Detyrat mediokre: Kur libri i leximit ua mohon nxënësve leximin kritik

Detyrat mediokre: Kur libri i leximit ua mohon nxënësve leximin kritik

“Ajo jeton në shpi jo si bijë, por ma zi se një rrogeshë” – është një nga frazat  e  tregimit  “Cucat shqiptare” në librin e leximit të klasës së pestë.

Në këtë tregim, Shtjefën Gjeçovi ka përshkruar me mjeshtëri e me një zë kritikues jetën e vajzave shqiptare të shekullit XX. I shkruar në gegnisht, ky tekst pasqyron realitetin e rëndë e të dhimbshëm të vajzave në atë kohë, të cilat, me një fjalë, bënin një jetë skllavërore.

Përmes përshkrimit që bënë Gjeçovi, në këtë tekst jipet mundësia të diskutohet dhe të analizohet pozita e vajzave në shoqërinë shqiptare në kohën në të cilën është shkruar teksti, por edhe të përkthehet në botëkuptimin e sotëm të rolit dhe pozitës së vajzave në shoqërinë tonë, duke bërë krahasime të ndryshme analitike. Gjithashtu, me këtë tekst jipet mundësia të diskutohet roli i letërsisë në ndërgjegjësimin e shoqërisë dhe kritikën shoqërore në përgjithësi.

Por, në fund të tekstit, si detyrë shtëpie dhe nxitje reflektimi, nxënësve iu kërkohet vetëm që të krahasojnë gjuhën e përdorur në tekst me atë standarde si dhe të flasin për fotografitë! Asgjë më shumë. Aty thuhet: “Punë në grupe: Krahasojeni gjuhën e këtij teksti me gjuhën e sotme standarte shqipe.”  Kjo mua më la përshtypje të madhe.

Sepse, kuptimi i tekstit ku diskutohet mënyra shtypëse se si trajtoheshin vajzat, sipas konkludimit të autorëve të librit të leximit në fjalë, nënvizohet si traditë popullore. Natyrisht tradita popullore në vetvete nuk kontestohet në librin e leximit, dhe vetkuptueshëm nuk krijon asnjë mundësi për lexuesit e rinj që të kritikohet si vlerë. Duke e ditur që për trajtim të njësive mësimore, në përgjithësi mësuesit bazohen në udhëzimet e autorëve të librave që janë të parapara si detyra e reflektime, është shqetësuese kur e kupton që në vetvete as tekstet e mira, sikur ky i Gjeçovit, nuk përdoren për nxitje të mendimit kritik tek nxënësit. Dhe tekste të mira si ky, janë të rralla në librat shkollorë.

Nëse e kërkojmë gjenezën e dështimit në testin PISA, nuk ka nevojë për shumë filozofi.  Pavarësisht që ka faktorë të ndryshëm që kanë ndikuar në rezultatet e dobëta, faktor kryesor megjithatë mbetet njeriu. Eksperti i arsimit, autorët që përpilojnë librat shkollor, mësuesit dhe natyrisht edhe politikat arsimore që diktojnë si qëllim edukues “përkthimin e gegnishtes në standard” dhe definimin e shtypjes së vajzave si “traditë popullore”, që në diskursin tonë “popullor” nënkuptohet, pa u kontestuar, si “vlerë për t’u mbrojtur”.

Sipas shkrimtares Ardiana Shala Prishtina ky diskurs “popullor” historikisht është shtypës e diskriminues për gratë dhe ndikon në forma të ndryshme në pabarazinë gjinore duke theksuar pushtetin e burrave si heroizëm e duke reduktuar rolin e grave, në rastin më të mirë në romantizma të sakrificave amësore.  Natyrisht, kjo mendësi gjen vend edhe në edukimin formal.

Sa i përket tekstit të lartpërmendur të Gjeçovit, detyra që u është kërkuar nxënësve në këtë rast ndër të tjerash edhe nënvlerëson e nënçmon intelektin dhe aftësinë e nxënësve të moshës përkatëse për të diskutuar mbi një temë që i prekë ata drejtpërsëdrejti. Kjo detyrë, e të tilla ka plot në librat shkollore, ua mohon nxënësve zhvillimin e të menduarit kritik dhe analitik dhe ua dikton një botëkuptim sintetik të asaj se çka është e rëndësishme e çka jo, sikur kur është fjala për diskutime rreth standardit. Konkludimet mbi të cilin natyrisht gjithashtu do të diktohen.

Në vend që ky teskt të shërbejë si mjet krahasues për pozitën e gruas para një shekulli dhe sot, në vend që të përdoret si mjet për të nxitur tek nxënësit mendimin kritik e analitik, dhe reflektimin e tyre me realitet që ata jetojnë, ku dallimet gjinore në moshën e tyre veç fillojnë e përjetohen nga ta çdo herë e më shumë, ky tekst në librin e leximit shërben vetëm si krahasim gjuhësor.

Pa dashur të nënvlerësoj krahasimin gjuhësor si pjesë të rëndësishme të edukimit, por duke u nisur nga situata në të cilët është gjendja e arsimit në Kosovë, përballë faktit që vajza në tregimin e Gjeçovit jeton edhe sot mes nesh, nuk mund ta shpërfillim një shembull konkret si ky, sado i vogël që duket. Aq më shumë kur nën rubrikën “bisedojmë për tekstin” autorët e librit të leximit, nuk hezitojnë të diktojnë për nxënësit edhe përjetimin që ata duhet ta kenë nga leximi i këtij tregimi: i cili duhet të jetë sikur një përrallë që nuk ka të bëjë asgjë me realitetin tonë. Kjo natyrisht, pavarësisht ndryshimeve të mëdha shoqërore, nuk është e vërtetë.

Ky tekst ka një fuqi që të sfidojë mendësinë shtypëse për vajzat, duke qenë se jo vetëm që vjen si kritikë nga Gjeçovi, por sepse për shkak se vjen nga Gjeçovi tregon edhe që në çdo kohë janë gjindur njerëzit që kanë sfiduar mentalitetin e një kohe dhe që janë njerëzit e tillë që synojmë e duhet t’i marrim si model. Padyshim se është shqetësues fakti që libri i leximit nuk parasheh një analizë të tillë, por mjaftohet me një etiketim të “mbrojtësit të traditës popullore” që ia bën Gjeçovit si studiues të Kanunit, dhe një krahasimi gjuhësor për detyrë grupore.

Sepse, jetojmë në një shoqëri ku vajzat e gratë shqiptare në shumë raste ende shihen si objekt e si pronë. Ato po vriten e po rrihen nga burrat për një fjalë goje e për një vonesë të çajit. Ato trajtohen të pabarabarta në shtëpi, politikë e shoqëri, dhe ky trajtim reflektohet në edukimin, karrierën dhe gjendjen ekonomike të tyre. Në tekste shkollore ato përshkruhen me gjuhë diskriminuese.

YIHR ka publikuar së fundmi një analizën “Gjuha diskriminuese në tekstet shkollore” ku janë paraqitur mbi 100 formulime në tekstet shkollore që përmbajnë gjuhë diskriminuese e përjashtuese, ku nuk mungojnë paragjykimet e diskriminimet me bazë gjinore.

Në shumë shkrime të saja, shkrimtarja Shala Prishtina thekson rëndësinë e gjuhës dhe fuqisë së saj në mirëmbajtjen e pushtetit patriarkal në shoqëri. Ajo konkludon që duke filluar nga diskurset politike e historike të cilat e ndikojnë organizimin politik e shoqëror të vendit, gjuha jonë garanton “me traditë popullore gjuhësore” dominimin e gjinisë mashkullore dhe diskriminimin gjinor ndaj grave. Dhe ky dominim natyrisht reflektohet edhe në tekstet shkollore, duke filluar prej mënyrës se si janë janë shkruajtur, por edhe nga mënyra se si trajtohen ose nuk trajtohen për të sfiduar mendësitë shtypëse gjinore.

Kjo, veç sa e thekson edhe më shumë argumentin që rëndësia e gjuhës që duhej të diskutohej në shkolla, psh. në tekstin e lartpërmendur, nuk është “përkthimi i gegnishtes në standard” por kuptimi kulturor i saj në “përkthimin” e vlerave dhe normave shoqëore të trashëguara historikisht, dhe kësisoj të shërbente si nxitje për sfidim normash dhe mendim kritik tek nxënësit. Kusht për të cilin natyrisht është që nxënësit të nxiten të lexojnë një tekst të tillë me sy kritik për të kuptuar, e jo për të zbatuar rregulla drejtshkrimore dhe për të besuar përralla të diktuara.

Për fund, të gjithë në heshtje, le t’i kërkojmë falje Gjeçovit që nuk e kuptuam, e për më tepër, që e keqkuptuam!

Më poshtë gjeni tregimin në fjalë, të transkriptuar nga Periskopi:

CUCAT SHQIPTARE (Shtjefën Gjeçovi)

…Cucës e grues shqiptare i gjendet puna; shpina e saj s’pushon e s’rri pa barrë në prandverë, në verë, në vjeshtë e në dimen.

Ajo jeton në shpi jo si bijë, por ma zi se një rrogesh. Në mulli ajo do të shkojë; drutë që digjen në ship rrokull vjetës, krahas me tjera gra, ajo do ti mbajë prej malit; ujët që duhet për shpi, shpina e saj e bjen me bujlerë në shpinë prej kronit. Shkurt prej kambësh të vogla e mje në pleqni të jetës s’i hiqet laku prej fyti, e në lindët cuca shqiptare veç për lak lind.

Ma veshtire asht jetesa e cucnisë se e granisë në këtë shqyptarinë tonë. Cucën e urdhënojnë, ma i madhi e ma i vogli. Asaj i kercnohet ma i miri e ma i keqi i shpisë, e kjo cing e ping me gojë s’mund të bajë. Cuca do të rrinë e pagojë, si në shtëpi, si në mal, si në punë. Gjithkush mundet me u la, me u krehë, me u veshë, e me u ndrrue e me u spitullue, cuca jo; ajo do të rrinë si zhadravele e zhelane, nëpër shpi e kudo. Gjindja e shpisë rrine rrancë votre, cuca do të rrijë si e vorfen në ndonjë skaj shpijet. Gjindja ulet në tryezë për me hangër bukë, cuca nje vonë do të hanë me fëmi, as me gra jo. Me kërkue kush ujë a shkado, cuca do të çohet. Cuca shqiptare, si të zanë me lshue shtat, atbotë fillon me ba punë doret për vedi, hem me hy nder punët e shpisë, me gatue bukë etj.

Cuca shqiptare asht edhe blegtoreshë. Vyen me e dijtë se shqiptarët e maleve, edhe të fushave, kurrë si çojnë cucat me dhi, por veç me dele e me kingja, ndoshta pse delet janë ma të buta e ma të urta e nuk tresin malit. Pra si të fillojë me lshue shtat cuca, atbotë fillon e ama e merr në kujdes cucën e vet. I vehet me msue me qepë, me rregë, me tjerrë, me ba kollçikë a këso punësh të tjera, që i duhen me dijtë gruas. E atbotë fillon cuca me shkue me dele vërrijave e rranxave të malit. Blegtoresha e re, tuj dalë shpijet me tufë delesh a kingjash, edhe punë doret merr me veti, a furkën për me tjerrë, a gjylpnerin e lamsha me ba kolçikë, a pëlhurë e pe e gjylpanë për me qepë kmishat. Çdo punë doret që të marrë me veti në mal cuca shqiptare, e merr tinëz e, pos nanet, tjetërkush s’ia sheh e s’ia dinë punën që ban kjo

Si ti largohet shpisë me dele, këto vihen me kullotë, e kjo ulet ndermjet tyne e ban punët e veta. Cuca shqiptare si në shpi, si në mal me gja, rrin vetun, në vedi, rrallë se rrin me ndonjë shoqe që e ka per zemer e, sa për djem, sis heh kush më atë krah ku të jenë cucat me dele. Këto rrinë në punë të vetë e djem në të venë. Pak me ju shmangë tufa, çohet më kambë dhe i ndjellë delet e veta e këto të bekuemet i gjegjen zanit edhe vinë e i rrinë përreth. Cuca shqiptare i bahet gadi martesës tuj qepë e tu punu e tuj punue në mal me gja, se në shpi, s’punon a në punoftë veç tinëz e në ndonji skaj të shpisë, ku se sheh kush, pos nanet e motrave, se për të marre të madhe e dinë me punue çiltas e nder sy të burrave ato punë që duhen për martesë.

 

 

 

Shpërndaje në: