Kush është Florent Muslija – Ylli nga Bundesliga që mund ta veshë fanellën e Kombëtares së Kosovës?
Florent Muslija është emri i ri i lidhur me Kombëtaren e Kosovës
Florent Muslija ka lindur Achern të Gjermanisë, derisa luan për Hannoverin në Bundesligë, raporton Periskopi.
20 vjeçari gjithashtu është pjesë e Kombëtares U-20 të Gjermanisë, ku deri tani ka realizuar tre paraqitje dhe ka shënuar një gol.
Florenti hapat e parë në futboll i ka marrë te Sv Sasbach në vitin 2007 para se të kalonte në Karlsruhrer në vitin 2013 ku ishte pjesë e grupmoshave U-17, U-19 si dhe pjesë e ekipit A, përcjellë Periskopi.
Për mesfushorin me tipare sulmuese sezoni 2017/18 me Karlsruhren ishte shumë pozitiv gjë që bëri që shumë klube në Gjermani të interesohen për të, derisa Hannoveri përfitoi shërbimet e tij.
Hannoveri e transferoi Muslijën vetëm në ditën e fundit të afatit kalimtar, më 31 gusht të vitit 2018. Klubi nga Bundesliga pagoi 2 milionë euro për 20 vjeçarin me prejardhje nga Kosova.
Muslija luan në pozitën e mesfushorit ofanzivë derisa këtë edicion ka realizuar 13 paraqitje në Bundesligë ku ka shënuar edhe dy gola.
Ditëve të fundit ai është takuar me Fehmi Kongjelin, i cili është përfaqësues i FFK-së për Gjermani dhe një njeri shumë i afërt me Federatën Gjermane të Futbollit.

Muslija dhe Kongjeli drekuan së bashku në një restaurant të një shqiptari në Gjermani ku shijuan edhe ushqimin tradicional, flijën.
Gjatë kësaj dreke është diskutuar për mundësitë që Muslija në të ardhmen ta veshë fanellën e Kombëtares së Kosovës, ani pse aktualisht ai është pjesë e skuadrës U-20 të Gjermanisë.

Disa media vendore kanë raportuar se Florenti do të mund t’i bashkohet Kosovës për ndeshjet e rëndësishme të play-offit të Ligës së Kombeve, por nga ana e lojtarit akoma nuk është konfirmuar asgjë.
Në rast se Muslija do të zgjedh të përfaqësojë Dardanët atëherë Bernard Challandes do të kishte një tjetër opsion të mirë për mesfushë, pasi cilësitë e 20 vjeçarit as që diskutohen. Ai shumë shpejt e gjeti veten te Hannoveri dhe ka treguar paraqitje të mira në një kampionat si Bundesliga. /PERISKOPI/



