Emini: Gjuha raciste e Liburn Aliut tenton ta tregojë Vetëvendosjen si instancë legjitimuese për kapjen e shtetit

Emini: Gjuha raciste e Liburn Aliut tenton ta tregojë Vetëvendosjen si instancë legjitimuese për kapjen e shtetit

Studiuesi i filozofisë dhe njohësi i çështjeve politike, Ridvan Emini nëpërmjet një postimi në Facebook ka analizuar gjuhën e përdorur të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu teksa ky i fundit tenton t’i arsyetojë emërimet e zyrtarëve të Vetëvendosjes nëpër borde.

Emini, nëpërmjet këtij postimi thotë se Aliu ka përdorur gjuhë raciste, fyese e ofenduese ndaj të gjithë atyre që nuk janë militantë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai më tutje thotë se kapja e bordeve nuk mund të arsyetohet me të qenit anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, madje thotë se aktivistët e VV-së të emëruar nëpër borde janë bërë kriminelë derisa kanë pranuar punë të tillë pa konurs.

“Vetëvendosja si instancë legjitimuese e kapjes dhe aktivisti si institucion supra-ligjor janë dy shpikjet e fundit të Vetëvendosjes, e gjuha raciste, fyese e linçuese s’është gjë e re.”, tha Emini më tutje.

Lexoni postimin e plotë të Eminit:

Lartësimi i dikujt kundrejt të tjerëve nuk ka emër tjetër përveç se racizëm. Racizmi mund të jetë i pranishëm në veprimet shoqërore, praktikat, apo sistemet politike. Figura e Albin Kurtit është lartësuar nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje prej vitesh nën emrin se vetëm ky është ai i pa-korruptuari dhe vetëm ky mund ta drejtojë vendin më së miri. Nuk mjafton vetëm Albini, ai duhet të rrethohet nga aktivistët në qeverisje të bordeve.

Liburn Aliu njëri nga drejtuesit e VV-së, në tentimin e tij për justifikimin e kapjes së bordeve, lëshohet në ofendime e gjuhë linçuese deri në racizëm. Liburni, për më tepër, tenton të artikulojë aktivistin e Vetëvendosjes me tone superlative gjuhësore duke përbuzur të gjithë njerëzit ‘normal’, në sensin e paaftësisë dhe pamundësisë për të qenë të denjë profesionalisht dhe në aspektin akademik.

Deviza se aktivisti i Vetëvendosjes, ani pse anëtar, është profesionist është hiç më pak se arsyetim i “krimit institucional”. Ai thotë se aktivisti nuk është fajtor për kapjen e shtetit e korrupsionin, pasi këto bëhen nga hajdutët, mercenarët, kriminelët, e jo ata që militojnë për një ideal, por ama Liburn, këta aktivistët militantë, janë bërë hajdutë, mercenarë e kriminelë në momentin që kanë pranuar punë të tillë, pa konkurs. Liburn, idealisti i një ideje të madhe, s’do ta kishte bërë.

Liburni, e legjitimon të qenit drejtor i bordit duke qenë anëtar i Vetëvendosjes. Anëtarësia në Vetëvendosje si instanca legjitimuese e kapjes së shtetit dhe aktivisti si institucion supra-ligjor për arsye të superioritetit të pretenduar moral, profesional e akademik është demagogji dhe racizëm.

Liburni, i hidhëruar deri në marrim, arsyeton periudhën e shkurtë të militantëve në Vetëvendosje me postet që kanë marrë, por harron se Ligji kërkon së paku dy vite mos-aktivitet politik për të qenë pjesë e bordeve të tilla. Liburni, duke tentuar t’i mbrojë militantët e Vetëvendosjes, përbuzë, ofendon dhe ushtron racizëm ndaj gjithë njerëzve tjerë, si të paaftë dhe të pamjaftueshëm.

Vetëvendosja si instancë legjitimuese e kapjes dhe aktivisti si institucion supra-ligjor janë dy shpikjet e fundit të Vetëvendosjes, e gjuha raciste, fyese e linçuese s’është gjë e re.

Shpërndaje në: