E konfirmon Dekani Selimi: Është miratuar vendimi për ndarjen e titullit ‘Honoris Causa’ për Driton Kuka

E konfirmon Dekani Selimi: Është miratuar vendimi për ndarjen e titullit ‘Honoris Causa’ për Driton Kuka

Me iniciativën e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit, si dhe me përkrahjen e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Driton Kuka do të nderohet me titullin ‘Honoris Causa’.

Sukseset e shumta në sportin e xhudos dhe sidomos dy medaljet e fundit të arta, të fituara në Tokio në Lojërat Olimpike nga sportistet e Toni Kukës, kanë bërë që ky i fundit të shihet si një hero në vendin tonë.

Është raportuar gjatë ditës se Driton Kuka do ta marrë titullinn ‘Honoris Causa’ nga UP, dhe një gjë të tillë për Periskopin e ka konfirmuar edhe dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit, Musa Selimi.

“Po është e vërtetë. Në fakt nuk i është ndarë akoma, por është miratuar sot propozimi që t’i ndahet titulli ‘Honoris Causa’. Kjo ka ardhur si iniciativë e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit, me mbështetje edhe të rektorit”, ka thënë Selimi për Periskopin.

“Për t’i ndarë titullin do të zgjedhet një moment i veçantë, ndoshta edhe kur të largohet pak pandemia”, ka thënë mes tjerash dekani.

Driton Kuka është trajneri i skuadrës kosovare të xhudos. Me atletet si Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka, ai ka fituar medalje olimpike, kampionate botërore e evropiane, në gjenerata të ndryshme.

‘Honoris Causa’ është titull akademik që një universitet apo institucion i jep në mënyrë nderimi për kontributet një personi të shquar në një fushë të caktuar, apo përgjithësisht në shoqëri. Zakonisht, titulli shoqërohet me ceremoni solemne, që në rastin e Kukas, do të caktohet një ditë tjetër nga kjo e sotme kur u miratua vendimi. /Periskopi/

Shpërndaje në: