Arsimtarët në Mitrovicë kërkojnë pagat për shtatë muaj

Arsimtarët në Mitrovicë kërkojnë pagat për shtatë muaj

Të martën, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, është bërë administrimi i provave si dhe janë dhënë fjala hyrëse dhe përfundimtare në çështjen civile për kompensimin e pagave, të cilat paditësi Behram Haliti, po pretendon se nuk i janë paguar nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Mitrovicës.

Paditësi Behram Haliti, po kërkon kompensimin e pagave për shtatë muaj e njëmbëdhjetë ditë, pasi që ai kishte punuar në pozitën e mësimdhënësit të lëndës Solfezhos, e cila pozitë në zëvendësim, në shkollën e muzikës, “Tefta Tashko” në Mitrovicë, në kohëzgjatje prej 4 shtator 2017, deri më 15 prill 2018.

Në fjalën hyrëse, i autorizuari i paditësit avokati Berat Peci, ka thënë se mbesin në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë, duke shtuar se bëjnë precizimin e kërkesëpadisë ashtu që sa i përket lartësisë së pagës të paraparë me kontratë, e cila ka qenë në vlerë prej 405 euro, siç tha ai është bërë një gabim gjatë përpilimit të kontratës ashtu që lartësia e saktë e pagesës duhet të jetë 220 euro.

Avokati Peci, ka precizuar edhe vlerën për këtë kompensim, e cila siç tha ai, për shtatë muaj e njëmbëdhjetë ditë është 1.600.00 euro, duke i propozuar gjykatës që të njëjtën ta aprovojë si të bazuar.
Ndërkaq, përfaqësuesi i të paditurës, avokati publik komunal Avdi Muzliuakaj, në fjalën e tij hyrëse ka thënë se e kundërshtonte padinë dhe kërkesëpadinë fillestare ndaj të cilës edhe ishte me vërejtje të mëdha, mirëpo me precizimin e padisë nga ana e palës paditëse, sipas tij, është qartësuar se paditësi ka punuar me kontratë tek e paditura, dhe se paga e tij duhet të cilësohet ashtu si në propozimin e padisë gjatë seancës, si pagë dytësore.

Pas administrimit të provave dhe fjalës përfundimtare me ç ‘rast palët deklaruan se mbesin si në fjalën hyrëse, gjykatësi i rastit Skender Shala, ka konstatuar se shqyrtimi i kësaj padie ka përfunduar./Periskopi/

Shpërndaje në: