Alarmon Ministria e Arsimit: Për 4 ditë, gati 400 mësues të infektuar

Alarmon Ministria e Arsimit: Për 4 ditë, gati 400 mësues të infektuar

Kosova javëve të fundit është në një situatë më të rënduar me raste të reja të infektimeve nga Covid-19.

Rritja e rasteve ka ndikuar edhe në procesin arsimor, ku vetëm për katër ditë janë infektuar gati 400 mësimdhënës.

Kështu kanë bërë të ditur për Periskopin, zëdhënësja e MASh, Diellza Kukaj.

Kukaj ka thënë se nga 16 nëntori deri me datë 20 janë infektuar 379 mësimdhënës, 225 nxënës dhe 47 janë nga personeli i shkollave.

“Nga raporti i fundit i inspektoratit të arsimit për mësimdhënësit, nxënësit dhe personelin e infektuar në shkolla, për periudhen 16.11.2020 – 20.11.2020 në gjithë komunat e Republikës së Kosovës kemi këto të dhëna:

379 mësimdhënës të infektuar dhe 149 të shëruar,
47 personel të infektuar dhe 21 të shëruar,
225 nxënës të infektuar dhe 64 të shëruar”, kanë thënë nga MASh.

Po ashtu, Ministria e Arsimit ka treguar se shkollat po i respektojnë udhëzime e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të IKSHPK’së edhe pse numri i mësimdhënësve është i lartë.

“Deri me tani shkollat po i respektojnë udhëzimet e MASH, MSH, dhe IKSHPK. Përkatësisht, po operojnë bazuar në udhëzuesin e përgjithshëm të MASh për organizimin e mësimit në kushte pandemie, dhe protokolin e reagimit ndaj pandemisë covid19. Shkollat nuk po mbyllen, por mësimi po organizohet konform udhëzuesit të përgjithshëm sipas tre skenarëve bazuar në gjendjen me virus. Mësimi online dhe aj nga distancë janë në dispozicion për nxënësit të cilët aktualisht po mbajnë mësimin sipas skenarit C dhe atij të kombinuar B. Deri në ndonjë vendim tjetër të Qeverisë, Ministria e Arsimit ka paraparë organizimin e mësimit sipas udhëzuesit të përgjithshëm të hartuar nga MASh, udhëzuesit të përgjithshëm për organizimin e mësimit në kushte pandemie dhe protokolit të reagimit ndaj covid 19, së bashku me të gjitha dokumentet tjera.”, ka thënë ajo./Periskopi/

Shpërndaje në: