Editorial | BE-së nuk i ‘han palla’ për ne

Editorial | BE-së nuk i ‘han palla’ për ne

Raporti i progresit është më shumë formal e teknik sesa real e përmbajtësor. Skanimi i gjendjes së Kosovës është tepër sipërfaqësor që të merret seriozisht. Interpretimi i asaj që ndodhi në Kosovë më 2017 është i ngushtë dhe jodomethënës. Për shembull, vlerësohet ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, kritikohet përdorimi i gazit lotsjellës, kritikohen polarizimet në politikë, dhe jepen vlerësime të sipërfaqshme për punën e shumë institucioneve.

Edhe vetë fjalitë e raportit janë kopje të raporteve të mëhershme, gjë që tregon se Kosova nuk ka shënuar progres, por poashtu edhe që BE-së, që ta themi troç, nuk i bën për Kosovën. Ka punë më të rëndësishme, dhe probleme shumë më të mëdha. Rrezikon shpërbërjen, dhe ka përçarje aq të mëdha, të cilat presidenti francez Macron dje i quajti “përngjasim me luftën civile”.

Vetë BE-ja e vendosi në Kosovë projektin e internacionalizmit liberal. E vendosi sistemin politiko-ekonomik që gjeneron korrupsion. E dizajnoi flamurin tonë, e kompozoi himnin [të quajtur Evropa], e hartoi çdo nen të kushtetutës, dhe e la krejtësisht të papërfaqësuar përmbajtësisht shoqërinë kosovare. Asgjë nuk përçon frymën e kësaj shoqërie, sado primitive e e vrazhdë qoftë. Dhe gjithçka përçon frymën e BE-së. Kjo bën që, shoqëria jonë të ndihet krejt e zvetënuar në shtetin e saj, në institucionet që duhet t’i shërbejnë asaj – në simbolikën false të përfaqësimit. Vetë ekzistenca e shoqërisë, me vlerat autentike të saj, përbën një akt korrupsioni.

Në faqen 26 të raportit të progresit për vitin 2017, thuhet se partitë politike respektojnë kuotën gjinore dhe aktualisht janë 39 deputete gra në një kuvend prej 120 vetësh. Por, pranohet se kuotat gjinore nuk kanë pasur kurrfarë efektshmërie në rritjen e pjesëmarrjes së grave në votime. Dhe vërtetë, përfaqësueshmëria e grave në jetën politike nuk ka ndikuar as në rritjen e numrit të grave në punësim, as në rritjen e numrit të grave në jetën publike, e në asgjë. Sepse fryma e kësaj shoqërie është e ndrydhur. Të gjithë ne jemi thjesht dhe vetëm figurantë që lëvizen nga rekomandimet e këtyre raporteve që nuk thonë asgjë.

Interpretimi i vlerave liberale është monopolizuar nga BE-ja. Pra, kemi një monopol interpretues të gjithçkaje që quhet evropiane, edhe nëse ky interpretim është sipërfaqësor dhe shpesh me standarde të dyfishta.

Nuk është nevoja të shpallemi anti-evropianë kur themi se BE-ja ka bërë padrejtësi të mëdha ndaj qytetarëve të Kosovës. Mund t’i përmendim disa. E para, është mosliberalizimi i vizave që u përkthye në një izolim të tmerrshëm për ne. Të vetmit në Evropë. Si të ishim të egër. Më pas, patëm detyrimin për të nisur një palë negociata të reja për statusin e Kosovës më 2011, megjithëse e kishim shpallur pavarësinë më 2008. BE-ja, nuk arriti të fliste me një zë për Kosovën, duke qenë se toleroi pesë vende të saj që të mos e njihnin pavarësinë. Të mos flasim pastaj për Eulex-in, që dështoi keq.

BE-ja bën interpretimin e progresit, dhe të vlerave liberale, mbi interesat e saj strategjike. E kësisoj, deklarimet e Mogherinit në Kosovë janë përherë të mërzitshme dhe përsëritëse, njësoj siç janë raportet e progresit, përherë të mërzitshme dhe përsëritëse.

T’i kthehemi raportit: problemi kryesor i Kosovës thuhet të jetë zbatueshmëria. Kosova çalon në zbatimin ose implementimin e ligjeve të saj. Kritikohet, ta zëmë, se ekziston formaliteti i kërkuar por jo zbatueshmëria, përmbajtja, funksionaliteti i saj. Dhe faji për këtë praktikisht nuk i hidhet askujt në veçanti dhe secilit prej nesh në përgjithësi. Edhe kjo është hipokrizi. Ose thjesht shpërfillje.

Në Kosovë praktikisht janë vetëm dy politikanë, përveç përsëritësve karrieristë të BE-së: Kurti dhe ambasadori amerikan Delawie. Të tjerët janë biznesmenë në jetën reale, dhe figurantë në politikë që përqafojnë ligjërimin e raporteve dhe urdhërimet e ambasadorit Delawie. E që e lënë, krejt pa zë, të papërfaqësuar, shoqërinë kosovare. Ndërkohë që Kurti, e ka zënë thuaj krejtësisht hapësirën për kritikë, dhe është e vërejtshme, se edhe diskursi i tij lëngon mes një konformimi ndaj monopolit interpretues të BE-së, dhe të kundërtës, moskonformimit ndaj tij.

Qytetarët e Kosovës nuk e duan Kosovën. Sepse nuk ndihen të përfaqësuar në të. Dje, Periskopi ka përkthyer një shkrim “Identiteti nacional dhe pushteti politik” nga Andreas Wimmer, i cili shkruan se në ndjelljen e patriotizmit ndikon përfaqësueshmëria politike dhe jo demografia gjeografike, ose homogjeniteti brenda një vendi. Ilustrim më të mirë se Kosova për idenë e tij, nuk ka.

Lufta kundër korrupsionit duhet të fillojë nga këtu. Lufta ndaj çdo dukurie të keqe duhet të fillojë nga vetë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Shpërndaje në: