Feronikeli fiton sërish në fund ndaj Ballkanit, një hap më afër titullit
Ka përfunduar në mënyrë dramatike dueli ndërmjet Feronikelit e Ballkanit, i zhvilluar në Drenas.
Skuadra lidere e IPKO Superligës, Feronikeli, ka fituar me golin e shënuar në çastet e fundit.
Në pjesën e parë (30′), Jetmir Topalli i Ballkanit realizoi pas një topi të devijuar, por gjyqtari anësor Bujar Selimaj e anuloi golin për pozitë jashtë loje.
Me rezultat të barabartë 0:0, të dyja skuadrat shkuan në pushim të pjesës së parë.
Kur po dukej se ndeshja do të përfundonte pa gola dhe pa fitues, skuadra e drejtuar nga Zekirija Ramadani kaloi në epërsi në minutat e fundit të ndeshjes.
Në minutën e 90-të të ndeshjes, qendërmbrojtësi i Ballkanit, Dardan Jashari në tentim për ta larguar topin e gjuajti atë në portën e tij, për t’i dhënë epërsinë Feronikelit 1:0.
Feronikeli tani ka përforcuar pozitën e parë në tabelë, ku ka 59 pikë pas 25 xhirove të luajtura, kurse Ballkani ka mbetur në pozitën e tetë me 29 pikë, po aq sa ka edhe Flamurtari i një vendi më poshtë.
Ndeshja e fundit e javës së 25-të zhvillohet sot në ‘Fadil Vokrri’, ku ndjekësi i Feronikelit, Prishtina e pret Lirinë.




