Deputetja e LDK-së godet keq Thaçin: Po e glorifikon ministrin e Millosheviqit

Deputetja e LDK-së godet keq Thaçin: Po e glorifikon ministrin e Millosheviqit

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka kritikuar ashpër Presidnetin, Hashim Thaçi.

Osmani përmes llogarisë së saj në Facebook, ka komentuar deklaratën e Thaçit dhënë për mediat franceze, duke thënë se nëse dikush e pyet veten si është e mundur që një ministër i Milloshevicit të rehabilitohet kaq shpejtë.

“…Ministrin e Milloshevicit për propagandë dhe mbështetësin besnik të Vojislav Shesheljit ai e quan ‘lider i duhur për paqe’”, ka shkruar Osmani.

Bazuar në deklaratën që Thaçi ka dhënë për mediat franceze, Osmani i ka rikujtuar Presidentit Thaçi një sër arsyesh për të mos e quajtur veten dhe Vuçiqin ‘lider të paqes’.

Shkrimi i plotë i Osmanit:

‘Thaçi për mediat franceze: Unë dhe Vucic jemi liderët e duhur për paqe’

Nëse dikush e pyet veten si është e mundur që një ministër i Milloshevicit të rehabilitohet kaq shpejtë (kurrë pa kërkuar falje e pa i pranuar krimet serbe në Kosovë, Bosnje e Kroaci), përgjigjen e gjeni në deklaratën e mësipërme dhe në deklarata të mëhershme të Thacit. Pra, ministrin e Milloshevicit për propagandë dhe mbështetësin besnik të Vojislav Shesheljit ai e quan ‘lider i duhur për paqe’. E tani quditemi pse BE e quan Vucicin lider pro-evropian e pro-perëndimor?Pak para se të fillojë dikush t’i besojë këtyre dokrrave, ja disa përkujtime:
– Është po ky ‘lider i paqes’, pra Vucici, shteti i të cilit akoma mbanë fshehtë informatat për rreth 1700 persona të zhdukur gjatë luftës që janë nga Kosova dhe nuk tregon për vendndodhjen e tyre.
– Ështe po ky ‘lider i paqes’ që mohon krimet kundër njerëzimit dhe kurrë nuk ka shprehur as keqardhje për rreth 13000 viktima (kryesisht civile), rreth 20000 gra të dhunuara, rreth 128000 shtëpi të shkatërruara, dhe për dekada të tëra të shkeljeve masive të të drejtave themelore të shqiptarëve.
– Është po ky ‘lider i paqes’ i cili ishte Sekretar i Përgjithshem i Partisë Radikale të Sheshelit në kohën kur partia e tij hartoi platformën për Serbinë e Madhe që kishte për qëllim spastrimin etnik të Kosovës.
– Është po ky ‘lider i paqes’ që nxitë e mbështetë bandat e veriut që shkelin integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit tonë.
– Ky ‘lider i paqes’ është poashtu lider i shtetit që kishte politika gjenocidale ndaj shtetit tonë dhe as nuk do të dëgjojë për reparacion të dëmeve të luftës. Është lider i shtetit që ndërton ndërtesa mbi varreza masive të viktimave civile.
– Është po ky lider që niste për Kosovë trene me mbishkrimin Kosova është Serbi; që kërcënonte me dërgimin e ushtrisë në Kosovë e që organizon fushatë dezinformuese për tërheqje të njohjeve të Kosovës.
– Dhe më e freskëta: është po ky lider që porosiste ekipin serb në Boterorin 2018 që duhet patjetër ta mposhtin Zvicrën, sepse natyrisht, për të e shumë politikanë të tjerë serb, vetë ekzistenca e shqiptarëve është problem e provokim.
– Do me duhej kohë deri nesër të numëroja edhe të tjera.
Prandaj, Vucic mund të quhet ckado tjetër, por jo lider i duhur për paqe. Paqja në Ballkan mund të arrihet vetëm me liderë qe e thonë dhe e pranojnë të vërtetën: pra të vërtetën e krimeve monstruoze serbe ndaj popujve të tjerë në Ballkan.
Për të promovuar e shpëtuar veten, Thaçi është në gjendje të glorifikojë edhe ministrat e Milloshevicit. Kaq poshtë asnjë institucion i Republikës nuk ka qenë ndonjëherë.

Shpërndaje në: