Festimet që habitën botën, nga Balotelli te Shaqiri

Festimet që habitën botën, nga Balotelli te Shaqiri

Festimet e futbollistëve pas golave marrin menjëherë famë, teksa përveç festimeve normale që mund të bëjë një lojtar pas golit, nuk mungojnë raste më të çuditshme të festuarit, ndërsa nuk mungojnë as provokimet ndaj tifozerisë rivale.

Në këtë mënyrë ka qenë britanikja “Daily Mail”, e cila ka bërë një përmbledhje dhe ka kthyer në memorien e fansave festimet origjinale të disa futbollistëve, të cilët pas festimeve të tyre kanë marrë vëmendjen e sportdashësve në gjithë botën.

Në listë nuk mund të mungonte festimi epik i Xherdan Shaqirit në Botërorin e Rusisë, përballë Serbisë. Sulmuesi shënoi një gol vendimtar dhe nuk mundi të mos shfaqte origjinën shqiptare përballë një rivali të betuar historikisht.

Ndërkaq, në listë nuk mund të mungonte festimi i famshëm i Mario Balotellit, në kohën kur aktivizohej për Manchester Cityn, “Why always me ? ”, i cili ende është në modë dhe nuk mund të harrohet.  Edhe festimi në EURO 2012 i Nicklas Bendtner ka mbetur në memorie, ndërsa futbollisti ngriti bluzën duke i bërë reklamë një kompanie bastesh.

Në listën e “Daily Mail”, është festimi i Luis Suarezit në kohën kur ishte te Liverpooli. Sulmuesi ishte akuzuar nga trajneri Moyes i Tottenhamit se ishte një simulues dhe hidhej, uruguaiani shënon dhe feston duke u hedhur para Moyes. Më pas është festimi i Adebayorit, i cili  u transferua nga Arsenali drejt Manchester Cityt, por kjo nuk e pengoi sulmuesin në momentin kur shënoi ndaj Arsenalit, të festonte pikërisht para tifozëve të këtyre të fundit.

Në fund festa e Robbie Fowler, ish-sulmuesit të Liverpoolit. Në fakt, Fowler e ekzagjeroi, teksa pasi shënoi ndaj Evertonit, u afrua pranë vijës fundore dhe imitoi gjestin e marrjes së kokainës. Ishin këto disa nga festimet më epike por që gjithashtu kanë shkaktuar shumë polemika, megjithatë kanë mbetur gjatë në mendjen e tifozëve të futbollit.

Shpërndaje në: