Dikur udhëtonte nga 5 orë me autobus për t’u stërvitur, sot me nderë dhe krenari përfaqëson Kombëtaren e Kosovës
Lirim Kastrati tregon se sa shumë ka peshë fanella e Kombëtares së Kosovës
Lirim Kastrati, futbollisti i Lokomotivës së Zagrebit dhe i Kombëtares së Kosovës ka sakrifikuar shumë për të arritur në nivelin që është tani, raporton Periskopi.
Ai u largua nga familja në moshën 15 vjeçare për të ndjekur ëndrrën për t’u bërë një futbollist profesionist.
Kastrati, i lindur në fshatin Hogosht të Kamenicës karrierën e ka nisur te KF Kika, ndërsa tre vite ka qenë edhe pjesë e Dardanës, si dhe një vit tjetër ishte pjesë e shkollës Arsenali që gjendet në Prishtinë.
Pas një periudhe të suksesshme te shkolla e futbollit Arsenali, ai arrin që të kalojë në kampionatin shqiptar ku transferohet te Shkëndija e Tiranës, ku qëndron për dy vite e gjysmë dhe më pas bën hapin gjigant në drejtim të Lokomotivës së Zagrebit.
Por, si rodhën gjërat që Lirimi për një kohë të shkurtër të depërtojë nga Kosova në Shqipëri e më pas në Kroaci?
Jemi mësuar shumë shpesh të dëgjojmë rrëfime nga më të ndryshmet për futbollistët që kryesisht vijnë nga Amerika Latine dhe që kishin një fëmijëri tejet të vështirë. Shumica prej tyre qëndruan një kohë të gjatë larg familjeve për të arritur qëllimet që ia kishin vënë vetes.
E fatin e njëjtë e kishte edhe Lirim Kastrati, i cili në moshën 15 vjeçare u largua nga familja me dëshirën dhe ëndrrën për t’u bërë futbollist profesionist, shkruan Periskopi.

Ai më parë kishte rrëfyer shumçka rreth karrierës së tij si dhe ka treguar vështirësitë që kishte kur u largua nga familja në moshën 15 vjeçare.
“Ka qenë shumë e vështirë pasi në moshën 15 vjeçare jam larguar nga familja, kam jetuar në Shqipëri rreth 2 vite e gjysmë pa familje dhe tani jetoj në Zagreb që 2 vjet, edhe atje pa familje është shumë vështirë, por kur e ke një synim për të arritur dicka është më e lehtë,” ka thënë Kastrati në një intervistë për Radio Prishtinën.
Ai gjatë periudhës sa ishte në Shqipëri kishte qëndruar në një konviktë si dhe kishte përfunduar shkollimin atje.
Si arriti që nga Shqipëria të transferohej te Lokomotiva e Zagrebit?
Shkëndija kishte një ndeshje miqësore me Dritën e Gjilanit dhe në atë takim Lirimi kishte shënuar hat-trik dhe videon me golat e kishte vendosur në youtube, ku më pas kishin ardhur oferta të ndryshme nga shumë meanxherë të futbollit.
20 vjeçari i kishte bindur drejtuesit e Lokomotivës që të nënshkruanin me të pas vetëm një seance stërvitore.

“Kemi pas një ndeshje miqësore, Shkëndija me Dritën dhe pastaj kam bërë një video kam shënuar 3 gola dhe kam nxjerrë atë video në Youtube dhe më pas më kanë kontaktuar shumë menaxhera. Më pas kam shkuar në Lokomotivë të Zagrebit ku pas vetëm një ditë stërvitje kam nënshkruar kontratë.
E sa i përket Kombëtareve për 20 vjeçarin kishin shfaqur interesim Kosova, Shqipëria dhe Kroacia, madje këta të fundit ishin të gatshëm që t’ia ofronin nënshtetësinë kur e panë formën fantastike që po e kalonte me Lokomitvën e Zagrebit.
Kastrati tregon edhe momentin se si e largoi Shqipëria atë kur ai ishte i grumbulluar me U-17.
“Kam pasur oferta nga Shqipëria pasi kam qenë edhe te U-17, kam qenë vetëm 10 ditë në grumbullim dhe kur ka ardh dita e ndeshjes ata më pas më kanë larguar, vetëm ata e dinë arsyen pse,” shtoi Kastrati.
Ylli i Dardanëve ka thënë se ka zgjedhur ta përfaqësojë Kombëtaren e Kosovës pa menduar dy herë pasi Kosova është vendlindja e tij.
“Kam pas ofertë edhe nga Kroacia ku më është ofruar edhe nënshtetësia, por nuk kam menduar dy herë dhe unë kam vendosur për Kosovën, kjo është vendlindja ime, e babait tim, e nënës time, dhe kjo është arsyeja pse kam zgjedhur Kosovën.

“Ka qenë ëndërr për mua që të debutoj me Kosovën, është një ndjenjë shumë e mirë.
“Për Kosovën gjithmonë do të jem i gatshëm, pa marrë parasysh a marrë ftesë vazhdimisht apo jo, unë nuk do të dëshprohem kurrë, do ta pres mundësinë dhe do ta tregoj veten.
Ai gjithashtu ka edhe një këshillë për të rinjtë që ëndërrojnë të bëhen futbollist në të ardhmen.
Lirimi merr shembull veten e tij ku tregon se si ka arritur që nga Hogoshti të shkojë në Zagreb.
Ylli i Lokomotivës së Zagrebit ka treguar se në kohën kur stërvitej te shkolla e Arsenalit në Prishtinë ka udhëtuar nga 5 orë në ditë me autobus vetëm që t’i përfundonte seancat stërvitore.
“Kur kam mujt unë nga Hogoshti me depërtu në Zagreb këta nga Prishtina e kanë edhe më lehtë.
“Kur kam qenë pjesë e Arsenalit unë çdo ditë kam bërë 5 orë me autobus rrugë nga Hogoshti deri në Prishtinë vetëm nga vullneti i madh që kam pasur për të bërë stërvitje, tash të rinjtë e kanë 5 minuta afër fushën dhe nuk dëshirojnë me shku në stërvitje, ata duhet t’ia lënë vetit një synim dhe të punojnë për një qëllim. Nuk bën me u dorëzu,” përfundoi Kastrati.
E për Lirimin fjalë të mëdha ka edhe Ardian Kozniku, i cili është i bindur se një ditë e gjithë Evropa do të flas për yllin me prejardhje nga Hogoshti.

“Lirim Kastrati është një diamant, ishalla vetëm i punon shneta, ju garantoj se këtë djalë të shkëlqyeshëm do ta njoh e gjithë bota,” kishte thënë kohë më parë Kozniku.
Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës ka shënuar 7 gola me Lokomotivën e Zagrebit, derisa në verë ka paralajmëruar se do të largohet nga Kroacia për të vazhduar karrierën në Bundesligën gjermane. Ai është i grumbulluar me Kosovën për dy ndeshjet e marsit që Dardanët do t’i luajnë kundër Danimarkës dhe Bullgarisë në Fadil Vokrri. /PERISKOPI/



