“Blloku i Zi”: Kush janë njerëzit me të zeza që po krijojnë kaos në Hamburg?

“Blloku i Zi”: Kush janë njerëzit me të zeza që po krijojnë kaos në Hamburg?

Aq të dhunshme ishin protestat në rrugët e Hamburgut në Gjermani, sa qyteti tashmë ngjan si një zonë lufte. Qeveria është detyruar të dërgojë ushtrinë, ndërkohë që vazhdon samiti i G20.

Lëvizja anti-globaliste, një miks me anarkistë, antifashistë, komunistë, antikapitalistë, po shkakton kaos dhe vandalizma të pashoqe.

Në krye të tyre është grupimi “Blloku i Zi”. Por kush janë ata? Lexoni më poshtë shkrimin e të përditshmes gjermane, Bild, përcjell mapo.al.

Ata dalin me qindra, të veshur me të zeza, të ngjeshur ngushtë pranë njëri-tjetrit: Blloku i Zi.

Një prej anëtarëve shpjegon historinë e tyre.

“Me ne mund të bashkohet gjithkush”, thotë antifashisti, që kërkon të mbetet anonim. Ai është anëtar prej 20 vitesh.

Ai thotë se mezi presin organizime të tilla për të udhëtuar së bashku.

“Blloku i Zi” nuk është një organizatë, ekip apo lidhje. Në parim nuk është më shumë se një urdhër veshjesh.

Ai mbledh së bashku të gjithë anëtarët e skenës antifashiste.

Vetëm në Berlin mendohet se janë mbi dhjetë grupe Antifa.

Autoritetet e inteligjencës përllogarisin se ekstremistët e majtë, të gatshëm për dhunë në Gjermani, i kalojnë 8500 persona.

Se kush qëndron në krye të protestës, këtë e përcaktojnë organizatorët.

“Njerëzit në rreshtin e parë janë më të vendosurit, pasi ata e dinë se kanë përsipër barrën më të rëndë”.

Gjatë protestave, anëtarët nuk flasin me askënd.

“Themelore është që të mos flasësh me të huajt. Gjithkush mund të jetë spiun”.

Grupet fillestare, të përbërë nga tre deri në tetë persona, shkëmbejnë numrat e telefonit dhe bien dakord se si do vazhdojnë më tej.

“Ata vendosin për aksionet, për ndërtimin e barrikadave, për bllokadën. Unë vetë bëj vetëm dëme materiale,” thotë antifashisti.

“Me demonstrata paqësore nuk arrin asgjë. Çdo formë e veprimit është e lejuar”.

Autoritetet e inteligjencës thonë se ky grup përpiqet që të provokojë policinë me forcë. Shpresa e tyre mbetet “denoncimi i represionit kapitalist”.

Kur nisen për protesta, celularët i lënë në shtëpi, kjo për shkak të frikës së lokalizimit.

Por a luajnë drogërat një rol në këto grupime?

“Natyrisht që ka prej atyre që merren me atë m… Unë jo, dua të jem i qartë në kokë”.

“Për mua ky komunitet është i rëndësishëm. “Blloku i Zi” na mban së bashku, ne ndihmojmë njëri-tjetrin. Ndjehem mirë me njerëzit me të cilët ndaj çdo hap”.

Burimet e inteligjencës thonë se qëllimi i tyre është krijimi i një rendi shoqëror “ku nuk ka asnjë sundimtar që të urdhërojë”.

Shpërndaje në: