“Gati për luftë me rusët”, flet Emanuel Bazanji, ushtaraku shqiptar në Ukrainë

Periskopi.com Lajme

Emanuel Bazanji ka shërbyer për disa vite në ushtrinë shqiptare në batalionin e këmbësorisë. I dha fund karrierës ushtarake në Tiranë por prej dy vitesh e vazhdon atë si pjesë e ushtrisë të Ukrainës.

Në një intervistë për gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu  ai tregon përse e mori vendimin të rreshtohet me ushtrinë e këtij vendi, i cili plot ankth pret nga momenti në moment të pushtohet prej Rusisë. “Jemi gati edhe me ndihmën e aleatëve thotë Emanueli të përballojmë çdo sulm të rusëve”.

Muhamed Veliu: Emanuel faleminderit për këtë intervistë me mua në Top Channel. Sa kohë keni që ju keni shkuar në Ukrainë?

Emanuel Bazanji: Ju falënderoj zoti Veliu gjithashtu. Përshëndetje nga Ukraina. Bëhen shumë shpejt gati dy vjet që unë jetoj këtu në Ukrainë.

Muhamed Veliu: Si shkuat në Ukrainë dhe si ndodhi ti bashkoheshit ushtrisë ukrainase?

Emanuel Bazanji: Fillimet e mija këtu nuk kanë qenë të lidhura drejtpërdrejtë me luftën. Unë thjesht kam ardhur në këtë vend për të nisur një jetë të re, plus për të dhënë një ndihmesë ndaj popullit ukrainas sepse edhe gjatë luftës në Ish-Jugosllavi shumë shqiptarë e mbajnë mend historinë, nuk është nevoja ta përsëris. Por shumë shqiptarë që e kanë memorien e freskët e kujtojnë se çfarë vuajti Kosova dhe Shqipëria gjatë konfliktit në Ish-Jugosllavi. 

Pastaj ndodhi në Gjeorgji në 2008 e njëjta gjë tani po ndodh në Ukrainë. Duke marrë parasysh që aktori kryesori të gjithë këtyre, që lidhet edhe me politikën e jashtme, hegjemoninë që përdor Rusia është dhuna bashkë me agresionin që ushtron ndaj popujve. Unë jam lidhur me Mamukun, ai është një veteran i luftës së Gjeorgjisë, veteran në luftën e Çeçenisë, veteran i luftës së Ukrainës dhe gjithashtu shumë pjesëtar të grupit tim ku jam momentalisht ku kemi miqësi të ngushtë sigurisht, kanë marrë pjesë në luftën e Kosovës me KFOR dhe kanë bërë të mundur zmbrapsjen e trupave serbe nga territoret e Kosovës. Kështu ka qenë ardhja ime këtu në Ukrainë duke u lidhur zyrtarisht me Mamukun.

Muhamed Veliu: Cilat janë detyrat tuaja si ushtarak në atë formacion ku bëni pjesë?

Emanuel Bazanji: Dua të qartësoj diçka. Shumë njerëz e kanë quajtur këtë me fjalët më të çuditshme. Ne jemi një forcë tokësore e ushtrisë së rregullt të Ukrainës. Forcave të Armatosura të Ukrainës quajtur ZSU. Siç e thash pjesë e forcës tokësore, brigadës së motorizuar . Jemi më të mëdhenj se kaq. Numri shkon në shifra të mëdha. Brigada e këmbësorisë e motorizuar ka për detyrë avancimin e forcave të këmbësorisë, lëvizjen dhe të përparojë në formacione drejt luftimit të shpejtë se sa një këmbësori e thjeshtë.

Muhamed Veliu: A ka të tjerë shqiptarë apo qytetarë nga Ballkani që I janë bashkuar ushtrisë së Ukrainës?

Emanuel Bazanji: Është një pyetje interesante dhe e bukur. Këtu në Ukrainë ka shumë Shqiptarë që janë pjesë e ushtrisë së Ukrainës. Pjesa me e madhe e tyre janë shqiptarë të Ukrainës, të lindur e rritur këtu. Top Channel në të shkuarën ka bërë një dokumentar shumë të bukur për ata. Flasin Shqip me mua kur i kam takuar. Unë jam me shqiptarë këtu por jo të ardhur apo lindur në Shqipëri. Nga Ballkani janë shumë. Ka nga Sllovenia, Kroacia nga Mali I Zi një djalë. Shiko janë nga 27 vende të botës. Pjesa më e madhe që jemi zyrtarisht në angazhuar në ushtrinë ukrainase pjesa më madhe janë amerikan, britanik , francez, australianë kemi patur kolegë edhe nga Japonia madje. 

Dua të nënvizoj faktin që ne jemi në një repart I rëndësisë së veçantë, pjesë elitare e ushtrisë së Ukrainës. Është klasifikuar si repart i operacioneve special, pasi është ndër repartet më të vjetra që ka patur Ukraina që në fillimin e luftës në vitin 2014 mbas revolucionit  Euro-Maidan, kur nisi lufta. Më lejoni të nënvizoj se ky repart në fillimet e luftës ka qenë trajnues. Njëkohësisht ka qenë edhe në front gjatë luftës. Tani pjesa më e madhit e grupit janë nga forcat special amerikane, britanike përfshi NAVY SEALS, SAY apo GREEN BERETS dhe gjeorgjianët janë tërësisht të trajnuar në institucionet më prestigjioze, akademitë ushtarake amerikane.

Muhamed Veliu: Ukrainë sot është lajm botëror. Meqenëse ju jeni atje në terren, sa i afërt apo i largët është pushtimi rus?

Emanuel Bazanji: Më vjen mirë që televizioni juaj Top Channel e trajton shpesh këtë temë. Jam I lumtur për këtë informim në mënyrë që njerëzit të dinë se çfarë po kalon ky popull këtu çfarë vuajtjes ata kanë çdo ditë. Lufta e ftohtë nuk është thjesht një luftë me fjalë. I rëndon njerëzit psikologjikisht. Duke parë këtu fytyrat e njerëzve, se në çfarë gjendje është Ukraina sot mendoj se mund të jetë çështje orësh deri çështje ditësh. Nuk diskutojmë muajt. Kjo në bazë të informacioneve sjellë tek në nga amerikanët dhe aleatët e NATO-s.

Muhamed Veliu: Si po e përjeton populli Ukrainës këtë prag lufte?

Emanuel Bazanji: Është një situatë shumë e vështirë tek sa shikon nënat, fëmijët , njerëzit të hutuar në qytet duke u munduar të blejnë çdo gjë vetëm e vetëm për të mbijetuar. Po marrin rezerva uji e karburanti duke e ditur që këtu temperaturat shënojnë minus gradë celcius. Jeta e qytetarëve mund të rrezikohet shumë kollaj gjatë kësaj periudhe ku është pandemi sigurisht. Ka kaos në mendjet e njerëzve se rusët do ti bombardojnë e godasin. Është një frikë shumë e madhe. Nuk flas këtu për aspektin e ushtarakëve. Ne jemi këtu. Kemi një detyrë. I kemi dhënë një premtim qeverisë ukrainase sepse jemi të gjithë me dokumentacion, kontrata. Jemi një pjesë e këtij vendi për ta ndihmuar.

Muhamed Veliu: Nëse Rusia do të ndërmarrë pushtimin e Ukrainës, ai ka ky vend kapacitetet ushtarake për tu vetëmbrojtur dhe e ndaluar agresionin rus?

Emanuel Bazanji: Ukraina në vitin 2014 mbas revolucionit të Euro-Maidanit ishte shumë e dërrmuar që nga koha e ish Bashkimit Sovjetik. Rusia ishte shumë e lumtur për këtë ta shihte ushtrinë e rregullt të këtij vendi, në atë gjendje. Sot që flasim në këto momente që po ju jap këtë intervistë, Ukraina dhe ushtria e saj i ka kapacitetet për tu mbrojtur. Jam shumë i sigurt që me ndihmën e amerikanëve, britanikëve dhe aleatëve të tjerë, përmes të cilëve jemi ndihmuar kohët e fundit, përfshi mbështetje politike përmes sanksioneve ndaj Rusisë nga vendet e Europës dhe SHBA, Ukraina është e aftë ta përballojë një sulm të plotë. Kjo duke marrë në konsideratë se çfarë asetesh kemi, vend strehime modern për popullsinë. Është një strukturë e mirë-organizuar për këtë luftë sepse ka përgatitje gjatë këtyre 8 viteve të fundit për më të keqen. Është diçka shumë e mirë që i kemi këto asete dhe aftësi për tu mbrojtur.

Muhamed Veliu: Si e ka pritur familja juaj në Shqipëri vendimin që morët për të shkuar në Ukrainë e më pas ti bashkoheshit ushtrisë vendase atje?

Emanuel Bazanji: Më beso zoti Veliu, kjo është një pyetje shumë personale. Megjithatë po ju përgjigjem. Shumë njerëz që më njohin në Shqipëri, ish kolegë të forcave të armatosura që i kam patur shok e me ata ndaj shumë kujtime të bukura përfshi pasjen e shumë respekt për ata përfshi të gjithë shqiptarëve që do ta shohin e lexojnë këtë intervistë dua tu them këtë. Unë në këtë shtet, në këtë jetë të re që kam nisur këtu jam I vetëm për faktin që asnjë prej antarëve të familjes time nuk është më në jetë, përfshi edhe vëllain tim të vogël. Kështu çdo gjë që kam nisur këtu e kam nisur për qëllimet e mija bazuar në anën emocionale dhe atë të zemrës. 

Dua të ndihmoj këtë popull mos të  vuajnë atë që shqiptarët e Kosovës vuajtën gjatë kohës së Ish-Jugosllavisë, në kohën e luftës në Gjeorgji dhe në kohën e sotme të prag luftës në Ukrainë. Unë e kam bërë këtë edhe për faktin që Shqipëria të njihet si një vend me njerëz pozitiv që mund të ndihmojnë dhe nuk jemi ata të vetmit e veprave të këqija në vendet e huaja. Jam munduar që Shqipërinë dhe medaljen që kam marrë këtu, ia kam dedikuar të gjithë popullit shqiptarë dhe të gjithë njerëzve që më kanë dashur dhe mbështetur. Jam shumë i lumtur që kur e dëgjojnë fjalën Shqipëri thonë uauu Shqipëria po na ndihmon. Këdo që takoj u them se edhe Kosova është Shqipëri. 

Edhe Kosova ka bërë deklarata të forta për ta ndihmuar Ukrainën. Unë jam këtu si një individ , kam edhe jetën personale pasi jetoj në këtë vend zyrtarisht dhe kam zgjedhur të jetoj këtu nuk kam zgjedhur të jem pjesë e ushtrisë greke, franceze apo amerikane siç janë shumë shqiptarë të tjerë. Kam zgjedh që jeta ime të jetë këtu dhe çdo gjë që ndodh ta përballoj.

Muhamed Veliu: Kur në Shqipëri duke iu referuar një media amerikane u dha lajmi për përfshirjen tuaj në ushtrinë e Ukrainës, ka patur komente nga më të ndryshmet. Besoj I keni lexuar.  Çfarë ndjesie ju kanë lënë pasi shumë prej tyre ishin me tone shume negative kundrejt jush?

Emanuel Bazanji: Nuk kam patur mundësi ti lexoj të gjitha komentet. Le te themi shkarazi kam mundur të lexoj disa prej tyre kur më është dhënë mundësia. Shumë shqiptarë kanë përdorur ofendime nga më banalet gjë e cila nuk të lë një ndjesi të mirë, që një shqiptarë shprehet ashtu për një tjetër shqiptarë. Shumë prej tyre e kanë quajtur ardhjen time këtu çmenduri. Shumë të tjerë e kanë vlerësuar atë që po bëj këtu si diçka ilegale. Të tjerë e kanë lidhur me politikën apo me fenë. 

Dua tu them çdo shqiptari se kjo nuk ka të bëjë as me besimin fetar as edhe me politikën. Kjo pasi ne këtu jemi të gjithë ushtarë të rregullt. Zbatojmë detyrat e vendit që kemi zgjedhur të shërbejmë e të jetojmë jetën tonë. Këtu jam për momentin kjo është jeta ime e këtë kam zgjedhur. Thjesht ndjehesha I trishtuar kur lexoja ato komente nga bashkëkombësit e mi e komete të tjera nga të huajtë. Nuk I prisja këto komente nga bashkatdhetarët e mi pasi kam kaluar disa vite të jetës time në Shqipëri packa se jam larguar e nisur një jetë të re, Shqipërinë e kujtoj dhe më merr malli për Shqipërinë.

Muhamed Veliu: Emanuel faleminderit për të gjitha këto komente në këtë intervistë tuajën nga Ukraina për Top Channel.

Emanuel Bazanji: Edhe unë ju falënderoj Zoti Veliu për punën që bëni. Uroj të gjithë shqiptarët përmes jush për një shëndet sa më të mirë gjatë këtyre kohëve të pandemisë të jeni të sigurt e të mbrojtur. Ju përshëndes të gjithëve nga Ukraina. Ju falënderoj.