Arrihet ujdia, nga viti 2027 nuk do të ketë më gaz rus në BE
Shtetet e BE-së kanë miratuar një paketë tjetër sanksionesh kundër Rusisë – e 19-ta deri më tani. Edhe një herë, masat ndëshkuese synojnë kryesisht importin e burimeve energjetike ruse, të cilat synojnë të ulin të ardhurat për thesarin shtetëror dhe të luftës të Kremlinit.
Një ndalim i plotë i importeve të gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga Rusia në BE është planifikuar të hyjë në fuqi në vitin 2027, një vit më herët se sa ishte planifikuar fillimisht. Gazi rus i tubacioneve dhe gazi natyror i lëngshëm përbënin rreth 19 përqind të importeve të gazit nga 27 shtetet anëtare të BE-së vitin e kaluar. Masa të tjera parashikojnë sektorin financiar dhe tregtar, kufizimin e lëvizjes së diplomatëve. Banka të tjera ruse nuk do të kenë qasje në tregjet e kapitalit të BE, përcjell Periskopi.
Merz optimist për përdorimin e aseteve të ngrira ruse
“Sanksionet prekin ekonominë ruse”
Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, shprehu bindjen e saj në lidhje me efektivitetin e sanksioneve. Ajo tha, se duke synuar sektorin e gazit të Rusisë, BE po godiste në zemër të ekonomisë ruse të luftës.
Ministri i Jashtëm danez Lars Løkke Rasmussen e quajti gjithashtu marrëveshjen për sanksione të mëtejshme një ditë të mirë për Evropën dhe për Ukrainën. “Sanksionet po kanë ndikim dhe po godasin ekonominë ruse. Rusia po përpiqet gjithnjë e më shumë të financojë luftën e saj të paligjshme të agresionit kundër Ukrainës”, theksoi ai. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili po merr pjesë personalisht në samitin e BE-së në Bruksel, i përshkroi sanksionet e reja të BE-së si “thelbësore” në luftën e vendit të tij kundër Rusisë./ DW



