Ambasadori amerikan kërkon njohje të ndërsjellë Kosovë-Serbi: Do të punoj për këtë

Periskopi.com Lajme

Ambasadori amerikan në Kosovë Jeff Hovenier thotë se për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë është njohja e ndërsjellë në mes të dy vendeve. Thotë se do të ndihmojnë në këtë proces.

“Dhe po, mund ta merrni ardhjen time këtu si indikator shtesë për interesimin e SHBA’së për t’iu ndihmuar partnerëve tanë në Kosovë dhe për t’u ndihmuar autoriteteve në Serbi për të arritur një marrëveshje për normalizim”, tha Hovenier.

Por çfarë do të thotë ky normalizim?

“SHBA beson se kjo duhet të jetë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për të qëndruar në njohjen e ndërsjellë. Unë do të punojë për këtë. Mendoj se mund të shihni shenja që dhe partnerët tanë europianë po bëjnë çdo përpjekje në këtë dialog të lehtësuar nga BE’ja për të arritur këtë përparim”, theksoi ambasadori për RTK’në.

Në qëndrimin amerikan, ambasadori thotë se s’ka ndryshuar asgjë sa i përket Kosovës.

“Sovraniteti i Kosovës, integriteti territorial i Kosovës, këto çështje nuk janë në pyetje. Ato janë të vendosura. Do të thosha që këto janë fakte historike. Kosova është shtet i pavarur”, tha ai.

Diplomati amerikan, thotë se i kupton edhe kundërshtarët e pavarësisë, por realiteti, thotë se është i pa kthyeshëm.

“Kosova është shtet sovran. Disa njerëz  mund të zgjedhin ta kundërshtojnë ëktë por kështu është dhe njerëzit mund të debatojnë sa të duan por realiteti e faktet në terren flasin vetë. Për SHBA’në fokusi i dialogut pavarësisht vështirësive mbetet i qartë. Sfida në dialog është që të arrihet një aranzhim i tillë që të arrihet ky normalizim. Kjo marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve dhe siç e thash, nga pikëpamja e SHBA’së, duhet të qëndrohet në njohjen e ndërsjellë”, tha ambasadori.

Se politika amerikane ka vijimësi pavarësisht se në pushtet janë republikanët apo demokratët e konfirmon edhe ambasadori amerikan. Kjo bëhet e qartë kur flet për marrëveshjen e Uashingtonit të ndërmjetësuar nga ish-presidenti Donald Trump e të nënshkruar në mes të kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuciq.

“Kjo administratë vazhdon të ketë qëndrimin se zotimet e Uashingtonit ishin zotime të rëndësishme dhe presim që autoritetet në Prishtinë dhe Beograd t’i zbatojnë ato sa më shumë që munden”, tha Hovenier.