Haradinaj dekoron vartësin që ‘nuk’ e njoftoi për deportimin e shtetasve turq?

Haradinaj dekoron vartësin që ‘nuk’ e njoftoi për deportimin e shtetasve turq?

Ditën kur pranoi dorëheqjen e tashmë ish-shefit të Agjencionit Kosovar të Intelegjencës (AKI) Shpend Maxhuni, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj edhe e dekoroi me “Medaljen e Skenderbeut”. Kjo dekoratë i’u dha për profesionalizëm dhe besnikëri në shërbim ndaj atdheut, ani pse asokohe Haradinaj e akuzoi atë se nuk e kishte njoftuar lidhur me këtë operacion, shkruan Periskopi.

Ky dekorim vë në dyshim sinqeritetin e Haradinajt, pasi që në kohën kur u dëbuan 6 shtetasit turq nga Kosova, ai kishte thënë se për një aksion të tillë ishte njoftuar nga një diplomat i huaj, ani pse në krye të policisë ishte Shpend Maxhuni, shkruan Periskopi.

“Gjatë zhvillimit të mbledhjes së Qeverisë (data 29 mars), kam marrë një telefonatë prej një zyrtari të huaj, pra prej një diplomati – emri nuk e kisha përmend – i cili më ka pyetur për temën në fjalë dhe më pas i kam radhitur të gjitha informatat e tjera, kronologjinë e veprimeve që i kemi ndërmarrë”, kishte thënë Haradinaj para Komisionit hetimor për këtë rast.

Megjithatë, është një dyshim nëse kryeministri Haradinaj ishte i njoftuar ose jo për këtë aksion, pasi që e kishte shfajësuar Maxhunin me arsyetimin se ai është vetëm zbatues në këtë rast.

“Ai është zbatuesi në këtë rast. Policia e ka zbatu, policia ka besu qe e ka bërë një akt heroik patriotik e në të mirë të vendit. Nuk mundemi me shku me ju thanë policisë që ata e kanë fajin”,  kishte thënë Haradinaj, përcjellë Periskopi.

Për të mos mjaftuar, muaj më vonë, Maxhuni u emërua shef i Agjencionit Kosovar për Inteligjencë (AKI), pas shkarkimit të ish-shefit Driton Gashi për shkak të këtij deportimi. Ndërkaq gjatë ditës së djeshme u dekoruar me “Medaljen e Skenderbeut”.

Gjithashtu, një raport i bërë nga Komisioni hetimor parlamentar për rastin e dëbimit të shtetasve turq kishte evidentuar se janë bërë 31 shkelje, të cilat janë bërë në ditën e 29 marsit kur u arrestuan dhe u deportuan shtetasit turq.

Raporti gjeti disa shkeljet të kryera nga Policia e Kosovës gjatë këtij operacioni për arrestimin dhe dëbimin e shtetasve turq:

– Drejtoria për Migrim dhe të Huaj (DMH), në kuadër të Policisë së Kosovës, ka nxjerrë urdhra për largimin me forcë të gjashtë shtetasve turq, pa plotësuar asnjërin prej kushteve të përcaktuara me nenin 97, par.1 të Ligjit Nr. 04/l-2019 për të huajt.

– Disa zyrtarë policorë nuk kanë informuar shtetasit turq për të drejtat e tyre për mbrojtje ligjor dhe për të kontaktuar me anëtarë të familjes. Ky mos njoftim paraqet shkelje të Kodit Nr. 04/L-123 të Procedurës Penale, neni 13, par1 dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 29 par.2 dhe 3.

– Disa zyrtarë të tjerë policorë nuk morën masa të duhura për t’i informuar shtetasit turq lidhur me të drejtat e tyre në gjuhën turke, edhe pse këta zyrtarë kishin vërejtur vetë se disa prej shtetasve turq nuk kuptonin gjuhën shqipe. Kjo paraqet shkelje të nenit 13, par1. i  Kodit të Procedurës Penale dhe neni 29, par2. Dhe 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

– Zyrtarët policorë vendosën që të lehtësohej kontrollimi kufitar në rastin e gjashtë shtetasve turq, edhe pse nuk plotësoheshin kushtet ligjore për lehtësim të tillë, të përcaktuara me nenin 16, par.1 dhe 2 të Ligjit për Kontrollin e Kufirit Shtetëror.

Të gjashtë shtetasit turq u arrestuan dhe u dëbuan me një aeroplan të Shërbimit të Inteligjencës Turke më datë 29 mars të vitit të kaluar vetëm pak orë pasi u arrestuan nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI).

Tanimë, një gjykatë turke ka dënuar me burg 2 prej 6 shtetasve turq, të deportuar nga Kosova. Osman Karakaya dhe Cihan Ozkan janë dënuar me nga 7 vjet e gjashtë muaj burgim. Ata akuzoheshin se i përkisnin organizatës së hoxhës Fetullah Gulen, e cila nga Turqia është shpallur terroriste.

Kujtojmë që dy institucionet e sigurisë të drejtuara nga Shpend Maxhuni, Policia e Kosovës dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, u përfshin në skandale të mëdha. Vlen të përmendet vjedhja e 25,3 kilogramë ari në dhomën e dëshmive në Pejë dhe vrasja vitin e kaluar brenda mjediseve të AKI-së, ku një zyrtar i sigurimit të brendshëm vrau një punonjës të bufesë./Periskopi/

Shpërndaje në: