Arbeloa nuk e fton Asencion ndaj Bayernit, shkak përplasja e fundit mes tyre
Një rast i ri shpërthen te Real Madridi.
Raul Asencio nuk është përfshirë në listën e të grumbulluarve për ndeshjen ndaj Bayern Munichut, vendim i marrë nga trajneri Alvaro Arbeloa, që e rikthen në qendër të vëmendjes situatën e tensionuar mes lojtarit dhe klubit.
Mbrojtësi i ri madrilen mungon në një moment delikat të sezonit, me “Los Blancos” që përgatiten për një sfidë vendimtare në Champions League.
Edhe pse nuk pritej të ishte titullar, përjashtimi i tij nga lista ka ngritur pikëpyetje të reja mbi statusin e tij brenda skuadrës.
Pas kësaj mungese fshihet një situatë jo e qetë në marrëdhënien mes lojtarit dhe trajnerit.
Gjithçka nisi pas një përplasjeje me Arbeloan, kur Asencio reagoi ndaj mungesës së aktivizimit në një ndeshje të rëndësishme, duke krijuar tension në dhomat e zhveshjes.
Situata u përkeqësua më tej kur lojtari u tërhoq në momentet e fundit nga një ndeshje, duke i prishur planet e stafit teknik dhe duke shkaktuar pakënaqësi te shokët e skuadrës, çka u konsiderua si mungesë disipline nga trajneri.
Pavarësisht se më vonë kërkoi falje para grupit dhe u rikthye pjesërisht në skuadër, raportet mes palëve mbeten të ftohta dhe roli i tij në ekip nuk është më i njëjtë si më parë.
Mungesa ndaj Bayernit duket të jetë një tjetër sinjal i qartë se e ardhmja e Asencios te Real Madridi është në dyshim, në një periudhë ku konkurrenca në mbrojtje është e lartë dhe besimi i stafit teknik ndaj tij duket i lëkundur.



