Deri në këtë ditë laboratorët privatë kanë kohë të caktojnë çmimet e testeve për koronavirus

Deri në këtë ditë laboratorët privatë kanë kohë të caktojnë çmimet e testeve për koronavirus

Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka thënë se të gjithë laboratorët privatë të licensuara për kryerjen e testeve për COVID-19, duhet të ia dërgojnë AKK-së listën e çmimeve për këto shërbime, deri të hënën në orën 16:00.

Përmes një konference për media, Prestreshi tha se Autoriteti Kosovar i Konkurrencës do të jetë i pakompromis nëse vëren ndonjë keqpërdorim, abuzim apo çfardo kushti tjetër tregtar i vendosur nga ndërmarrjet përkatëse.

“Nga këto ndërmarrje kemi kërkuar që të hënën deri në ora 16:00 të ia dorëzojnë AKK-së listën e çmimeve për shërbimin e kryerjes së testeve molekulare dhe serologjike për COVID-19, në mënyrë elektronike”, ka thënë Prestreshi.

Ai shtoi se ndërmarrjet përkatëse janë të detyruara që qarkullimin javor, të shërbimeve për teste molekulare dhe serologjike ta dorëzojnë në AKK çdo të hënë.

“Gjithashtu, çdo të hënë deri në përfundim të pandemisë, ndërmarrjet janë të detyruara që importin e testeve molekulare dhe serologjike, t’ia dorëzojnë Autoritetit Kosovar të Konkurrencës. Të premten e kësaj jave të gjitha kompanitë e licencuara janë të obliguara që ta dorëzojnë planin e biznesit tek Autoriteti Kosovar i Konkurrencës. Në këtë mënyrë ne do ta vëzhgojmë në përpikmëri lëvizjen apo caktimin e çmimeve të këtyre shërbimeve”, ka thënë Prestreshi.

Shpërndaje në: