Durmishi ia ndihmon pak Bulliqit n’fushatë: Në nëntor do të përfundojnë punimet në rrugën Podujevë – Prishtinë

Durmishi ia ndihmon pak Bulliqit n’fushatë: Në nëntor do të përfundojnë punimet në rrugën Podujevë – Prishtinë

Në fund të muajit nëntor do të përfundojnë punimet në rrugën Podujevë-Prishtinë. Kështu ka deklaruar zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Hysen Durmishi, i cili ka njoftuar se janë bërë disa ndryshime në projektin e ndërtimit të kësaj rruge.

Durmishi bëri të ditur se në vendet ku ishte paraparë ndërtimi i nënkalimeve për automjete do të zëvendësohen me rrethrrotullime, e kjo sipas tij do të ndikojë që përfundimi i rrugës të bëhet më shpejtë.

Zëvendësministri tha se të gjitha ndryshimet që do të bëhen në kuadër të projektit do të realizohen brenda vlerës së kontratës. Ndërkohë që ata patën edhe një takim me banorët aty por që këta të fundit thonë se nuk morën sqarime lidhur me projektin e kësaj rruge. Ata kanë kritika se ministria nuk bëri shpronësimin e tokave.

“Nënkalimet të cilat kanë qenë të parapara për automjete janë hequr nga projekti dhe janë zëvendësuar me rrethrrotullime dhe është shtuar edhe një rrethrrotullim shtesë në këtë rrugë. Arsyeja është për shkak se siç e dini parashihet të ndërtohet edhe autostrada Besi-Merdare dhe në momentin kur të përfundojë autostrada kjo rrugë nuk do ta ketë këtë fluks të madh të automjeteve, sepse automjetet me pesha të larta dhe ato që kalojnë transit do ta shfrytëzojnë autostradën. Janë bërë edhe disa ndryshime, janë shtuar disa mure mbrojtëse, është shtuar ndërtimi i urës këtu ku jemi që nuk ka qenë në kuadër të projektit dhe të gjitha këto do të realizohen brenda vlerës së kontratës që ka qenë e paraparë”, tha ai.

Ai u shpreh se ka edhe plan të ri dinamik për zhvillimin e punimeve në rrugën Podujevë-Prishtinë, e që tha se deri në fund të muajit nëntor do të jetë e përfunduar në tërësi.

“Një plan të ri dinamik për zhvillimin e punimeve këtu dhe deri në fund të këtij muaji, deri në fund të tetorit do të përfundojnë shumica e punëve këtu, do të përfundojë ndërtimi i urës, do të përfundojnë dy shtresat me asfalt dhe gjatë nëntorit do të punohet në përfundimin e mureve mbrojtëse, te varrezat e dëshmorëve ka përfunduar një mur mbrojtës dhe do të përfundon shtresa e fundit e asfaltit dhe ne planifikojmë që në fund të nëntorit të bëhet pranimi teknik i kësaj rruge dhe rruga të lëshohet në përdorim. Pra, ky segment i rrugës, kjo kontratë me 4.2 kilometra në fund të nëntorit do të jetë e përfunduar në tërësi”, u shpreh ai.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se ka pasur ngecje në këtë projekt, derisa u shpreh i bindur që tashmë me dinamikën e re ky projekt do të përfundojë shumë shpejtë.

“Do të shkohet me rrethrrotullime dhe besoj që ky do të na përshpejtojë këtë punë dhe si projekt ndoshta do të arrijmë më shpejt ta përmbyllim me sukses. Për ndryshe unë e kam besimin e plotë që qeveria jonë bashkë me Ministrinë e Infrastrukturës tash e tutje do të azhurnojnë të gjitha punët dhe angazhimin e tyre që procesin ta përmbyllim sa më shpejt që është e mundur, për arsye se ne po e shohim që nevojat e qytetarëve janë shumë të mëdha për këtë rrugë. Por njëkohësisht edhe numri i automjeteve të cilat qarkullojnë përditë në këtë arterie rrugore është jashtëzakonisht i lartë dhe nevoja ka qenë ndoshta e kamotshme që të përfundohet”, tha Bulliqi.

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Hysen Durmishi dhe kryetari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi, më pas kanë inspektuar punimet që janë duke u bërë në rrugën Podujevë-Prishtinë.

Projektin për rrugën po e duan banorët, por që të njëjtin nuk po mund ta sigurojnë nga ministria. Ata thonë se ende nuk është bërë shpronësimi i tokave aty.

Banori i kësaj ane, Safet Berisha që ka tokë në këtë pjesë, tha se disa herë kanë ndaluar edhe punën që kompania është duke e bërë, kjo derisa të mos kenë dokumente të cilat sigurojnë shpronësimin.

“Prej zëvendësministrit kërkuam një projekt me na dhënë për rrethrrotullim dhe për shpronësime por nuk na dhënë asgjë. Veç thanë ‘po, po’, dhe nuk morëm asnjë informata si duhet nga ta. Jo dyshim, por i kam 20 ari për shpronësim dhe asnjë letër nuk kam marrë për këtë. Kompania janë duke punuar, disa herë na u ka dashtë edhe me ta me u bo keq dhe mos me i lënë me punu. Kam qenë edhe në ministri por asgjë nuk u bë[…]projektin e kam kërkuar që 20 herë por nuk ka asnjë projekt”, tha ai.

Mertion Hyseni nga fshati Sibovc tha se projekti fillimisht ka pasë nënkalime e që tani ai është ndryshuar.

“Jemi interesuar për projektin që 3 vite, kemi qenë në Ministri të Infrastrukturë, projekti ka qenë me nënkalim, kemi prit shpronësimin por nuk u bë. Tash brenda një muaji ndryshoi projekti total, u bë me rrethrrotullime. Por zëvendësministri nuk diti të sqaroj sa është distanca prej tyre, as ku bie e as asgjë. Sot vetëm erdhi, gazetarët nuk i la me hy dhe nuk dha asnjë shpjegim, as dha nuk dha për shpronësim e as për punime”, tregoi Hyseni për medie.

 

Shpërndaje në: