Nga lloçi i Vushtrrisë në yll të Bundesligës, Rashica një diamant i çmueshëm i Kombëtares së Kosovës
Milot Rashica është njëri nga lojtarët shembull për të gjithë të rinjtë e Kosovës që merren me futboll se me punë e përkushtim një ditë do të mund të arrijnë në majat e futbollit evropian
Milot Rashica aktualisht është pjesë e Werder Bremenit në Bundesligën e Gjermanisë ku po shkëlqen me paraqitje dhe gola, gjë që ka bërë që tifozët e skuadrës të çmenden pas vushtrriasit, madje disa po e vlerësojnë atë edhe si ‘Messi i ardhshëm’, raporton Periskopi.
Anësori 22 vjeçar është shumë i rëndësishëm edhe për Kombëtaren e Kosovës, e cila pas pak ditësh do të fillojë kampanjën në kualifikimet për EURO 2020 ku fillimisht do të përballet me Bullgarinë në stadiumin mitik, Fadil Vokrri.
Rashica e filloi karrierën te klubi i tij i qytetit, te Vushtrria, por me talentin dhe punën e madhe ai sot po e ka fjalën e fundit te skuadra gjermane, Werder Bremen.

Ylli i Dardanëve debutoi me skuadrën e parë të Vushtrrisë si 16 vjeçar ku në sezonin e vitit 2013/14 arriti që të shpallej kampion me skuadrën atë kohë të udhëhequr nga Ismet Munishi.
Trajneri i njohur kosovar ia kishte besuar pozitën e titullarit Milotit dhe ishte i bindur se ai një ditë do të kishte një karrierë të madhe në Evropë.

“Miloti për moshën që ka është shumë i pjekur, si 17 vjeçar ai është shumë i pjekur dhe këtë gjë e tregon edhe në fushë. Ai e ka një shpjetësi shumë të mirë dhe ka një teknikë të përsosur dhe punon mjaft mirë me të dyja këmbët,” kishte thënë Munishi më 2013.
“Për një kohë të shkurtër, falë pjekurisë së tij dhe intelegjencës që e ka ai është zhvilluar si futbollist, nëse një futbollistit tjetër iu kanë nevojitur 5 vjet për t’u pjekur, Miloti këtë e ka arritur për 6 muaj. Këto janë karakteristikat që e veçojnë Milotin prej futbollistëve tjerë.
“Milotin e pret një karrierë dhe zhvillim shumë i mirë në të ardhmen,” shtoi tutje Munishi.

E gjërat që i kishte thënë Munishi për Rashicën dolën të jenë të vërteta, ai pas paraqitjeve fantastike me Vushtrrinë arriti të depërtonte në Evropë.
Në gusht të vitit 2013 Rashica fillimisht shkon në prova te klubi njohur belg, Gent, ku edhe përfundon gjithçka me sukses. Atij madje i ofrohet një kontratë ku do të përfitonte 9 mijë euro në muaj, por më pas gjërat ndryshuan kur për të interesohet Hanoveri.
Miloti nga Belgjika rikthehet në Kosovë për të vazhduar një kohë me Vushtrrinë dhe më pas do të kalonte te Hanoveri.
Fatkeqësisht ai me të ardhur në Kosovë, lëndohet rëndë gjatë një ndeshje me Trepçën 89 dhe gjerat fillojnë të komplikohen.

Babai i Milotit, Nexhmedin Rashica e kishte paralajmëruar të birin që të ketë kujdes kur të paraqitet me Vushtrrinë pasi mund të lëndohej, por nga dëshira e madhe për të luajtur ai nuk i dëgjoi këshillat e babait.
Por, me ndihmën e Altin Lalës, ish-lojtarit të Kombëtares së Shqipërisë Miloti shkon në Hanover për t’u shëruar, ku faza e rikuperimit të tij zgjat plotë tetë muaj.
Pasi përfundon fazën e rikuperimit ai rikthehet edhe një herë në Kosovë për të luajtur me Vushtrrinë dhe më pas fillon aventurën në Evropë, ku shkon në prova te Vitesse. Aty qëndron 2 javë me ekipin e dytë dhe kur trajnerët mahniten me talentin e tij dhe dërgojnë për stërvitje me ekipin e parë.

Më 10 shkurt të vitit 2015 Miloti arrin marrëveshje zyrtare me Vitessen, por që karriera e tij në Holandë do të niste zyrtarisht nga 1 korriku.
Në Vitesse ai shumë shpejt siguron vendin e titullarit dhe për tre vite sa ishte pjesë e skuadrës arriti që të bënte 83 paraqitje ku shënoi 13 gola.
Pas një përvoje të bukur në Holandë vjen koha që Rashica të bëjë një tjetër hap të madh në karrierë ku do të transferohet te skuadra gjermane Werder Bremen.

Miloti nënshkruajti kontratë 4,5 vjeçare me Werder Bremenin më 31 janar të vitit 2018. Tifozët e Werderit shumë shpejt ia lanë nofkën ‘Raketa’ shkaku i shpejtësisë që e ka.
Rashica nuk e nisi mjaft mirë aventurën në Gjermani dhe në fillim kishte vështirësi, ndërsa në sezonin pranveror ai tregoi vlerat e tij dhe tani është pjesë shumë e rëndësishme e formacionit të Werderit.
22 vjeçari po ‘shtyhet’ me sulmuesin e njohur të Bayernit, Robert Lewandowskin sa i përket golave të shënuara në kampionat nga viti 2019. Të dy kanë realizuar nga 6 herë dhe janë lojtarët me më së shumti gola në Bundesligë për vitin 2019.
It’s now 7️⃣ goals in 2019 for @milotrashica ?#werder #B04SVW pic.twitter.com/1ooAZLcvqg
— SV Werder Bremen EN (@werderbremen_en) March 17, 2019
Tifozët e Werderit e duan aq shumë sa po e e vlerësojnë atë si ‘Messi i ardhshëm’. Ylli kosovar ka rrëmbyer zemrat e tifozëve të skuadrës, të cilët po i thurin vushtrriasit elozhe në Twitter.
“Milot, fëmijët e mi të duan, je lojtari më i rëndësishëm i Werderit, je Messi i ardhshëm”.
“Milot Rashica, një dhe i vetmi”.
“Arsenal, transferojeni Milotin”, janë vetëm disa nga postimet e shumta në Twitter për Rashicën.
Miloti sa i përket karrierës me Kombëtare, ai fillimisht ishte pjesë e grupmoshave të Shqipërisë dhe në fund realizoi edhe paraqitje me skuadrën A, por pasi Kosova u pranua në UEFA dhe FIFA ai vendos që t’i bashkohet Dardanëve.

Rashica në vitin 2016 ishte shumë afër që të merrte pjesë në EURO 2016 me Shqipërinë, por që në fund Gianni De Biassi e largoi atë nga lista përfundimtare.
Ai me lot në sy u largua nga kampi i Shqipërisë në prag të Kampionatit Evropian, por tani ai ka gjasa që të marrë pjesë në një kompeticion të tillë me Kosovën, e cila ka dy mundësi për t’u kualifikuar në EURO 2020.

Së pari me anë të kualifikimeve ku Kosova është në Grupin A me Anglinë, Bullgarinë, Çekinë dhe Malin e Zi, por nëse nga këtu nuk mund të sigurojë biletën, atëherë do të luaj në play-offin e Ligës së Kombeve ku në mars të vitit 2020 do të luan me Maqedoninë në gjysmëfinale.
?? This dipping finish by Kosovo star Milot Rashica ?#NationsLeague pic.twitter.com/A3Ao4rBjOJ
— UEFA EURO 2020 (@UEFAEURO) October 17, 2018
Në rast të një triumfi ndaj Maqedonisë, në finale do të takohej me fituesin e ndeshjes Gjeorgji-Bjellorusi, dhe në rast të fitores këtu, atëherë Miloti me shokë do marrin pjesë në EURO 2020.
Miloti gëzon respekt të madh tek të gjithë në Kosovë dhe e ka dëshmuar që ka zemër të madhe. Ai vazhdimisht e ka ndihmuar klubin ku u rrit si futbollist, Vushtrrinë, derisa gjithashtu është përkujdesur edhe për qytetarët e kësaj ane, ku familjeve në nevojë ia ka paguar 1 mijë kilogram miell.
“Kudo që të shkoj nuk mundem me i harru kurrë se këtu e kam filluar karrierën,” kishte thënë Rashica kur kishte vizituar klubin e Vushtrrisë për herë të parë pas transferimit te Vitesse.
Rashica e nisi karrierën karrierën futbollistike në Kosovë, luajti në lloç dhe në kushte aspak të mira, por që me përkushtim arriti që t’i prek majat e futbollit evropian. Paraqitjet e tij të fundit kanë bërë që për vushtrriasin të interesohen edhe klube të ndryshme nga Premier Liga. /PERISKOPI/



