Gjykimi i Salih Mustafës, mbrojtësja e viktimave kërkon fond mirëbesimi për viktimat

Gjykimi i Salih Mustafës, mbrojtësja e viktimave kërkon fond mirëbesimi për viktimat

Në seancën e sotme gjyqësore ndaj Salih Mustafës në Hagë, mbrojtësja e viktimave Anni Pues ka kërkuar fond mirëbesimi për viktimat duke thënë se është e domosdoshme, për çka ka kërkuar që kjo të bëhet nga Qeveria e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare.

Ajo ka thënë se legjislacioni aktual përjashton disa grupe të viktimave.

“T’i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës nëse dikush na dëgjon dhe bashkësisë ndërkombëtare që të sigurojnë se viktimat mund të realizojnë të drejtën e tyre për zhdëmtim. Ne kemi parasysh nismën e kohëve të fundit të qeverisë për të punuar rreth një strategjie të drejtësie kalimtare siç e kemi bërë të qartë në deklaratën tonë hyrëse sot. Legjislacioni aktual dhe mundësitë për marrjen e zhdëmtimit për krime lufte përjashtojnë disa grupe të viktimave, përjashtojnë ata për të cilët ne flasim. Një fond mirëbesimi për viktimat do të garantonte realizmin e kërkesave të viktimave të krimit që shqyrtohen para Dhomave të Specializuara të Kosovës do të ishte një hap domethënës. E kuptojmë që kjo kërkon vullnet politik dhe mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe të Kosovës”, tha Pues.

Gjithashtu ajo ka kërkuar zyrtarisht nga trupi gjykues që të përfshijë një vendim mbi shkallën dhe përmasat e dëmit, humbjen dhe lëndimin e viktimave dhe sipas saj secila viktimë duhet të gëzojë të drejtën e zhdëmtimit.

“Kërkojmë që trupi gjykues të urdhërojë zhdëmtim individual të viktimave, kjo sidomos ka të bëjë me viktimat e drejtpërdrejta të torturës jeta e të cilëve është shkatërruar përgjithmonë, të gjitha këto viktima meritojnë kompensim individual për vuajtjet që kanë pësuar, çdo zhdëmtim kolektiv i mundshëm duhet të jetë plotësim i zhdëmtimit individual”, ka thënë ajo.

Mbrojtësja e viktimave ka thënë se do të kontribuojë në përshkrimin e shkallës së ndikimit të krimeve përmes pyetjeve që do t’u bëjë viktimave që do të jenë dëshmitarë.

Gjyqtarja ka bërë të ditur se trupi gjykues do të dëgjojë dëshminë e dy dëshmitarëve të ZPS-së nga data 20 shtator deri të martën 28 shtator 2021.

Seanca e parë gjyqësore ndaj Salih Mustafës do të vazhdojë edhe pasdite ku një ndër çështjet që do të diskutohen do të jetë pjesë e seancës së mbyllur.

Shpërndaje në: