Foshnja që për tre muaj qëndroi e vetme në spital gjatë luftës – Momenti kur takohet me gruan që e ka shpëtuar

Foshnja që për tre muaj qëndroi e vetme në spital gjatë luftës – Momenti kur takohet me gruan që e ka shpëtuar

Gjatë gjithë bombardimeve, Flaka qëndroi e vetme në spitalin e Prishtinës. Prindërit nuk e panë vajzën e tyre për tre muaj dhe nuk kishin asnjë informatë nëse ajo ishte gjallë. Në kohën kur flaka ishte e vetme në spitalin e Prishtinës një grua nga Prishtina i bëri asaj një shenjë në këmbën e majtë.

Më 17 mars të vitit 1999, Hatixhe Muriqi, nga rrethi i Pejës mori në telefon spitalin e qytetit.  Ajo ishte në prag të lindjes së fëmijës së saj të parë.

“Një javë përpara e kanë vrarë një mjek dhe thanë ne nuk guxojmë kurrqysh të vijmë në shtëpi. Kemi ndejtë edhe dy-tri orë deri në orën 4 bë mëngjes dhe e kemi thirre ndihmën e parë. Na kanë thanë çka është në pyetje dhe i thamë se është lindje dhe lindja  e parë”, përshkruan natën e 17 marsit Hatixhe Muriqi.

Qyteti i Pejës ishte i mbushur me policë dhe ushtarë serbë. Në shumë vende të Kosovës luftimet po shtoheshin.

“Kur erdhën na thanë që spitali është plot policë dhe nuk keni ku rrini. Unë shkova vetëm me shoferin dhe teknikum medicinal. Më kanë kontrolluar mjekët, erdh lindja. Lindi normal, mire lindi por erdh duke iu keqësuar gjendja”.

Gjendja shëndetësore e bebes u keqësuar dhe mjekët i thanë se ajo duhet të dërgohet në Prishtinë. Nëna e saj u desh të qëndronte në Pejë për mjekime të tjera, derisa vajza u dërgua në Prishtinë nga hallat e saj.

Hallat e saj u kthyen në Pejë.

Dy ditë më vonë nëna kishte vendosur që të shkonte në Prishtinë tek vajza e saj. Por situata në Kosovë u keqësua edhe më shumë.

“Unë nuk mund të shkoja më, sepse nuk kishte qarkullim për në Prishtinë, u mbyllën krejt lëvizjet”, tha ajo për REL.

Ajshe Rexhbogaj, ishte një bashkëvendëse e familjes Muriqi që jetonte në Prishtinë.

Ajo kishte shkuar ta vizitonte Flakën në spital.

Para se të ikte për në Maqedoni, Ajshja bëri një veprim jo të zakonshëm. Ajo mori një gjilpërë dhe e bëri me ngjyrë të kaltër, ngjyrë kjo që përdorej për vula. Ajo i bëri Flakës një shenjë në këmbën e majtë.

Sipas saj, kjo ishte mundësia e vetme që Flaka të identifikohej në momentin që kërkohej nga familja.

“Kemi shkuar me autobusin e mëngjesit për në Prishtinë. Jemi afruar te dera, i kemi rënë ziles. Kur doli Ajshja në derë ia nisi të qajë me zë. Lumja unë kush më kanë ardhë prindërit e Flakës, tha ajo. Ne nuk e kemi ditur se ia ka lënë emrin Flaka. Na prindërit dhe krejt familja ia patëm lënë emrin Erona”, shton zonja Muriqi.

20 vite më pas, pas kthimit nga Amerika, Ajshe Rexhbogaj u ritakua me Flaken.

Shpërndaje në: