‘Fast food’ në takimin Kurti -Vuçiq, por çka shërbehej dikur kur në tavolinë ishte Thaçi e Mogherini

‘Fast food’ në takimin Kurti -Vuçiq, por çka shërbehej dikur kur në tavolinë ishte Thaçi e Mogherini

Albin Kurti e Aleksandër Vuçiq, me ndërmjetësimin e udhëheqësve të BE’së sot nisën takimin e tretë me radhë, si vazhdim i procesit të dialogut. Në tavolinën ku u ulën gjitha palët, në sy ra ushqimi i bollshëm dhe pijet. Më konkretisht, aty kishte sandwich në formë të hamburgerit dhe Coca-Cola (normale dhe zero për ata që nuk konsumojnë sheqerin). Po besojmë tek secili prej nesh, ka lindur pyetja pse pikërisht ky ushqim?

Në fakt, nuk ka ndonjë shpjegim, ose të paktën nga Bashkimi Evropian pse kanë shërbyer këtë lloj ushqimi dhe pije, të njohura ndërkombëtarisht. Përpos faktit që hynë në grupin e ‘fast foods’, ndoshta mund të aludohet se edhe kjo pjesë kishte një mesazh. Mos ndoshta përshpejtimin e procesit të dialogut dhe arritjen sa më të shpejtë të një marrëveshje finale. Sido që të jetë, po urojmë t’i kenë ngrënë të tërat dhe të ketë pasë ndonjë progres në raundet e para të bisedimeve të kësaj dite, shkruan Periskopi.

Çka shërbehej në tryezën Thaçi-Vuçiq

Kur jemi tek përmbajtja e tryezës, me palë kosovare e serbe, dhe ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, përpos dokumenteve para vetes, për dallim nga ajo e Kurtit-Vuçiq, kur Hashim Thaçi udhëhiqte bisedimet e nivelit të lartë politik, shihet se para vetes zakonisht kishin vetëm ujë apo lëng portokalli.

Pra bëhet fjalë për bisedimet që udhëhiqeshin nga Frederica Mogherini.

Sa i përket bisedimeve të sotme, që nga ora 10:30 kanë nisur takimet, njëherë ndaras e pastaj ai trepalësh, dhe sërish takimet ndaras me BE’në e Gabriel Escobarin e SHBA’së dhe po pritet në çdo moment  që të kemi një deklaratë zyrtare nga Joseph Borrell.

Edhe dje, Kurti dhe Vuçiq kanë zhvilluar takime ndarazi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe më vonë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, si dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kurti ka thënë para mediave se në takim me Lajçakun dhe Escobarin është diskutuar për “elemente të kornizës për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, që duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, si dhe për çështjet aktuale”.

“Pritet të trajtohen të gjitha marrëdhëniet bilaterale, me të gjitha vështirësitë dhe pengesat”, ka thënë ai duke iu referuar takimit të së enjtes.

Historiku i bisedimeve me Serbinë

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur 11 vjet më parë.

Deri më tani janë arritur më shumë se 20 marrëveshje në fushat si ajo e energjisë, telekomunikacionit, drejtësisë, doganave, lirisë së lëvizjes, por jo të gjitha janë zbatuar.

Deri në vitin 2018, dialogu është udhëhequr në kombinime të ndryshme nga ish-kryeministrat e Kosovës, Hashim Thaqi dhe Isa Mustafa dhe ish-kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq dhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Robert Cooper, diplomat britanik në pension, ka qenë ndërmjetësues në negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kur Catherine Ashton ka qenë Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Dialogu është ndërprerë më 2018 dhe ka rifilluar më 2020.

Në nëntor të vitit 2018, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pati vënë taksë 100 për qind në mallrat serbe.

Për këtë arsye Serbia nuk ka dashur të kthehet në tavolinën e bisedimeve, derisa Kosova ka refuzuar të anulojë taksën.

Më 2019, dialogu është ndërmjetësuar nga shefja e atëhershme e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.

Një vit më pas, BE-ja ka emëruar Miroslav Lajçak-un si ndërmjetësues të posaçëm në dialog.

Po atë vit, Shtetet e Bashkuara e kanë emëruar Richard Grenellin si të dërguarin e tyre për këtë proces.

Megjithatë dialogu nuk ka vazhduar, pasi në tetor të vitit 2019 janë mbajtur zgjedhjet në Kosovë – të cilat i ka fituar Albin Kurti – si dhe BE-ja ka zgjedhur zyrtarët e rinj.

Më 1 dhjetor të vitit 2019, Mogherini është zëvendësuar nga spanjolli, Josep Borrell.

Pasi Kurti është zgjedhur kryeministër i Kosovës, dialogu ka vazhduar më 2021, ndonëse ai ka takuar Vuçiqin vetëm dy herë./PERISKOPI/

 

 

 

Shpërndaje në: