Demokracia: Prindoni i Vjosës ‘dogji’ buxhetin edhe me karburant për udhëtimet Shkup-Prishtinë-Shkup

Demokracia: Prindoni i Vjosës ‘dogji’ buxhetin edhe me karburant për udhëtimet Shkup-Prishtinë-Shkup

Zotëriu i Parë i shtetit, Prindon Sadriu, duket se ishte një prej diplomatëve më të privilegjuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme edhe para se të ngarkohej me punët e ambasadorit në misionin diplomatik në Shkup.

Sadriut nuk i ishin rimburësuar pjesërisht vetëm shpenzimet mjekësore për trajtimin e infektimit me Covid-19, por edhe shpenzimet e derivateve për vajtje-ardhjet e tij nga Prishtina në Shkup dhe anasjelltas, pasi që nuk ishte akomoduar atje për shkak të “specifikave familjare dhe atyre të sigurisë”.

Demokracia.com ka siguruar edhe një kërkesë tjetër të Prindon Sadriut, të bërë më 10 mars 2020, për aprovimin e shpenzimeve të derivateve për shkuarjen e tij në punë në Shkup.

Kjo kërkesë ishte aprovuar nga Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të MPJ-së në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ 01/2018 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Udhëzimit Administrativ nr. 03/2012 për Shpenzimet Personale dhe Operacionale në Misionet Diplomatike dhe Konsullore të Republikës së Kosovës.

Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të MPJ-së përmes një emaili, më 2 mars 2020, asokohe i kishte kërkuar Ambasadorit të Kosovës në Shkup, Gjergj Dedajt, që t’ia ofronte Prindon Sadriut mundësinë e shfrytëzimit të karburantit përmes procedurave të ambasadës, deri në gjetjen e banesës për akomodim.

Dokument: Kërkesa e Zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të MPJ-së

Pas kësaj kërkese të MPJ-së drejtuar ish-ambasadorit Gjergj Dedaj, pak ditë më vonë edhe vetë Sadriu i ishte drejtuar Dedajt, duke kërkuar nga shefi i tij që t’ia aprovonte shpenzimet e derivateve për ardhjen në punë në mungesë të akomodimit në Shkup, sipas kërkesës së aprovuar paraprakisht nga Sekretari i Përgjithshëm i MPJ-së.

Kjo kërkesë, sipas Prindon Sadriut, po bëhej deri në përmbylljen e procedurave të akomodimit, sipas specifikave familjare, por edhe të sigurisë.

Dokument: Kërkesa e “rëndësishme” e Prindon Sadriut drejtuar Ambasadorit të Kosovës në Shkup

Megjithatë, bazuar në udhëzimin administrativ që e rregullon këtë çështje, specifikisht në pikën 7.4 të tij, kjo gjë nuk është e lejueshme.

“Ministria nuk mbulon shpenzimet e transportit publik të stafit të misionit diplomatik dhe konsullor për vajtje-ardhje në punë. Lejohet mbulimi i shpenzimeve për transportin, vajtje-ardhje në punë të personelit vendor, vetëm kur kjo është e detyruar me legjislacionin vendor”, thuhet në pikën 7.4 të Udhëzimin Administrativ 01/2018 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Udhëzimit Administrativ nr. 03/2012 për Shpenzimet Personale dhe Operacionale në Misionet Diplomatike dhe Konsullore, raporton Demokracia.com.

Zotëriu i Parë, Prindon Sadriu, kishte përfituar nga buxheti i shtetit edhe nga rimburësimi i pjesshëm i shpenzimeve për trajtimin e virusit COVID-19. Sadriu, ndonëse sipas faturave të dorëzuara shihet se shpenzimet i kishte bërë në Prishtinë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kundërligjshëm ia kishte aprovuar edhe kërkesën për mbulimin e pjesshëm të shpenzimeve për trajtimin e infektimit me Covid-19.

Demokracia.com e ka pyetur Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës pse është aprovuar kërkesa e diplomatit Sadriu, sa ishte zëvendësshef i misionit në Shkup, për mbulimin e shpenzimeve të derivateve për shkuarjen e tij në punë në Shkup, pasi që bazuar në akte nënligjore kjo nuk është e lejueshme, por si zakonisht ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Kjo ministri nuk ka treguar nëse diplomati Prindon Sadriu, njëherësh bashkëshort i presidentes Osmani, është duke banuar tani në Shkup apo ai po vazhdon ende të udhëtojë çdo ditë nga Kosova në Maqedoninë e Veriut.

Shpërndaje në: