Ekrem Hyseni reagon ndaj Agim Veliut që po e viziton Gjermaninë si “kryetar i degës së LDK’ së”

Periskopi.com Lajme

Kryetari zyrtar i LDK-së në Podujevë, Ekrem Hyseni, i ka reaguar ish-kryetarit të Podujevës, Agim Veliut, për shkak se ky i fundit po e prezanton vetën si kryetar i degë së LDK-së në Podujevë.

Llapi konsiderohet një ndër bastionet e LDK-së, përkundër që në dy palë zgjedhjet e fundit atje, VV-ja fitoi kundrejt LDK-së.

Derisa kryetar komune s’mundi të bëhet asnjëri, Ekrem Hyseni dhe Agim Veliu nuk po e “lëshojnë” karrigen e kryetarit të LDK-së në Podujevë.

Humbja e zgjedhjeve nga LDK-ja në Podujevë, duket se e ka rikthyer në jetën politike Agim Veliun. Ky i fundit ishte shkarkuar nga pozita e kryetarit të LDK-së në Podujevë, nga vetë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Megjithatë, Veliu sot përmes një shkrimi e quajti vetën kryetar të Degës së LDK-së në Podujevë. E Hyseni ka thënë për Express se këtë post e mban vetë.

“Kryetar i LDK-së në Podujevë jam unë. S’e pasna pa këtë shkrim”, është shprehur Hyseni.

Me shkarkimin e Veliut, LDK-ja në Podujevë nuk mbajti fare zgjedhje të brendshme. Kryetar të Degës, Hysenin e emëroi Kryesia Qëndrore e LDK-së.

“Kryetar jam emëruar nga Kryesia Qendrore e LDK-së”, ka shkruar Hyseni.

Lidhur me takimin e Veliut që e mbajti sot në Gjermani, Hyseni tha se nuk është i informuar dhe nuk ka koment. Tutje, ai tha se dihet kush e udhëheq degën e LDK-së në Podujevë.

“Nuk kam ndonjë koment, nuk po e di çfarë takimi është, nuk kam informatë. Dihet kush e udhëheq degën e LDK-së në Podujevë”, shtoi Hyseni.

Fakti se asnjëri nga “kryetarët” nuk po lëshon pe, jep të kuptojmë se mund të krijohet konflikt brenda LDK-së në Podujevë.

Zgjedhjet lokale janë mbajtur vetëm që tre muaj, e ato të radhës nuk janë as afër. Megjithatë, Agim Veliu duket se ka synim të garojë përsëri për të parin e Podujevës nën logon e LDK-së