Daniel Serwer: SHBA ta bindë Rusinë për anëtarësimin e Kosovës në OKB

Periskopi.com Lajme

Profesori amerikan Daniel Serwer ka thënë se Administrata Biden duhet të ndihmojë Kosovën që ta sigurojë ulësen e saj në Kombet e Bashkuara.

Dhe këtë SHBA duhet ta bëjë duke u angazhuar në bindjen e Rusisë që ta lejojë. Por, për të arritur drejt këtij qëllimi dhe për të hartuar një strategji ndaj Kosovës, Serwer në një intervistë për Klankosova tha se SHBA dhe BE duhet të kenë një bashkëpunim të mirëfilltë.

Profesori i universitetit “John Hopkins” është i mendimit që edhe Bashkimi Europian duhet të luajë rol konkret ndaj Kosovës.

“Bashkimi Europian ka tri role: Të jetë thirrës i dialogut, të jetë siguruesi i karotave dhe shkopinjve dhe të jetë destinacioni përfundimtar për Serbinë dhe Kosovën. BE gjithashtu duhet të bashkëpunojë me SHBA-në që të sigurojë zbatimin e marrëveshjeve që dalin nga dialogu”.

Serwer është kundër një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe që do ta cenonte shtetësinë e Kosovës, por ai ka një propozim të ri: edhe në këtë çështje Kosova duhet ta përdorë reciprocitetin, duke kërkuar krijimin e një mekanizmi të tillë edhe në Serbi.

Analisti amerikan foli edhe për ish-emisarin amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell dhe ‘cicërimat’ e tij në Twitter kundër fituesit të zgjedhjeve të 14 shkurtit, Albin Kurtit, të cilin e akuzoi edhe për antiamerikanizëm.

Për bashkëkombësin e tij, që para pak kohësh kishte pushtet duke qenë edhe drejtor në detyrë i Intelicgjencës Kombëtare të SHBA-së, Serwer rekomandon që ai thjesht të injorohet.

INTERVISTA E PLOTË:

Si e shihni fitoren e madhe të Vetëvendosjes dhe Vjosa Osmanit në Kosovë?

Daniel Serwer: Ishte një triumf bindës elektoral. Ata duhet ta shndërrojnë këtë në një qeveri efektive.

Çfarë ndryshimi prisni nga qeveria e ardhshme?

Daniel Serwer: Unë pres që ata të bëjnë atë që thonë: punë dhe drejtësi së pari, së bashku me vaksinimin.

Çka mendoni për deklaratat e Albin Kurtit se Kosova duhet ta ketë të drejtën për referendum me Shqipërinë?

Daniel Serwer: Kjo do të kërkonte ndryshim të Kushtetutës që është e vështirë të imagjinohet se mund të kalojë në ndonjë Kuvend të Kosovës. Po ashtu, sikur Kosova bëhet opozitë ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Është një ide e keqe, koha e së cilës, shpresoj, nuk do të vijë. Patriotët e Kosovës nuk duhet të interesohen për bashkim me Shqipërinë.

Si e shihni vendosjen e prioriteteve të Kurtit që dialogun e la pas punësimit dhe drejtësisë?

Daniel Serwer: Unë mendoj se është një nga arsyet që Vetëvendosje fitoi: dialogu nuk po jepte përfitime për qytetarët që shumë prej tyre kishin shpresuar. Ishte deformim i përparësive qeverisëse.

Së fundi ish-emisari amerikan Richard Grenelll pati përplasje me Kurtin dhe e akuzoi për anti-amerikanizëm. Si e shihini këto deklarata?

Daniel Serwer: Zotëri Grenell nuk është një person serioz ose dikush me peshë në Washingtonin e sotëm. Injorojeni atë!

Bashkimi Europian po kërkon me ngulm krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pa treguar nëse ai duhet të ketë kompetenca ekzekutive. A duhet Kosova ta themelojë një mekanizëm që cenon sovranitetin dhe integritetin e vendit?

Daniel Serwer: Unë do të favorizoja një Asociacion që është në përputhje me kërkesat e Gjykatës Kushtetuese, që do të thotë se nuk ka kompetenca ekzekutive. Unë gjithashtu mendoj se duhet të zbatohet parimi i reciprocitetit: çdo Asociacion brenda Kosovës duhet të ketë një të tillë si reflektim brenda Serbisë, me të njëjtat fuqi. Pra, nëse Kosova pritet të bëjë diçka, duhet të kërkohet edhe nga Serbia.

Cili duhet të jetë roli konkret i BE-së për të arritur deri te një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë?

Daniel Serwer: Bashkimi Europian ka tri role: Të jetë thirrës i dialogut, të jetë siguruesi i karotave dhe shkopinjve* dhe të jetë destinacioni përfundimtar për Serbinë dhe Kosovën. BE gjithashtu duhet të bashkëpunojë me SHBA-në që të sigurojë zbatimin e marrëveshjeve që dalin nga dialogu.

A duhet SHBA t’i qaset Kosovës në një mënyrë të re në zgjidhjen e problemit me Serbinë? Çka duhet të bëjë konkretisht Administrata Biden?

Daniel Serwer: E para dhe kryesorja është që të vendosë qëllimet dhe strategjinë për arritjen e tyre në koordinim me BE-në. Do të duhet gjithashtu të bindë Rusinë që të lejojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Kur e shihni se do të ndodhë pajtimi Kosovë-Serbi?

Daniel Serwer: Nuk ka moment se kur do të ndodhë. Marrëdhëniet janë përmirësuar tashmë në mënyrë dramatike në 20 vjetët e fundit, megjithëse askush nuk e vëren këtë. Marrëdhëniet do të vazhdojnë të përmirësohen dhe sapo pranimi në Bashkimin Europian të shfaqet si realitet në horizont, shumë gjëra të mira do të ndodhin.

Shpërndaje në: