Kosova peshon 12 milionë më shumë në pazar se sa Bullgaria
Kosova do ta ketë përballë Bullgarinë në ndeshjen e parë për kualifikimet e Evropianit 2020, që mbahet në 12 qytete të ndryshme.
‘Dardanët’ nuk do ta kenë të lehtë ndeshjen, ku si kundërshtarë do ta kenë një kombëtare mjaft me përvojë si Bullgaria, me ndeshjen që zhvillohet nesër nga ora 20:45.
Por edhe pse janë me përvojë më të madhe, ekipi i Hubchev nuk janë aspak favorit përballë një Kosove që deri tani veç ka befasuar, shkruan Periskopi.

Kosova është përpara Bullgarisë edhe në vlerën e lojtarëve, pavarësisht se ka diferencë të madhe në ranglistën e FIFA-së.
Bullgarët renditen në pozitën e 46-të, ndërsa Kosova në të 131-ten.
Mysafirët kanë një skuadër e cila ka moshë mesatare 28.1 vjet, ndërsa vlera e tyre është 27.92 milionë euro.
Kiril Despodov vlerësohet si lojtari më i shtrenjtë i këtij ekipi, i cili nuk do të paraqitet ndaj Kosovës për arsye dëmtimi. Sulmuesi luan te Cagliari dhe vlen në tregun e transferimeve 2.7 milionë euro.
Në anën tjetër, Kosova ka vlerë dukshëm më të madhe se kundërshtari. Ekipi i Challandes vlen 40 milionë euro dhe ka moshën mesatare 24.2 vjet.
Në mungesë të Valon Berishës, lojtari më i shtrenjtë te Kosova mbetet Milot Rashica me 6.3 milionë euro. /PERISKOPI/



