Analist Kajtazi: Policia e ka obligim t’i lirojë rrugët në veri nga protestuesit, Qeveria Kurti po e ndalon

Analist Kajtazi: Policia e ka obligim t’i lirojë rrugët në veri nga protestuesit, Qeveria Kurti po e ndalon

Analisti i mirënjohur politik, Vehbi Kajtazi, ka folur në emisionin Debat Plus për krizën në veri të vendit duke shprehur skepticizëm për mënyrën se si është shpalosur e gjithë situata.

“Data 15 shtator ka qenë e ditur qëmoti. Qeveria është dashur fillimisht të ushtronte presion publik. Të alarmohej edhe komuniteti ndërkombëtar. Të dilej publikisht dhe të flitej për këtë çështje. Jo të diskutohej për arkivat e UÇK-së.” – u shpreh fillimisht analisti.

Çështja që ka nxitur analistët, ka qenë edhe mënyra se si do të shkohej tutje për rastin.

“Ky vendim është legjitim. Por, legjitimiteti duhet të përshtatet me rrethana. Jo gjithmonë ke të drejtë kur rrethanat s’të japin. Situata në veri nuk na japin gjithmonë të drejtë. Veriu është i pakontrollueshëm për neve. Qysh kontrollohet: me një marrëveshje politike me Serbinë. A e kemi urën e Ibrit? Ajo është e pakalueshme.” – vazhdoi z. Kajtazi, përcjell Periskopi.

“Ka gjasa që s’ka pasë analizë fare (nga Qeveria). E kemi futë Kosovën në një krizë shumë të rëndë. Aksioni i vitit 2011-s ka ndodh për me i vendos pikat kufitare. Ka ndodh aksioni, dhe kanë ndodh dialogu, pastaj janë vendos pikat kufitare.” – përfundoi gazetari.

Ai deklaroi më tej se Policia e kishte obligim t’i lironte rrugët, por se “politika nuk e lejonte një gjë të tillë” duke vënë gishtin e fajit te Qeveria e Kosovës.

Kajtazi ka deklaruar se nëse Policia e Kosovës do t’i zhbllokonte rrugët, pasojat politike për Kosovën mund të ishin të mëdha./Periskopi

Shpërndaje në: