Superylli pedofil anglez lirohet nga burgu, legjenda thotë se do ta merrte në ekip
Babai i ish yllit të kombëtares angleze Adam Johnson ka deklaruar se ishte mirë ta kishte të birin në shtëpi pas lirimit të tij nga burgu.
Ish ylli i Middlesbrough-t, Manchester Cityt dhe Sunderlandit ishte dënuar me 6 vjet burg në vitin 2016 pasi kishte kryer marrëdhënie seksuale me një fanse 15 vjeçare, përcjell Periskopi nga BBC.
Babai i tij, Dave, foli me reporterët jashtë shtëpisë së tij.
Johnson kishte luajtur për kombëtaren angleze 12 herë, u lirua këtë fundjavë. Christopher Stacey, drejtori i një organizate bamirëse për njerëzit që vuajnë dënimet, tha që Adam Johnsonit duhet t’i lejohet që të vazhdojë karrierën e tij si futbollist.
“Njerëzit lirohen nga burgu çdo ditë dhe përballen me vështirësi në gjetjen e një pune. Është veçanërisht e vështirë për njerëzit e dënuar për abuzim seksual. Fascinimi i mediave me Adam Johnsonin flet më pak për të dhe krimin e tij se sa për ne si shoqëri. A duam ne që njerëz të dënohen përgjithmonë?” shtoi Stacey.
Anësori që kishte pagë marramendëse ishte deklaruar i fajshëm që në ditën e parë të gjykimit të tij. Sunderlandi ia kishte ndërprerë kontratën që i jepte 60 mijë funte në javë menjëherë.
Ndërkohë ka reaguar legjenda Gordon Strachan që ka thënë se po të ishte menaxher do ta merrte Johnsonin në skuadrën e tij. Mbetet të shihet nëse ai do të gjejë një klub këto javë, me Hartlepool që ka shprehur interesim. /Periskopi



