Në Serbi po fërkonjë duart për akuzat ndaj Thaçit dhe Veselit duke diskredituar Kosovën dhe UÇK-në

Periskopi.com Intervista

Avokati amerikan me prejardhje kroate, Luka Mishetiq, thotë se bërja publike aktakuzës kundër presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, para se të konfirmohet nga gjykatësi hetues, është shkelje e të drejtës penale ndërkombëtare dhe e rregullave të vet Gjykatës. Duke folur nga Çikago ekskluzivisht për televizionin Klan Maqedoni, avokati Mishetiq që në Gjykatën e Hagës ishte mbrotjtës i gjeneralit kroat Ante Gotovina, tha se publikimi i aktakuzës, në prag të takimit të nivelit të lartë Kosovë-Serbi, në Uashtington, i ka shkaktuar dëm jo vetëm zotit Thaçi, por gjithë procesit të paqes që duhej të zhvillohej në Shtëpinë e Bardhë. Me zotin Mishetiq bisedoi Seladin Xhezairi dhe fillimisht e pyeti se si i shikonte debatet që pasuan njoftimin për aktakuzën ndaj zotërinjve Thaçi e Veseli:

Avokati Mishetiq: Duhet thënë se aktakuza nuk është konfirmuar. Pra, zoti Thaçi dhe zoti Veseli, ende nuk janë nën akuzë për shkak se gjykatësi hetues ende nuk e ka konfirmuar aktakuzën. Sa më kujtohet, në punën 25 vjeçare të Tribunalit të Hagës nuk ka ndodhur kurrë që një aktakuzë që nuk është konfirmuar të jetë bërë publike para se të verifikohet. Dhe, për këtë ka edhe arsye: pra, secili i dyshuar ka të drejta dhe atë nuk mund ta diskreditoni në publik për shkak se në rast se aktakuza kundër tij hidhet poshtë, para se ajo të jetë konfirmuar, atij i shkaktohet dëm i madh. Kjo është një. E dyta, publikimi në këtë mënyrë, në njëfarë mënyre ndikon psikikisht mbi gjykatësin hetues, për shkak se tash e gjithë bota po shikon se çfarë do të bëjë ai, dhe edhe në rastëse e hedh poshtë aktakuzën, kjo ka për të qenë publike dhe do të ketë polemikë publike lidhur me këtë. Konsideroj se ky është një precedent në të drejtën penale ndërkombëtare, sepse, po përsëris, nuk më kujtohet që një gjë e tillë të ketë ndodhur më parë: Të publikohet akzakuza para konfirmimit! Çështja tjetër është se unë konsideroj se, sipas rregullave të Gjykatës, kjo procedurë është dashur të jetë e fshehtë, në konfidencë, dhe çmoj se prokurori me këtë rast nuk ka vepruar si duhet, për shkak se është dashur të kërkojë lejen e gjykatësit hetues nëse ka dëshiruar të bëjë publike se ka ngritur aktakuza kundër zoti Thaçi dhe kundër zotit Veseli.

Lidhur me këtë çështje ju keni polemizuar edhe me diplomatin Karl Bildt duke pohuar se dorëheqje nuk duhet të ofrojë zoti Thaç, por prokurori!

Avokati Mishetiq: Kam folur vetëm vetëm në rast se gjykatësi hetues hedh poshtë aktakuzën. Zoti Bildt tha se edhe në atë rast zoti Thaçi duhet të japë dorëheqje për shkak se gjoja nuk mund të veprojë për shkak se megjithatë prokurori ka paraqitur ato akuza kundër tij dhe pohonte se edhe nëse gjykatësi hetues hedh poshtë aktakuzën – zoti Thaçi duhet të japë dorëheqje. Qëndrimi im ka qenë: Nëse akzakuza refuzohet, zoti Thaçi nuk duhet të japë dorëheqje, por këtë duhet ta bëj zoti Smith, pra kryeprokurori duhet të japë dorëheqje, sepse ka paraqitur aktakuzën që nuk është konfirmuar, e ka nxjerrë këtë në publik dhe i ka shkaktuar dëm jo vetëm zotit Thaçi por gjithë procesit të paqes që duhej të zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë. E ka bërë gjithë këtë dhe në fund aktakuza nuk i është konfirmuar. Domethënë, nëse kjo ndodhë dhe kjo është në pikëpyetje, nëse kjo ndodhë, atëherë çmoj se kryeprokurori nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveç se të japë dorëheqje.

Ndërkohë, po për këto dilema, zyrtari për media i Dhomës së Specializuar Majkël Dojl, ka pohuar se me publikimin e aktakuzës nuk është shkelur procedura e parashikuar për zgjidhjen e rastit të aktakakuzës. Keni koment për këtë?

Avokati Mishetiq: Shkurt, vetëm mund të them se nuk pajtohem me zotin Dojl. Pra, sipas rregullave të Gjykatës, jo vetëm aktakuza, por edhe informacionet që i janë dhënë gjykatësit hetues, duhet të mbeten sekrete. Pa miratimin e gjykatësit ato nuk mund të publikohen. Këtu është e qartë se informacionet të cilat i janë dorëzuar gjykatësit – janë publikuar. Infomacionet si ‘i akuzuari për vrasjen e mëse 100 njerëzve, për krime kundër njerëzimit, për krime lufte’ e kështu me radhë. Konsideroj se në një situatë të këtillë është e qartë, sipas dispozitave  të Gjykatës, se rregullat janë shkelur dhe se nëse prokurori ka dashur dhe ka çmuar se ka arsye të bëj publike këtë, është dashur të kërkojë lejen e gjykatësit për t’i publikuar e jo që këtë ta bëjë kokë më vete. Prandaj konsideroj se këtu ka shjkelje të rregullave të Gjykatës dhe si ka për të reaguar Gjykata ndaj kësaj dhe nëse Gjykata e shikon këtë sikurse unë – këtë duhet pritur për ta parë.

Para publikimit të aktakuzës, sikurse e thatë dhe Ju, ishte paralajmëruar takim i nivelit të lartë që tashmë u analua në Shtëpinë e Bardhë, mes presidentit Thaçi nga pala kosovare dhe pales serbe. Më duket se edhe ju bëni pjesë ndër ata të cilët duke komentuar këtë ndodhi thonë se ky është një sabotim politik. Çfarë mund të thoni zoti Mishetiq?

Avokati Mishetiq: Këtu nuk shikoj ndonjë shpjegim tjetër për atë që ndodhi. Pra, zoti Thaçi në rrugë për në Uashington ose për në Shtëpinë e Bardhë, mëson informacionin se prokurori ka paraqitur aktakuzën, jo se është akuzuar, por se ka ngritur aktakuzën dhe, një gjë e këtillë nuk ka ndodhur, sa e di unë në punën 25 vjeçare të Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Nuk shikoj ndonjë arsye pse prokurori veproi kështu, në fakt krijoi një precedent në të drejtën penale ndërkombëtare, përveç se ka dëshiruar të pengojë mbledhjen në Shtëpinë e Bardhë. Me këtë tani u hap për akuzat se po përzihet në procesin politik, pa lejen e Gjykatës. Unë nuk e di se cilat janë motivet e tij që të ndërhyjë në procesin politik, por çmoj se është shkaktuar një dëm i madh jo vetëm për këtë gjykatë të re, por përgjithësisht për të drejtën penale ndërkombëtare, sepse e drejta penale ndërkombëtare po akuzohet vazhdimisht se është nën ndikimin e politikës, ndërsa këtu për procedurën e parë të rëndësishme të Gjykatës Speciale për Kosovën, veprimi i parë është përzierja në procesin politik dhe konsideroj se ky është një startim i keq për këtë Gjykatë. Se përse është vepruar kështu, evetualisht, më mbanë shpresa se këtë do ta mësojmë personalisht nga zoti Smith.

Në rajonin e Ballkanit, problem bosht është mungesa e shtetit të së drejtës. Çfarë ka për të qenë ndikimi i këtij vendimi në betejën politike të partive të ndryshme, duke marrë parasysh se kemi zgjedhje thuajse në mbarë rajonin, ndërkohë që kërkesa kryesore e Amerikës, e Brukselit, mbetet – shteti i së drejtës?

Avokati Mishetiq: Vështirë e kam të komentoj politikën. Unë jam jurist dhe nuk mund të them se jam i specializuar për rrethanat politike në Ballkan. Mund të them në përgjithësi se, pasi prokurori në njëfarë mënyre këtu ndërhyri në një proces politik,e ky nuk është ndonjë shembull i mirë për të tjerët në botë; se duhet ndarë procesi i drejtësisë nga procesi politik, prandaj edhe them se ky është një start i keq për këtë gjykatë e se si ka për të ndikuar në proceset politike në Ballkan, fatkeqësisht nuk jam aq i specializuar për ta përcaktuar.

Nga pala shqiptare mund të dëgjohen vlerësim se nëse ndodhë gjykimi i zotërinjve Thaçi e Veseli kjo ka për të nënkuptuar praktikisht gjykimin e Kosovës, respektivisht të UÇK-së, për shkak se që të dy janë ndër themeluesit e këtij formacioni ushtarak në vitetet nëntëdhjetë. Si provë për këtë thuhet se drejtësia ndërkombëtare nuk ka kut të njëjtë kur është fjala për sanksionimin e krimeve të palës serbe në Kosovë.

Avokati Mishetiq: Së pari, kjo gjykatë duhet të gjykojë individë dhe këtë duhet theksuar. Mirëpo, është e qartë se nëse gjykoni presidentin e shtetit, nëse gjykoni themeluesit e UÇK-së, atëherë kjo ka për të pasur njëfarë efekti, ndikimi, për imazhin e UÇK-së. Nga ana tjetër, e dimë se në Serbi i fërkojnë duart, se vetëm kanë pritur një arsye shtesë për ta shfrytëzuar këtë gjatë proceseve politike për të diskredituar Kosovën dhe UÇK-në në qarqet ndërkombëtare. Pra, nuk do të thoja se gjykata si gjykatë ka këtë qëllim. Ashiqare, se këto procese mund të shfrytëzohen për qëllime politike dhe këtë nuk duhet demantuar për shkak se është e qartë se tani Serbia do ta shfrytëzojë këtë për qëllimet e veta propaganduese. Sa i përket pales tjetër, asaj që ju e quani mungesë e kutit të njëjtë edhe për palën serbe, fatkeqësisht, gjykata është ngritur në mënyrën që nuk është reale të pritet një gjë e tillë, ndonëse gjykata ka kompetenca të gjykojë edhe për krimet nga pala serbe, por për fat të keq pasi gjykata është krijuar nga sistemi i drejtësisë i Kosovës, nuk është reale të pritet që kjo gjykatë të ekstradojë dhe të mund të gjykojë edhe serbë. Pse? Për shkak se Serbia nuk e njeh Kosovën, nuk i njeh institucionet e Kosovës, nuk e njeh dhe nuk është e detyruar t’ia dorëzojë kësaj gjykate shtetasit e vet, sepse kjo nuk është gjykatë ndërkombëtare, është gjykatë e jurisprudencës kosovare, prandaj është joreale të pritet të gjykohet dikush nga pala serbe për krimet e kryera nga pala serbe, përveç se, eventualisht, nëse dikush nga pala serbe ndodhet në territorin e Kosovës, e arrestojnë dhe pastaj ia dorëzojnë kësaj gjykate.

Si avokat i gjeneralit kroat Ante Gotovina që u përballë me Gjykatën e Hagës, mund të thuhet se e njihni këtë materje që lidhet me ngjarjet nga e kaluara jonë e afërt. Çfarë epilogu prisni për çështjen e zotit Thaçi, Veseli dhe të disa të tjerëve emrat e të cilëve vazhdojnë të jenë të panjohur?

Avokati Mishetiq: Sigurisht se ata i pret një betejë e gjatë dhe e vështirë – nëse aktakuza konfirmohet. Kryesore tani është të shihet nëse aktakuza do të konfirmohet. Nëse konfirmohet, mund të them se ne në rastin e gjeneralit Gotovina kemi qenë para gjykatës shtatë vjet. Këto janë shtatë vite të gjata të një procesi të mundimshëm me ngritje dhe rënie, ndaj pres se diçka e ngjashme ka për të ndodhur edhe me këta nga pala kosovare, të të cilët eventualisht do të akuzohen nga kjo gjykatë. Më e rëndësishme është përgatitja për një gjykim të këtillë, prokurori po përgatitet dhjetë vjet dhe pres një betejë të mundimshme të drejtësisë, brenda gjykatores. Nuk mund të them se si ka për të përfunduar kjo, askush që është serioz nuk mund ta parashikojë se si ka për të përfunduar në procedurë gjyqësore, sepse nuk e dini si ka për t’u zhvilluar situata. Duhet përgatitje sa më e mirë, duhet paraqitur të gjitha provat dhe atëherë eventualisht mund të pritet ndonjë rezultat pozitiv.

A ka gjasë që t’ju shohim në rolin e avokatit mbrojtës të zotit Thaçi e Veseli, a ju kanë kontaktuar ata, apo…?

Avokati Mishetiq: Nuk jam angazhuar në asnjë procedurë. Si avokat, nëse më thërret dikush për çfarëdo procedure gjyqësore, kudoqoftë, në Amerikë ose kudoqoftë, natyrisht se do të mendohesha, por tani për tani nuk ka asnjë angazhim./Seladin Xhezairi

Shpërndaje në: