Deda: Ja ku na solli arroganca e Qeverisë

Deda: Ja ku na solli arroganca e Qeverisë

Në postimin e tij në Facebook, Deda ka thënë se barrikadat që janë krijuar për marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi po ndodhin për shkak të arrogancës së qeveritarëve.

Ai madje jep disa ide se çfarë do të duhej të ndodhte në verën e vitit 2015 për demarkacionin me Malin e Zi, për të mos ardhë siç shkruan ai, në pozitën ku janë sot sa i përket kësaj çështjeje.

Postimi i tij i plotë:1. Çka duhej të ndodhte, e nuk ndodhi, në verën e vitit 2015 për demarkacionin me Malin e Zi

Me 25 qershor 2015 të gjitha partitë politike në Kuvend e votuan Rezolutën për procesin e demarkacionit. Ky dokument 7 pikësh kërkonte shprehimisht në pikat 2, 3 dhe 4 që Qeveria t’i dorëzonte Kuvendit dosjet, hartat dhe analizën e procesit të shënimit kufitar, si dhe t’i publikonte diskutimet dhe çështjet e parashtruara nga pala malazeze. Kërkohej, gjithashtu, raportim i Qeverisë në Kuvend para nënshkrimit të demarkacionit me Malin e Zi.

Qeveria e Kosovës i shkeli pikat e rezolutës, duke mos e informuar Kuvendin për atë që e kishte për obligim ta bënte. Si rezultat i këtij veprimi, ne gjindemi përballë njërit prej vendimeve më të vështira të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë. A mund të veprohej ndryshe? A kishim mundësi ta zgjidhnim demarkacionin ndryshe?

Çka duhej të ndodhte, e që nuk ndodhi, pas aprovimit të rezolutës unanime të Kuvendit më 25 qershor 2015?

-Korrik 2015: Qeveria e Kosovës do të duhej t’u dërgonte me shkrim të gjitha dokumentet e kërkuara për procesin e demarkacionit komisioneve parlamentare përgjegjëse. Në mbledhjet e komisioneve do të duhej që të merrnin pjesë edhe ekspertë të pavarur, duke i dhënë qëndrimet e tyre për punën e Komisionit Shtetëror për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Si rezultat i mospajtimeve të mëdha, Qeveria do të duhej të premtonte që nuk do ta firmoste draft-marrëveshjen pa koncensus të partive politike.

-Gusht 2015: Qeveria e Kosovës do të duhej të kërkonte seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës në përputhje me Rezolutën Nr. 05-R-03 të 25.06.2015. Pas një debati parlamentar, grupet parlamentare të pozitës dhe opozitës do të duhej të arrinin marrëveshje për themelimin e një komisioni të ri shtetëror për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Në këtë komsion, që do të duhej të udhëhiqej nga ekspertë të pavarur, do të duhej të merrnin pjesë edhe ekspertët e partive politike. Në të njëjtën kohë, do të duhej të themelohej një komision i përkohshëm i veçantë i Kuvendit të Kosovës që do ta mbikqyrte procesin e demarkacionit. Në këtë komision, përveç partive politike, do të duhej të kishte edhe ekspertë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.

-Gusht 2015: Qeveria e Kosovës do të duhej t’i propozonte Qeverisë së Malit të Zi datat e mundshme për takimin e radhës të komisioneve shtetërore. Kryeministri i Kosovës do të duhej të njoftonte Kancelaren Merkel para takimit të Vjenës të Procesit të Berlinit, se Kosova është e përkushtuar që demarkacionin me Malin e Zi, ta përfundojë dhe ratifikojë më së largu para Samitit të radhës që do të mbahej në Paris (Francë), në vitin 2016.

-Gusht 2015: Në dokumentin e konkluzave të aprovuara të “Ëestern Balkans 6” të procesit të Berlinit do të duhej të përshëndetej përkushtimi i Kosovës dhe Malit të Zi, që në frymë të marrëdhënieve të mira fqinjësore ta përfundojnë sa më parë procesin e shënimit të kufirit, me transparencë dhe gjithëpërfshirje.

-Komisionet shtetërore të dy shteteve nga shtatori 2015 deri në prill 2016 do të duhej të mbanin psh. 12 mbledhje. Para dhe pas çdo mbledhjeje, komisioni i Kosovës do të duhej t’i raportonte Kuvendit të Kosovës, respektivisht komisionit të veçantë, si dhe komisioneve të tjera parlamentare.

-Deri në maj të vitit 2016, Kosova dhe Mali i Zi do të duhej të ishin pajtuar për vijën kufitare dhe do të duhej t’ua kishin dërguar kuvendeve të shteteve të tyre marrëveshjen për ratifikim. Në Kosovë nuk do të kishte nevojë për debat të gjatë parlamentar, sepse partitë politike do të ishin rregullisht të informuara për procesin e demarkacionit dhe do të kishin besim në këtë proces. Rrjedhimisht, në maj 2016 Kosova do të duhej ta kishte të votuar unanimisht demarkacionin, me çka edhe do të përmbushej kushti i BE-së për liberalizim të vizave.

Të gjitha këto nuk ndodhën, sepse kultura e arrogancës politike është mendësi qeverisëse e këtij koalicioni. Po të ishte qeveri që i respekton standardet minimale demokratike, nuk do të kishim as tentim arrogance me numra, as gaz lotësjellës, e as nuk do të gjendeshim në qorrsokak si tani. As nuk do të vdiste në duar të shtetit Astrit Dehari, ai do të ishte me ne. As nuk do të kishim mbizotërim të kulturës së istikameve politike të kuazi-institucionalistëve dhe populistëve. Deputetët nuk do të njoftoheshin 13 muaj më vonë me dokumentin zyrtar të demarkacionit të nënshkruar nga ministri i atëhershëm i Jashtëm, Hashim Thaçi. E as nuk do të duhej të hapnim ëebfaqen e Qeverisë së Malit të Zi që të informoheshim për rrjedhat e punës së komisioneve shtetërore për demarkacion, siç ka ndodhur. Dhe, nuk do të ishim para situatës “hyp se të vrava, zhdryp se të vrava”.

Shpërndaje në: