‘Betoni është komunist’: Rënia dhe ngritja e materialit utopist socialist

‘Betoni është komunist’: Rënia dhe ngritja e materialit utopist socialist

Nga planet sovjetike pesë-vjeçare, Kursi i Ri [New Deal] në ShBA, Kërcimi i Madh Përpara i Kinës te ndërtesat e pas-luftës në Evropë, betoni ka qenë lënda që zgjedhej për ndryshimet revolucionare

Nga Adrian Forty i The Guardian, e përgatitur në shqip nga Periskopi

“Ky proces,” shkruante Fransua Koinje [François Coignet] më 1861 për produktin e tij të ri, “do ta transformojë sigurinë, mirëqenien, shëndetin dhe moralin e njerëzimit.” Ai parashikoi se do të frymëzonte jo më pak se “revolucionin” – një fjalë që s’thuhej kollaj shkaku i asaj që bëri vaki më 1848 [revolucioni francez i atij viti] në Francë.

Produkti i ri i Koinje-së ishte betoni, dhe ai s’e kishte shumë gabim në parashikimet e tij – përjashto ndoshta moralitetin. Koinjeja ishte socialist shënsimonian [Saint-Simon], i cili për dallim nga Marksi, besonte që barazia sociale mund të arrihej pa luftë klasore. Ai kishte besimin se betoni do të ishte një hap përpara drejt botës në të cilën punëtorët do t’i zotëronin mjetet e prodhimit. Kudo që lëndët për betonin – zalli dhe çimentoja – ishin të mundshme, që domethënë kahmos, njerëzit pa pikë aftësie do të fuqizoheshin që të ndërtonin banesa të pastra, të thata e të rehatshme dhe do ta kishin mundësinë që të rronin me dinjitet. Jo më në kolibe fshatarësh.

Që nga vakti i Koinjesë, betoni është menduar si diçka revolucionare, por ky revolucion ka marrë tri tipare shumë të ndryshme.

I pari ka qenë ai i parashikuar nga Koinjeja, ku edhe mjetet më sipërore të ndërtimit ishin brenda mundësive të njerëzve të varfër të dynjasë. Pjesa më e madhe e prodhimit të çimentos në mbarë globin përdoret nga njerëzit pa trajnim profesional apo teknik: ndërtimtarët vetanakë dhe ndërtimtarët e banesave të vogla. Rezultatet mund të mos duken aq shumë në horizont, por nëse masim efektet sociale të betonit, më i madhi ka qenë në avancimet që solli te njerëzit e rëndomtë përmes ndërtimit joformal.

E megjithatë është vlerësuar se nëse të gjitha katet e ndërtesave në botë do të zëvendësoheshin nga betoni, sëmundjet nga parazitët do të binin për 80%. As ndërtimtarëve vetanakë nuk iu mungojnë gjithnjë shkathtësitë: arkitektët dhe inxhinierët që vizituan favelat [lagjet e varfra e të mbipopulluara në Brazil] u mahnitën nga gjenialiteti dhe ekonomia e strukturave të betonit të atyshëm. Çdokund, për ata që jetonin në varfëri, betoni nënkuptonte një hap përpara në botë – dhe për shkak të reputacionit të betonit si lëndë e “avancuar” apo “moderne”, kjo i bëri ata të ndiheshin pak më të barabartë me njerëzit më të pasur të planetit. Betoni nuk ndryshoi veç ekzistencën materiale të njerëzve. Ai ndryshoi edhe vetë-imazhin e tyre global.

Revolucioni i dytë i betonit u bë që të transformonte ndërtesat me një teknikë të re strukturore. Kjo ka mundësuar ndërtime që vetëm mund të imagjinoheshin para shekullit 20: diga, ura, tunele të lartësive që s’ishin parë kurrë ndonjëherë. Këto janë llojet e arritjeve që industria e betonit dhe çimentos pëlqen të festojë – dhe nuk ka ndonjë dyshim se këto struktura e kanë transformuar jetën e njerëzve, po ashtu, duke e kapërcyer natyrën, shpejtuar komunikimet dhe duke na sjellë më afër njëri-tjetrit. Në termet arkitekturore, betoni na solli parime të reja të dizajnit që bënë të mundura vepra të tilla si ndërtesa me vela e Shtëpisë së Operas në Sidnej [Sydney Opera Hose] apo harkun e pjatëzës së Muzeut të Arteve Bashkëkohore të Oscar Niemeyerit në Niteroi të Brazilit – vepra që shpesh janë përshkruar si revolucionare në lidhje me format që më parë kanë qenë menduar si të parealizueshme.

Por nga të gjitha karakteristikat e betonit që mund të konsiderohen revolucionare, ajo çka ka qenë më e rëndësishmja është përdorimi i saj që të sjellë ndryshim të shpejtë. Kur është bërë thirrje për transformime të menjëhershme apo edhe urgjente, qoftë për planin pesë-vjeçar në Bashkimin Sovjetik, për Kursin e Ri [New Deal] në ShBA, Kërcimin e Madh Përpara në Kinë, apo për ndërtesat e pas luftës së dytë botërore në Evropë, betoni u mor për të kryer punë.

Secili prej këtyre programeve politike kishte në qendër punën infrastrukturore në një shkallë krejtësisht të re, që shihte matanë burimeve ekzistuese industriale dhe të punës. Betoni, shkaku se lënda nga e cila përbëhej ishte kollaj e gjetshme dhe relativisht e lirë por edhe sepse, në teori, shumica e punës mund të kryhej me punëtorë ku nuk lypej kualifikim, premtoi ta bënte të mundur atë që merrej si e pamundur. Kur në vitin 1956 Bashkimi Sovjetik vendosi një plan shtatë vjeçar “për ta arrirë dhe kapërcyer ShBA-në në zhvillim”, ndërtimi me beton ishte një komponent vital. Dy vjet më herët, fjalimi më i madh i Nikita Hrushçevit [Nikita Khrushchev] pas atij të vdekjes së Stalinit kishte qenë për përfitimet që mund të nxirreshin nga betoni.

Zgjati tri orë. Asnjë kryetar shteti më parë nuk kishte dhënë një fjalim kaq të gjatë apo të detajuar mbi betonin, e as nuk e kishte bërë betonin një temë kaq të rëndësishme politike: Hrushçevi e përdori këtë lëndë për të njoftuar ndarjen e tij me Stalinizmin. Ai e bëri këtë duke kritikuar mosefikasitetin e metodave të zanatit të ndërtimit të favorizuara nga Daja Joe [Uncle Joe], dhe argumentonte për të mirat e ndërtimit të parafabrikuar të betonit që do t’i tërhiqte burimet e mëdha të punëtorëve të pakualifikuar të Rusisë.

Fjalimi i Hrushçevit i habiti të gjithë të pranishmit por e bëri betonin një mjet qendror për të ardhmen e Bashkimit Sovjetik. Brenda vitit, ai kishte shtyer përpara një dekret ku thuhej se i gjithë ndërtimi i së ardhmes do të ndiqte një dizajn standard: “një model të vetëm për të gjitha ndërtesat e vendit”, dhe të gjitha nga betoni.

Në Britani, po në atë dekadë, u shfaq nevoja urgjente për të ndërtuar më shumë shtëpi banimi.

Përgjigjja, edhe këtu, ishte betoni, dhe sistemet e parafabrikuara të ndërtimit që e kthyen atë proces në fabrika, ku, thuhej se prodhueshmëria do të ishte më e lartë se në vende të ndërtimit. Megjithëse betoni ishte rrallë më i lirë, premtonte të ishte më i shpejtë – dhe duke krijuar një pamje krejt të re të mjedisit të banesave, do të sinjalizonte publikun për një transformim të ri.

Lidhja e paramendueshme e betonit me ato transformime dramatike dhe të menjëhershme të shekullit 20 e ka lidhur atë lëndë edhe me politikat e majta, më shumë se me të djathtat. Megjithëse regjimet fashiste të viteve 30 e luajtën të njëjtën letër – rinovimi shoqëror përmes infrastrukturave të reja – dhe me të vërtetë përdori betonin për ta bërë atë gjë, ashtu si me autobanet në Gjermani, asociacioni më dominant i betonit ishte me socializmin.

Për aq sa politikat e majta ishin rreth ndryshimeve radikale ndërsa politikat e djathta rreth mbrojtjes së traditave, betoni shihej i lidhur me të majtën, dhe Bashkimi Sovjetik në veçanti e çimentoi atë ide në imagjinatën popullore. Deri në vitet ’90, Virginia Bottomley, sekretarja konservatore e shtetit në Mbretërinë e Bashkuar për trashëgiminë kombëtare, e pyetur nëse e aprovonte listimin e kompleksit të shtëpive të Alexander Flemingut ku dikur ishte ndodhur Ministria e Shëndetësisë, thuhet të jetë përgjigjur: “Oh jo, nuk mund ta vëmë atë… është beton… është komuniste.”

Betoni nuk është më ai që ishte. Në perëndim, të paktën, e ka humbur aurën e tij transformuese. Ka shumë arsye për këtë, dhe kontaminimi i tij nga shteti socialist është një prej tyre. Një tjetër është pasoja e padukshme e asaj që Koinjeja e merrte si asetin e saj më të madh: demokratizimi i ndërtimit. Betoni është stigmatizuar si ‘i lirë’, një send i varfanjakëve të dynjasë. Por kushdo që dyshon në potencën e tij revolucionare duhet ta këqyr Kinën, që derdhi më shumë beton mes viteve 2012 dhe 2015 se sa që e bëri ShBA-ja përgjatë gjithë shekullit 20. Socialist apo kapitalist, në Kinë transformimi më rapid i shekullit që ka ndodhur në historinë njerëzore është arritur brenda disa dekadash, përmes një sasie të madhe betoni.

Adrian Forty është profesor i historisë së arkitekturës

*Titulli i origjinalit: ‘Concrete? It’s communist’: the rise and fall of the utopian socialist material’

Shpërndaje në: