Abdixhiku: Qeveria ka ngulfatur sektorin privat

Abdixhiku: Qeveria ka ngulfatur sektorin privat

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia që ai udhëheq është një parti që zhvillimin ekonomik e ka fokus të parë.

“Sektori i ‘agrikulturës, pyjeve dhe peshkatarisë’ merr pjesë me 7% të Bruto Prodhimit Vendor në Kosovë. “Grumbullimi dhe përpunimi i ushqimit mbetet një sektor që meriton të zhvillohet tutje dhe do të sjellë vlerë të shtuar në vendin tonë. Ne shohim shumë potencial nga kompanitë si Joni-SH, që ofrojnë produkte natyrale dhe bio, që janë tepër të kërkuara në tregjet ndërkombëtare. Ky sektor punëson drejtpërdrejtë mbi 10,000 punëtorë, dhe ky numër shkon në 50,000 kur llogaritet i gjithë zinxhiri, duke përfshirë edhe fermerët që ofrojnë produktet e tyre bazë. Ky sektor, në përgjithësi punëson më shumë gra, rreth 62%. Pra ndihma ndaj këtij sektori është ndihmë për gratë në Kosovë” – tha Kryetari Lumir Abdixhiku gjatë vizitës në kompaninë JONI-SH, që merret me grumbullimin, përpunimin dhe prodhimin e frutave të imëta.

Abdixhiku gjithashtu përmendi që LDK-ja ka një plan 10-pikësh për përballimin e krizës së energjisë elektrike.

“Bizneset në Kosovë kanë nevojë për përkrahje jo për burokraci. LDK do të reduktojë burokracinë për biznese, në mënyrë që të zhvillohen pa pengesa nga shteti. Programi ynë parasheh që ndihmojë ato kompani që kanë nevojë për të arritur standardet e kërkuara të cilësisë që kanë potencial për eksport. Qeveria aktuale ka ngulfatur bizneset dhe nuk ka ofruar përkrahje për to”, ka thënë Abdixhiku.

Shpërndaje në: