Bislimi e zëvendësoi Kurtin edhe për Gjukanoviqin, këtij i shtron drekë e i flet për dialog

Bislimi e zëvendësoi Kurtin edhe për Gjukanoviqin, këtij i shtron drekë e i flet për dialog

Pasi që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po qëndron ende në SHBA, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i ka shtruar një drekë presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

Përmes një komunikate për media të ZKM-së thuhet se Bislimi dhe Gjukanoviq biseduan për dialogun e Kosovës me Serbinë, si dhe bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Kosova dhe Mali i Zi ndajnë së bashku të ardhmen e përbashkët drejt Bashkimit Evropian, për të cilën po angazhohen maksimalisht në arritjen e objektivave të agjendës evropiane, në këtë rrugëtim gjithëpërfshirës që parasheh Procesi i Berlinit. Bashkëpunimi rajonal është një prej mënyrave përmes së cilës konsolidojmë përafrimin e vendeve tona dhe përkushtimin ndaj fqinjësisë së mirë. Gjithashtu, Kosova është e përkushtuar në përkrahjen e komunitetit malazez në Kosovë dhe mirëpret kontributin e rëndësishëm të tyre në zhvillimin e vendit”, thuhet në komunikatë.

Në këtë komunikatë nuk është përmendur se është diskutuar për korrigjimin e kufirit me Malin e Zi.

“Zëvendëskryeministri Bislimi foli edhe mbi dialogun me Serbinë, ku theksoi se Kosova është e përkushtuar në arritje të marrëveshjeve permanente për çështje të ndryshme, duke i respektuar praktikat dhe standardet më të mira të Bashkimit Evropian. Marrëveshja si ajo e targave, nuk është arritur për shkak të mungesës së vullnetit dhe propozimit konkret nga pala tjetër, që reflektoi interesimin e tyre për të bllokuar arritjen e kësaj marrëveshje. Kosova vazhdon të jetë konstruktive, kreative dhe e përkushtuar në këtë proces”, thuhet në komunikatë.

Kujtojmë se kryeministri Kurti në  katërvjetorin e miratimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, pati thënë se në Mal të Zi do të vijë një qeveri e re së shpejti dhe me të cilin mund të bisedohet për çështjen e demarkacion, për dallim nga qeveria paraprake, që kishte përbrenda elemente pro ruse.

Megjithëkëtë, kryeministri i ri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se nuk do ta ridiskutojnë temën e demarkacionit me Kosovën.

Shpërndaje në: