Gjykata dënon avokatin Besnik Berisha me 500 euro

Periskopi.com Lajme

Pasi Apeli prishi vendimin e Gjykatës së Pejës për gjobitjen e mbrojtësit të pandehurit Shaban Gogaj, avokatit Besnik Berisha, kjo e fundit sërish ka gjobitur avokatin Berisha me 500 euro, sipas udhëzimeve të Gjykatës së Apelit.

Një vendim të tillë e ka marrë kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, më 1 shtator 2021, e cila në dispozitivin e vendimit ka shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 500 euro ndaj Berishës për prishjes së rendit në seancë gjyqësore.

“Deri te vendimi mbi dënimin me gjobë të avokatit Besnik Berisha në seancën e datës 28 qershor 2021, kryetarja e trupit gjykues ka ardhur bazuar në dispozitën e nenit 302, par.1 të KPRK-së, pasi që i njëjti ka prishur rendin dhe qetësinë në gjykatë disa herë, i është tërhequr vërejtja dhe sërish ka vazhduar me prishje të rendit”, thuhet në arsyetimin e gjykatëses Husaj-Rugova.

Sipas arsyetimit të vendimit të Gjykatës së Pejës, avokati Berisha i ishte drejtuar kryetares së trupit gjykues se ishte e padenjë të drejtonte shqyrtimin kryesor, paragjykuese dhe se ishte e njëanshme.

“Në seancën e 7 maj 2021, para se gjykata të lëshohet në shqyrtim gjyqësor e mbrojtësi në fjalë kërkon fjalën dhe i drejtohet gjykatës: “se ka humbur besimin dhe se ju e keni paragjykuar çështjen” me pretendimin e tij në vazhdim, pastaj “ju keni lënë njollë në drejtësi”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Pejës.

Në arsyetim thuhet se gjykatësja ia kishte tërhequr vërejtjen mbrojtësit Berisha pasi i njëjti ka marrë fjalën pa lejen e gjykatës duke e njoftuar për pasojat dënimit me gjobë.

“Pra, siç rrjedh nga të lartëceurat, mbrojtësi ka prishur rendin dhe qetësinë në gjykatë disa herë gjatë shqyrtimit gjyqësor kur i drejtohet kryetares së trupit gjykues, “e padenjë për të udhëhequr këtë shqyrtim gjyqësor, “paragjykues i çështjes”, pastaj kur bën komente merr fjalën pa lejen e gjykatës, kur i drejtohet dëshmitarit se “keni dalë atje si kozmetikë”, si dhe për secilin rast kryetrja e trupit gjykues i ka tërhequr vërejtjen, e po ashtu siç u cek më lart, është njoftuar për pasojat”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Pejës.

Ndryshe, Gjykata e Apelit më 1 shtator 2021 e ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të të pandehurit Shaban Gogaj, avokatit Besnik Berisha dhe e ka kthyer në rivendosje vendimin e Gjykatës së Pejës për dënimin me gjobë ndaj avokatit Besnik Berisha.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Apeli arsyeton se Gjykata e Pejës nuk ka dhënë arsye të qarta në lidhje me shqiptimin e dënimit me gjobë ndaj avokatit Berisha.

“Nga arsyetimi i vendimit nuk është e qartë nëse gjoba mbrojtësit av. Besnik Berisha është shqiptuar për shkak të prishjes së rendit ose mosbindjes së urdhrave të gjyqtarit-kreytarit të trupit gjykues, ngase në arsyetim vetëm konstatohet se i është tërhequr disa herë vërejtja që të mos pengojë punën pa dhënë sqarime se kur dhe si është tërhequr vërejtja, ngase vërejtja duhet rrjedhimisht të konstatohet dhe t’i bëhet me dije për pasojat që mund t’i pasojnë sipas kësaj dispozite ligjore, duke cekur saktësisht këto konstatime procedurale apo se përsëritjen nga i njëjti trup gjykues është paragjykues e konsideron si prishje të rëndit gjegjësisht pengimin e punës së gjykatës apo mosbindja e urdhrit të gjykatës”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Ndryshe, më 28 qershor të këtij viti, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Husaj-Rugova, e ka përjashtuar avokatin Besnik Berisha nga mbrojtja e Shaban Gogaj.

Kjo pasi, avokati Berisha i ishte drejtuar trupit gjykues me fjalët “paragjykues të çështjes penale”.

Fillimisht, për këtë ai është dënuar me 500 euro gjobë, për çka, avokati Berisha nuk ka ngelur i befasuar e duke u shprehur me fjalët “shyqyr që ekzistojnë shkallët e tjera”.

Pas kësaj, gjykatësja Husaj-Rugova mori aktvendim për përjashtimin e tij.

Me dënimin me gjobë dhe përjashtimin e avokatit Besnik Berisha nga mbrojtja e të akuzuarit Shaban Gogaj, nuk është pajtuar Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), ku kjo e fundit e ka cilësuar këtë vendim, cenim të nderit dhe profesionit të avokatisë.

Në arsyetimin e vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se gjykatësja Violeta Husaj-Rugova nuk kishte përfshirë në procesverbal të gjitha deklarimet e bëra në atë seancë.

Si rrjedhojë e kësaj, Këshilli Drejtues ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJ), të bëjë vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit të Gjykatës së Pejës për dënimin dhe përjashtimin e avokatit Besnik Berisha.

Përveç kësaj, Këshilli ka kërkuar nga kryetari i Gjykatës së Pejës, Armend Berisha, që përveç vlerësimit të vendimeve, të bëjë edhe inicimin e procedurës disiplinore ndaj gjykatëses Violeta Husaj-Rugova.

Ndërsa, sipas Këshillit Drejtues, deri në përfundimin e hetimeve disiplinore ndaj avokatit Berisha nga prokurori disiplinor i OAK-së, nuk do të bëjë caktimin e avokatit sipas detyrës zyrtare ndaj të pandehurit Shaban Gogaj, në rast të kërkesës nga Gjykata Themelore në Pejë.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, gjegjësisht kryetari Armend Berisha ka refuzuar kërkesën e Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK) që të inicojë procedurë disiplinore ndaj gjykatëses Violeta Husaj-Rugova.

Sipas burimeve brenda gjykatës, “Betimi për Drejtësi” merr vesh se Gjykata e Pejës nuk e ka gjetur të bazuar kërkesën për inicim disiplinor dhe rishqyrtim të vendimit për përjashtimin e avokatit Berisha dhe si rrjedhojë, kjo kërkesë është refuzuar si e pabazuar.

Kurse, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ka thënë se nuk mund të ndërhyjë në punën profesionale të gjyqtarëve pasi institucioni që e udhëheq merret vetëm me administrimin e gjyqësorit në përgjithësi.

Këtë përgjigje Zogaj ia ka kthyer kryetarit të Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), Behar Ejupi, kur ka refuzuar të bëjë vlerësimin e ligjshmërisë së aktvendimit të Gjykatës së Pejës, e cila ka gjobitur dhe përjashtuar avokatin Besnik Berisha nga mbrojtja e të akuzuarit për vrasje, Shaban Gogaj.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë./BetimipërDrejtësi/