin e Donald Trump për të pezulluar sulmet kundër Iranit për dy javë, por tha se armëpushimi nuk përfshin Libanin, tha të mërkurën zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Zyra tha se Izraeli mbështeti veprimin e SHBA-së, me kusht që Teherani të hapë menjëherë ngushticën e Hormuzit dhe të ndalojë sulmet kundër Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe vendeve në rajon.
Kryeministri pakistanez, Shebaz Sharif, kishte thënë më parë se armëpushimi shtrihej mbi Libanin.
Sulmet izraelite ndaj Libanit që nga fillimi i luftës kanë vrarë më shumë se 1,400 njerëz, përfshirë 126 fëmijë, dhe kanë zhvendosur më shumë se 1 milion, sipas autoriteteve libaneze.
Lufta e ripërtërirë izraelite ndaj Libanit u nis pasi Hezbollahu – grupi militant libanez i mbështetur nga Irani – qëlloi me raketa Izraelin verior në përgjigje të vrasjes së ish-udhëheqësit suprem iranian, Ali Khamenei, në sulmet ajrore të përbashkëta SHBA-Izrael, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.
Izraeli tha gjithashtu se mbështet përpjekjet e SHBA-së për të siguruar që Irani të mos paraqesë më një kërcënim bërthamor, raketor ose “terrorist” për SHBA-në, Izraelin dhe fqinjët arabë të Iranit, duke shtuar se Uashingtoni i kishte thënë Izraelit se ishte i përkushtuar për të arritur qëllimet e tyre të përbashkëta në negociatat e ardhshme.
Irani tha të mërkurën se negociatat me SHBA-në do të fillonin të premten, më 10 prill, në Islamabad. /Periskopi



