Burim Ramadani: Kosova rrezikon të përballet me trazira

Burim Ramadani: Kosova rrezikon të përballet me trazira

Kosova në muajt në vijm rrezikon të përballet me trazira. Skena të rënda të dhunës së eskaluar në protestat e janarit të vitit të kaluar mund të përsëriten në shtatorin e këtij viti. E janë pikërisht protestat qytetare kundër kësaj qeverie të cilat rrezikojnë eskalimin e dhunës.

Mirëpo pjesmarrësit në to sipas njohësve të cështjeve të sigurisë duhet të kenë kujdes të veçantë, ngase apo mund të jenë të orkesturara nga “Faktori i Tretë”. Kështu thotë njohësi i çështjeve të sigurisë Burim Ramadani.

Ramadani në një intervistë për Gazetën Fjala thotë se Kosova ka një vit që është futur në krizë të thellë institucionale.

“…Mund të shohim skena të rënda të eskalimit të gjendjes së sigurisë, që mund të jenë edhe të sponsorizuara nga “Fatktori i tretë”, të cilat do të tejkalonin dhe do të bënim që të harrohen madje çështjet e kontestuara politike të deritashme”, ka thënë Ramadani.

Por sipas tij edhe krimi ekonomik e terrorizmi vazhdojnë të jenë dy problemet më të mëdha të Kosovës. Madje Kosova po konsiderohet shtet i brishtë me qeverisje të dobët e joefektive. Kështu thonë njohësit e cështjeve të sigurisë në vend.

Madje ai thotë se Kosova ka dështuar edhe në krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Me faktin se nuk janë themeluar Forcat e Armatosura, përkundër që FSK-ja i ka arritur tërë kapacitetet operacionale, tregon qartë se dështimi është në institucionet e Kosovë, përkatësishtbrenda koalicionit qeverisës. Sepse, edhe deputetët serb e përbëjnë koalicionin qeverisës”, ka thënë për Gazetën, Ramadani.

Gazeta Fjala: Cilat janë rreziqet më të mëdha që i kanosen sigurisë në vend përveç ISIS-it?

Burim Ramadani: Siguria e Kosovës është e brishtë dhe lehtësisht e lëndueshme. Janë shumë faktorë në ndikojnë këtë. Edhe kërcënimet globale, sikurse është terrorizmi, kanë ndikimin e vet negativ. Por, ndikim të drejtpërdrejtë dhe të përditshëm kanë edhe çështjet tjera, të cilat as nuk janë zgjidhur dhe, poduket, as nuk janë afër zgjidhjes së tyre.
Një shtet i brishtë, me qeverisje të dobët dhe joefektive, qartësisht jep siguri të brishtë dhe tëlëndueshme. Edhe siguria nacionale, edhe siguria humane është e sfiduar në shumë dimensione.

Gjendja e rëndë ekonomike dhe pasiguria ekonomike, shkelja e të drejtave të njeriut, ndjenja e diskriminimit, pasiguria publike, aksidentet e shumta në komunikacion, vjedhjet e shtëpive e banesa, vjedhjet e veturave dhe çantave të dorës, vjedhjet e bankave dhe institucioneve të tjera janë elemente që dëmtojnë rëndë perceptimin qytetar mbi sigurinë. Dhe këto janë shumë të rëndësishme për sigurinë humane.

Në dimensionin tjetër, siguria nacionale e sfiduar dhe kërcënuar vazhdimisht nga strukturatparalele të Serbisë në Kosovë, nga moskompletimi i shtetit dhe arkitekturës së sigurisë nacionale,si dhe nga përhapja e ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm. Tendenca e Rusisë, që ta kthejë ndikimin e vet në Ballkanin Perëndimor është, po ashtu, një sfidim i sigurisë së Kosovës. Të gjitha këtyre u shtohet edhe qeverisja e dobët, joefektive, dhe jostabiliteti politik brenda Kosovës dhe në disa shtete në rajon.

Gazeta Fjala: A rrezikohet Kosova nga ekstremizmi fetar?

Burim Ramadani: Ideologjia e ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm dhe që bazohet në intepretime jofetare të Islamit është një prej rreziqeve të vazhdueshme në Kosovë, për më shumë se njëdekadë. Investimi i pakontrolluar që është bërë në këtë ideologji vrastare tashmë ka shumë vjetqë ka depërtuar edhe në Kosovë. Normalisht, jo vetëm në Kosovë, por në tërë botën.

Shteti i Kosovës ka marrë disa masa të rëndësishme në përballimin e kësaj ideologjie, kryesisht masa në kuadër të kornziës ligjore dhe në kuadër të zbatimit të ligjit. Sikurse edhe raporti i fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit e thotë qartë, gjuha e urrejtes dhe vandalizmi mbesin edhemë tutje shqetësim në këtë fushë. Sidoqoftë, kjo ideologji do të mbetet edhe për një kohë problem në tërë botën, duke përfshi edhe rajonin tonë.

Gazeta Fjala: Si e vlerësoni situatën e sigurisë krijuar nga protestat e fundit të partive opozitare?

Burim Ramadani: Tensionimi i paprecedent i gjendjes në Kosovë, dorën në zemër, deri më tash, fatmirësisht, nuk është kthyer në kërcënues për sigurinë dhe stabilitetin e shtetit. Ka pasur edhe gjatë muajve të kaluar disa herë situata të rënda, megjithatë të izoluara në kuptimin e afektimit të sigurisë.

Por, nuk do të thotë se kështu do të vazhdojë pakufi.Mund të shohim skena të rënda të eskalimit të gjendjes së sigurisë, që mund të jenë edhe të sponsorizuara nga “Fatktori i tretë”, të cilat do të tejkalonin dhe do të bënim që të harrohen madje çështjet e kontestuara politike të deritashme.

Janë bërë gati një vit prej kur Kosova është futur thellë në krizë. Kjo, megjithëse e paralajmëruar, i ka dhënë hapësirë të pakontrollueshme veprimit direkt të “Faktorit të Tretë”.Kosova tashmë po përballet me provokime të shpeshtuara ndaj sigurisë. Porse, sfidat mund të rriten gjatë periudhës së ardhshme.

Fatkeqësisht, Kosova po u ofron keqbërësve lehtësisht ambientin për të veprime direkte destablizuese: Krizën, institucionet e përgjumura, mosfunksionimin e shtetit të qëndrueshëm, retorikën lartësisht jopolitike, gabimet e panumërta institucionale, mosqartësinë e orientimit të politikave shtetërore, tensionimin e përgjithshëm të brendshëm, paqëndrueshmërinë politike dhe ekonomike, shtrirjen e lëvizjeve të ndryshme anti-Kosovë dhe humbjen pothuajse të plotë të besimit qytetar në institucione publike dhe në politikën përgjithësisht.

Gazeta Fjala: Pse edhe pas 17 vjet pas luftës Kosova po vazhdon të mos ketë ushtri?

Burim Ramadani: Mosthemelimi i Ushtrisë së Kosovës nënkupton edhe moskompletim të Arkitekturës së Sigurisë Kombëtare të Kosovës. Është vërtetë i rëndësishëm transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura, por kjo çështje paraqet problem politik.

Thjesht dhe qartë, për këtë transformim kërkohet ndryshimi i Kushtetutës dhe për të bërë këtëduhet vota e deputetëve të komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës. Fatkeqësisht, janë lëshuar të paktën dy raste tejet të mira për të arritur transformimin e FSK-së në të kaluarën, kryesisht për shkak të qasjeve të ngushta partiake.

Gazeta Fjala:A kanë dështuar institucionet e Kosovës, me krijimin e ushtrisë?

Burim Ramadani: Me faktin se nuk janë themeluar Forcat e Armatosura, përkundër që FSK-ja i ka arritur tërë kapacitetet operacionale, tregon qartë se dështimi është në institucionet e Kosovë, përkatësishtbrenda koalicionit qeverisës. Sepse, edhe deputetët serb e përbëjnë koalicionin qeverisës.

Gazeta Fjala: A është Kosova më e rrezikuar nga krimi ekonomik apo nga terrorizmi?

Burim Ramadani: Kosova është e rrezikuar në forma të ndryshme dhe me përmasa të ndryshme. Të dyja, edhe krimi ekonomik edhe terrorizmi, paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës.
Konceptualisht, nuk bëhet lehtë një listë e kërcënimeve apo rreziqeve sipas rëndësisë, sepse të gjitha rreziqet paraqesin bazë të mjaftueshme për t’u përcjellë me probleme tjera zinxhirore.
Por, është e qartë se luftimi i krimit ekonomik në mënyrë të fuqishme është edhe një masë e rëndësishme në luftimin e ideologjive që shpien në terrorizëm.

Gazeta Fjala: Cilat mendoni se janë shkaqet e rritjes së ekstremizmit viteve të pasluftës?

Burim Ramadani: Janë shkaqe të ndryshme, por kryesisht përfshijnë mosefikasitetin e institucioneve,indoktrinimin, mungesën e sundimit të ligjit, mosperspektivën, zhvillimin e dobët ekonomik, papunësinë, izolimin, e të ngjashme.

Gazeta Fjala: A po e menaxhojnë situatën si duhet institucionet kosovare të sigurisë?

Burim Ramadani: Institucionet e sigurisë në Kosovë janë aktive në punën e tyre, por definitivisht kapacitetet e tyre nuk janë të kompletuara dhe të profesionalizuara në masën që do të kishte efekte më të qarta. Një numër i madh i rasteve të pazbuluara, qofshin të sulmeve apo edhe vjedhjeve të mëdha, por edhe kriminaliteti në përgjithësi kanë ndikuar në dobësimin e besimit për sektorin e sigurisë në Kosovë.

Gazeta Fjala: Në situatën e tanishme, çfarë masash duhet marrë institucionet?

Burim Ramadani: Institucionet e sigurisë definitivisht duhet të kryejnë autorizimet e tyre me neutralitet dhe profesionalizëm. Të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë publike, pronën dhe jetën e qytetarëve duhet të bazohen në parimin e neutralitetit, në mënyrë që besimi publik të rritet dhe kështu të ndërtohet bashkëpunimi më i ngushtë me qytetarët.

Gazeta Fjala: Në bazë të situatës të tanishme politike, a mendoni se shtatori do të jetë muaj itrazirave politike në vend?

Burim Ramadani: Shtatori mund të jetë më i tensionuar. Pra, edhe më shumë i tensionuar se deri më tash, megjithëse tensionimi i deritashëm është i paprecedent. Unë nuk besoj se mund të arrihet në nivel trazirash, por nëse vazhdon kështu skena politike, qartësisht do të rritet përçarja dhe ndarja shoqërore. /Gazeta Fjala/

Shpërndaje në: