Avokati i Gucatit lexon transkriptin e intervistës së ZPS-së me personin që u tha se iu pa vetura tek OVL-ja kur u dorëzuan dokumentet

Avokati i Gucatit lexon transkriptin e intervistës së ZPS-së me personin që u tha se iu pa vetura tek OVL-ja kur u dorëzuan dokumentet

Gjatë seancës të së enjtes, avokati i Hysni Gucatit ka lexuar transkriptin e intervistës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) me personin, targat e veturës të së cilit u panë pranë OVL-UÇK kur u dorëzuan dokumentet.

Pra, dëshmia e dëshmitares Zenka Pumper, të enjten ka vazhduar aty ku ka mbetur ditën e mërkurë, në diskutimin për numrin e indeksit të veturës të lidhur me personin që sipas mbrojtjes i ka lënë dokumentet.

Gjatë leximit të transkriptit, Avokati Reese, ka bërë të ditur se ky person i intervistuar nga ZPS ka konfirmuar se është pronar i automjetit dhe e ka nga shkurti i vitit 2020, e se targat i ka ndryshuar kur e ka blerë veturën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, ai duke lexuar transkriptin bëri të ditur, se ky person kishte thënë se 90% të kohës e përdor automjetin, ndërkaq rrallë herë e përdorin bashkëshortja ose babai.

“Pastaj pason me pasus të shkurtër kur e flasin a punon nga shtëpia a zyra e thotë se është kthyer në zyre. Pastaj prokurori i thotë se kemi informacionin e automjetit dhe targën që është parë në afërsi të OVL UÇK me 16 shtator 2020 dhe pastaj ndihmës prokurori thotë a e dini çka është OVL UÇK dhe ai thotë jo, pastaj a keni qenë në zyre të OVL UÇK- përgjigje jo. pra për tu treguar më mirë i thotë prokurori dhe i jep adresën e OVL UÇK në Prishtinë dhe e pyet a e njeh këtë adresë, ai thotë jo”, lexoi avokati Reese.

Tutje, ai tha se dëshmitari ka konfirmuar se ka dëgjuar në lajme për dokumentet e dërguara në OVL-UÇK, e se ka mohuar se ka informacion se kush i ka dërguar dokumentet dhe kush mund të jetë i përfshirë.

“Pastaj, a ju kujtohet mbase ja keni dhënë dikujt automjetin atë ditë me 16 shtator apo rreth kësaj date, ai thotë jo s’ja kam dhënë askujt automjetin. A e njeh dikë që punon apo ka lidhje me OVL -UÇK, thotë jo. A e njeh Nasim Haradinaj e Hysni Gucati e Faton Klinaku? Jo. Nuk kemi pyetje të tjera për ju sot”, lexoi avokati.

Ai ka pyetur dëshmitaren nëse i është kërkuar të bëj hetime të tjera për kredibilitetin e këtij individi.

Kurse, e njëjta ka thënë se këtë intervistë nuk e ka parë dhe nuk i është kërkuar të bëj hetim për këtë çështje e se nuk ka ide nëse i është ngarkuar kjo punë dikujt tjetër.

Paraprakisht, para leximit të transkriptit dhe pyetjeve që pasuan pas këtij leximi, avokati i Gucatit ka prezantuar një dokument, ku e ka pyetur se a i sheh targat dhe emrin e personit që ka veturën, e dëshmitarja e konfirmoi këtë.

Sipas avokatit, ky person është ftuar me vonesë nga prokuroria për të biseduar për këtë dhe se biseda ka ndodhur më 18 dhjetor.

“A jeni në dijeni se më 18 dhjetor një koleg tjetër i juaji ka vënë re që kur ky person erdhi të bisedonte me ZPS në vendndodhjen automjeti që ngiste ishte me të njëjtën, këtë, targë që ka vënë në dispozicion Gucati”, ka pyetur avokati, kurse dëshmitarja mohoi se ka dijeni për këtë.

Ajo mohoi se ka dijeni edhe lidhur me atë që avokati thoshte se punonjësi i ZPS-së vuri re që ky individ kishte të njëjtën pamje që ishte përshkruar.

Por, ajo konfirmoi se është në dijeni që u intervistua ky person me 18 dhjetor e që i kujtohet që një kolegë ia ka përmendur kalimthi.

“Ky kolegë nuk ua përmendi që individi që erdhi për intervistë atë ditë ngiste një automjet që përputhej me përshkrimin dhe targën dhe pamjet e personit që ishte parë në filmimet që ka bërë gazetari”, ka pyetur avokati sërish, kurse dëshmitarja mohoi këtë.

Dëshmitarja Pumper ka thënë se nuk ka luajtur ndonjë rol në koordinim të këtij hetimi, me përjashtim të kontrollimit në seli të OVL-UÇK dhe shqyrtimit të paketave.

“Më kanë thënë se koordinimin ka pasur zv.prokurori i specializuar, ai me prokurorin e specializuar”, ka thënë ajo, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shpërndaje në: