Bytyçi-Kurtit: Specialen nuk e themeloi PDK-ja, por deklaratat e disave që flisnin shqip e thoshin se UÇK-ja kishte kryer krime

Periskopi.com Lajme

Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme, akuzoi Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), për themelimin e Gjykatës Speciale, duke thënë se ka qenë pikërisht kjo parti që e ka themeluar këtë gjykatë.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i zëdhënësit të PDK-së, Avni Bytyçi.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Bytyçi  i është kundërpërgjigjur Kurtit, duke thënë se PDK-ja nuk e ka themeluar Gjykatën Speciale.

Sipas Bytyçit, Gjykata Speciale ishte iniciativë e një ish-zyrtari të shërbimit rus në Këshillin e Evropës, me ndihmën e Dick Martit edhe te Karla Del Pontes, duke u mbështetur në dëshmi të fabrikuar nga Serbia, edhe të disa ndërkombëtarëve të komprometuar dhe “dëshmive” e deklaratave të llojit të disave që flasin shqip, e që thoshin se UÇK-ja kishte kryer krime.

“Në rastin tënd, ju në kohën sa ishit Kryeministër edhe këshilltari juaj, Shkëlzen Gashi, publikisht keni thënë se UÇK-ja kishte kryer krime”, ka shkruar ndër të tjerash Bytyçi.

Postimi i plotë i Bytyçit, pa ndërhyrje

Jo z.Kurti, Gjykatën Speciale nuk e themeloi PDK-ja. Ajo ishte iniciativë e një ish zyrtari të shërbimit rus në Këshillin e Evropës, me ndihmën e Dick Martit edhe te Karla Del Pontes, duke u mbështetur në dëshmi të fabrikuar nga Serbia, edhe të disa ndërkombëtarëve të komprometuar dhe “dëshmive” e deklaratave të llojit të disave që flasin shqip, e që thonin se UÇK-ja kishte kryer krime.

Në rastin tënd, ju në kohën sa ishit Kryeministër edhe këshilltari juaj, Shkëlzen Gashi, publikisht keni thënë se UÇK-ja kishte kryer krime.

PDK e votoi Gjykatën sepse i kishin dy mundësi, o ta bënim vet, o Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ta themelojë me një rezolutë, veprim ky që do ta kishte dëmtuar imazhin e drejtë të luftës sonë çlirimtare.

Nuk kam dyshim duke u bazuar në deklaratat që i keni thënë se për ju ka qenë më mirë një tribunal ndërkombëtar kundër UÇK-së e luftës së saj dhe popullit të Kosovës se sa vetë një gjykatë brenda sistemit tonë juridik që i heton pretendimet e Serbisë edhe të juajat se UÇK ka kryer krime.

Sa ishit Kryeministër, nuk i mbrojtët ushtarët e lirisë siç pate thënë në Kuvend, besa as Rexhep Selimin që e morrën edhe e intervistuan. Siç duket edhe në opozitë zëri për UÇK-në disi ju ka humbur.

Ju jeni thjeshtë një sharlatan e një demagog që për hir të përfitimeve politike paturpësisht e sulmon edhe UÇK-në edhe luftën e saj në këtë kohë.

Sharlatan të tillë, historia i harron shpejtë, për këtë arsye edhe ky komb nuk do t’ju mbajë në mend për diçka, perpos për urrejtjen që keni ndaj çdo gjëje dhe çdo njeriu që nuk mendon e vepron si ju.

Edhe mos u shqetëso z. Kurti, se dhe këtë betejë do ta fitojmë, sepse drejtësia është në anën tonë, kuptohet, pa ju si gjithnjë!

Shpërndaje në: